Gjen zgjidhje një tjetër problematikë e ngritur nga TFL: Rikonstruktohet kopshti nr.60

Një tjetër problematikë e ngritur nga Shoqata “Together for Life” në lidhje me kopshtet publike në Tiranë ka gjetur së fundmi zgjidhje.

Gjatë monitorimeve të 43 kopshteve publike të Tiranës (24 prej të cilave kanë qenë pjesë e nismës “Adopto një kopsht”) nga shoqata “Together for Life’, në kuadër të projektit “Lëviz për kopshtin tim”, ndër më të diskutuarit ishte dhe kopshti nr. 60, i cili ndodhet në njësinë numër 3 të qytetit të Tiranës.

Prej kohësh kopshti, i ndërtuar që në vitin 1956, ishte në listën e pritjes për t’u përfshirë në nismën “Adopto një kopsht”.

Edhe pse i rikonstruktuar pjesërisht në vitin 2005, kopshti kishte shumë probleme, të evidentuara edhe nga vetë kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, gjatë përurimit që i bëri sot rikonstruksionit të kopshtit.

“Ky kopsht ka pasur probleme të qenësishme me infrastrukturën, ndërtesën, me themelet, me lagështirën, me kullimin, me gjithë rrënimin që kemi gjetur këtu”, u shpreh Veliaj, ndërsa ftoi edhe prindërit që të regjistrojnë fëmijët e tyre.

“Ky kopsht sjell një çlirim të fluksit për njësinë 3. Dua të ftoj prindërit që janë të interesuar, të vrapojnë të regjistrohen dhe nga 1 janari do të kemi mundësinë që të ofrojmë edhe shtretërit që janë gati, edhe kuzhinën që është gati. Kopshti do të jetë një kopsht me drekë”, deklaroi Veliaj.

Lëviz për Kopshtin Tim është një projekt i zbatuar nga Shoqata Together for Life, mbështetur nga Leviz Albania, me qëllim informimin e qytetarëve dhe medias për të nxitur përgjegjshmërinë dhe transparencën e pushtetit vendor për respektimin e standardeve infrastrukturore dhe të sigurisë në 43 kopshtet publike të Tiranës.

Aktorët kryesorë të projektit dhe ndryshimit ishin prindërit që përmes angazhimit të tyre arritën ta çojnë zërin deri në Këshillin Bashkiak të Tiranës. / Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Skema e re e furnizimit me barna dhe fondet publike: Ministria “refuzon” t’i përgjigjet TFL-së për projektligjin
A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?
Prediabeti
Çfarë duhet të bëjë një pacient nëse diagnostikohet me prediabet
Betohet ministrja e Shëndetësisë/ Klodiana Spahiu merr zyrtarisht detyrën, zëvendëson Evis Salën
Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh
Mazhoranca voton Klodiana Spahiun si ministre të Shëndetësisë
Projektligji i ri për PAK: parashikohet rritja e aksesueshmërisë, por si do garantohet zbatimi?
U helmuan 139 persona në Fushë-Arrëz, ISHP konstaton ndotje në sistemin e ujit të pijshëm