“Gjinitë përtej ekranit” është titulli i projektit me organizatë lider Oapa nga Kosova dhe organizata të tjera nga Europa dhe Ballkani, duke përfshirë edhe organizatën shqiptare Youth4Society.
Aktiviteti i projektit të financuar nga Bashkimi Evropian nën programin Erasmus Plus, u mbajt në qytetin e Durrësit në datat 23-30 mars, ku 28 të rinjtë u trajnuan mbi temën e barazisë gjinore dhe sesi përcillet kjo temë nëpërmjet medias.
Projekti ka si qëllim ngritjen e kapaciteteve të organizatave partnere dhe të të rinjve që punojnë apo marrin pjesë si aktivistë të këtyre organizatave me qëllim përmirësimin e shoqërisë duke thyer stereotipat dhe paragjykimet gjinore. Aktiviteti u zhvillua me anë të metodologjisë së edukimit jo formal për t’u lënë hapësirë të rinjve të shprehin lirisht mendimet e tyre dhe të krijojnë projekt-ide të reja për projekte të ardhshme.
Pas takimit të parë të këtij projekti që u zhvillua në Shkup, ky aktivitet është i dyti dhe do të pasohet dhe nga dy aktivitete të tjera, që do të zhvillohen përkatësisht në Kosovë dhe në Serbi.



