U dhunua nga ish-bashkëshorti, 25-vjeçarja shtatzënë i jep fund jetës

Një vajzë 25-vjeçare ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, pasi kishte konsumuar fostoksinë.

25-vjeçarja, e cila ishte shtatzënë, sipas hetimeve paraprake dyshohet se aktin e rëndë e ka kryer për shkak të dhunës nga ish-bashkëshorti i saj, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin E. F., 25 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, veprim i cili dyshohet se është bërë shkak që shtetasja të konsumojë fostoksinë. Si pasojë, ajo ka humbur jetën në spital. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 25-vjeçarit, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit”, njoftoi Policia.

Në trupin e të resë janë konstatuar edhe shenja të rënda dhune në pjesën e kokës, fytyrës dhe në njërin krahë, të cilat dyshohen se janë shkaktuar nga dhuna e ushtruar nga ish-partneri i saj, Eraldo Fizi.

Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër. Sipas burimeve, në të ajo shkruante se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues dhe një plagë e hapur për shoqërinë shqiptare. Krahas masave ligjore dhe mbrojtjes së viktimave, është e rëndësishme që në rastet kur dhunuesit paraqesin probleme të shëndetit mendor, sistemi të sigurojë edhe trajtim të specializuar psiko-shëndetësor. Ndërhyrjet terapeutike dhe mbështetja profesionale mund të ndihmojnë në adresimin e faktorëve që nxisin sjelljet e dhunshme, në uljen e rrezikut të përsëritjes së dhunës dhe në procesin e rehabilitimit. Përfshirja e trajtimit psiko-shëndetësor si pjesë e mekanizmave të reagimit institucional përbën një hap të rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e viktimave, por edhe për parandalimin afatgjatë të dhunës në shoqëri.


Ky material është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Small Media Support in Western Balkans, i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së