Gjithçka mbi kolesterolin

Blerina Bombaj, dietologe

Çfarë është kolesteroli

Ne e shoqërojmë kolesterolin me ushqimet e yndyrshme, por në fakt, kjo substancë prodhohet 75% nga mëlçia jonë dhe vetëm 25% merret nëpërmjet ushqimit. Në nivele normale, kolesteroli luan rol jetik për shumë funksione fiziologjike si: prodhimi i hormoneve steroide, i vitaminës​ D, formimi i membranave të qelizave etj. Por, fatkeqësisht, një pjesë e mirë e popullatës adulte e ka kolesterolin mbi nivelin e nevojshëm. Për më tepër, ky fenomen po vërehet edhe në brezat e rinj, diçka e pazakontë më parë.

Simptomat

Kolesteroli i lartë nuk shkakton simptoma. Por, ai dëmton në heshtje enët e gjakut duke ndërtuar pllaka në muret e arterieve me pasojë ngushtimin e tyre. Kjo situatë njihet si arteroskleroze dhe duke shkaktuar ngushtim të arterieve mund të nxisë​ sëmundje dhe episode kardiake që kërcënojnë jetën. Lajmi i mirë është se kolesteroli i lartë mund të konstatohet herët, përpara se ai të bëhet i rrezikshëm​.

Analiza e kolesterolit

Personat mbi 20 vjeç duhet të kontrollojnë kolesterolin në gjak çdo 4 vjet. Analiza përfshin matjen e disa llojeve të kolesterolit, LDL – kolesteroli i keq, HDL – kolesteroli i mirë, TChol – kolesteroli total dhe raporti i TChol/HDL, i cili është edhe më i rëndësishëm sesa vetë vlerat. Kjo analizë duhet bërë esëll, mundësisht vakti i fundit të jetë një vakt i lehtë për sa i përket yndyrave.
Analiza e kolesterolit rekomandohet edhe për fëmijë mbipeshë.

Kolesteroli i keq

Shumica e kolesterolit në gjak transportohet nga proteina të cilat quhen “Low Density Lipoproteins” (proteina me densitet të ulët). Kjo quhet kolesterol i keq sepse kombinohet edhe me përbërës të tjerë që shkaktojnë ngushtim të arterieve. Një dietë e pasur në yndyra të ngurta dhe në margarinë shkakton rritje të nivelit të LDL-së. Personat e shëndetshëm duhet të synojnë për LDL më pak se 100mg/dl, ndërsa personat që vuajnë nga sëmundje të zemrës duhet të synojnë akoma më poshtë.

Kolesteroli i mirë

Një e treta e kolesterolit transportohet nga proteina me densitet të lartë –HDL (high density lipoproteins), e quajtur ndryshe kolesteroli i mirë. Kjo lipoproteinë ndihmon në “mbledhjen” e kolesterolit nga qarkullimi dhe transportimin e tij në mëlçi, ku edhe shpërbehet. Për këtë arsye, sa më e larte HDL aq më mirë. Personat që kanë HDL të ulët janë më të predispozuar për të shfaqur sëmundje zemre. Duke ngrënë yndyra të shëndetshme si vaji i ullirit dhe vaji i linit mund të ndihmojë në rritjen e kolesterolit të mirë.

Nivelet optimale: mbi 60

Nivel i ulët: nën 40 për femrat, nën 50 për meshkujt

Trigliceridet

Teprica e kalorive, sheqeri dhe alkooli konvertohen në trigliceride, një lloj yndyre që transportohet nëpërmjet gjakut në qelizat dhjamore ku edhe depozitohet. Personat mbipeshë, duhanpirës, konsumator të alkoolit dhe ata që bëjnë jetë sedentare kanë më shumë mundësi të kenë trigliceride të larta, sikurse ata që konsumojnë shumë sheqerna.

Kolesteroli Total

Kolesteroli total është mbledhja e LDL-së, HDL-së dhe VLDL-së (very low density lipoprotein – paraardhës i LDL), e cila për pjesën më të madhe të njerëzve është e pranueshme në vlerat 200mg/dl.

Raporti i kolesterolit

Kjo është edhe shifra më e rëndësishme dhe përftohet nga pjesëtimi i totalit të kolesterolit me HDL-në. Këshillohet një raport 4:1 e poshtë. Sa më i ulët ky raport, aq më mirë. Ky tregues është i rëndësishëm në vlerësimin e riskut kardiak por jo në trajtimin e nevojshëm.

Kolesteroli në ushqime

Ushqimet e pasura në kolesterol si vezët, karkalecat dhe aragosta nuk janë më të ndaluara. Studimet kanë treguar se ushqimet që ne konsumojmë kanë një ndikim minimal në kolesterolin në gjak. Vetëm një përqindje e vogël e njerëzve kanë njëfarë sensitiviteti ndaj kolesterolit dhe nivelet e tij rriten pas një ushqimi të pasur në të. Por për pjesën më të madhe të njerëzve, konsumi i yndyrave të ngurta dhe trans që gjenden kryesisht te margarina, janë problem kryesor. Rekomandimet për marrjen e kolesterolit në një ditë, gjithsesi mbeten 300mg për persona të shëndetshëm dhe 200mg për persona që janë në rrezikshmëri më të larte. 1 vezë përmban rreth 186mg.

Kolesteroli familjar

Kolesteroli vjen nga dy burime: nga prodhimi i vete organizmit dhe nga ushqimi, ku secili burim mund te shkaktoje kolesterol te larte. Disa persona trashëgojnë gjene te cilat nxisin prodhimin e brendshëm me tepri. Për disa të tjerë dieta është shkaku kryesor. Yndyrat e ngopura dhe kolesteroli gjenden te prodhimet shtazore si mishi, vezët dhe bulmeti. Në shume raste, kolesteroli i lartë vjen si kombinim i të dy faktorëve.

Çfarë e shton rrezikun

  • Trashëgimia
  • Dieta
  • Mbipesha
  • Moshimi
  • Kolesteroli dhe gjinia

Deri në menopauzë, femrat kanë më pak problem të kolesterolit të lartë sesa meshkujt. Ato kanë nivele më të larta të HDL-së gjithashtu. Një arsye është estrogjeni: ky hormon femëror e rrit nivelin e HDL-së. Nivelet e estrogjenit arrijnë kulmin në periudhën e pjellorisë së femrës dhe fillojnë të bien në menopauzë. Pas të 55-ave, rreziku i një gruaje për të pasur kolesterol të lartë fillon të rritet ndjeshëm.

Kolesteroli dhe fëmijët

Tashmë kemi të dhëna se kolesteroli i lartë mund të shfaqet duke ngushtuar enët e gjakut edhe në fëmijë të vegjël, duke i predispozuar ata për episode kardiake më vonë në jetë. Normat optimale të kolesterolit në gjakun e fëmijëve të moshës 2-19 vjeç, janë poshtë 170-ës./ Shendeti.com.al/

 

 

 

Postime të ngjashme

Kjo është vitamina popullore e rinisë që mund të fshijë shenjat e plakjes
Diagnostikimi me kancer dhe ballafaqimi me lodhjen
Debatet mbi abortin në adoleshencë, gjinekologia Anika Dokle: Qasjet "morale" s’çojnë askund, duhet konsensus i gjerë
Kanceri i gojës, kokës dhe qafës; Këto janë shenjat e para paralajmëruese, që nuk duhet t’i neglizhoni
Lia e majmunëve mund të zgjasë me muaj
Dieta 3-­javore e shëndetshme: Humbisni 7kg në 3 javë
Ujë me fara chia dhe limon esëll në mëngjes: Përveç rënies në peshë, ja përfitimet e pafundme që merrni
Qershitë dhe vetitë e pafundme shëndetësore: Nga vetitë anti-nflamatore deri tek ato anti-plakje