Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka
Mësoni rrezikun për goditjen në tru dhe merrni masa për ta parandaluar atë.
Në të gjithë botën, goditja në tru është shkaktari i dytë i vdekjeve. Më shumë se 6.5 milionë njerëz vdesin çdo vit nga goditjet në tru dhe 5 milionë të tjerë mbesin të paralizuar.
Prandaj në 29 tetor në Ditën Botërore të Goditjeve Cerebrale bëhet thirrje për veprim urgjent ndaj epidemisë së heshtur të Insulteve Cerebrale. Mesazhi i këtij viti është: “Përballu me faktet: Goditja në tru mund të trajtohet”.
Fakt: Goditja në tru është një vrasës global
Në të gjithë botën, më shumë njerëz vdesin nga goditjet në tru sesa nga HIV/AIDS, malaria dhe turbekulozi së bashku. Shumë mbijetues të goditjeve në tru ngelin me çrregullime mendore dhe fizike, si humbje kujtese, paralizë dhe probleme emocionale.
Fakt: Njohja e simptomave të goditjes në tru mund t’ju shpëtojë jetën tuaj ose të dikujt tjetër.
Sa më shpejt t’i njihni simptomat e goditjes në tru dhe të merrni trajtim, aq më të larta janë shanset për shërim. Mësoni shenjat paralajmëruese të goditjeve në tru:
- Mpirje të papritur të muskujve të krahëve, këmbëve dhe fytyrës. Ndonjëherë pacientët mund të paralizohen krejtësisht dhe nuk mund të luajnë as duart.
- Vështirësi në të folur dhe pamundësi për të kuptuar të tjerët. Flet në mënyrë të pakuptueshme (belbëzon )dhe është konfuz, nuk arrin t’i kuptojë të tjerët.
- Probleme me shikimin, sidomos tek njëri sy.
- Probleme me shqisat, si me të prekurit, të shijuarit, të dëgjuarit etj.
- Humbje e baraspeshës dhe kontrollit, e shoqëruar me të përziera, temperaturë ose humbje të menjëhershme të vetëdijes. Zakonisht pacientët që kanë pësuar goditje në tru nuk mund të ecin apo të qëndrojnë në këmbë.
- Humbje të refleksit.
- Dhimbje të papritura të kokës (që vijnë pa asnjë shkak). Mund të shoqërohen me humbje të menjëhershme të vetëdijes.
Fakt: Mund ta parandaloni goditjen në tru duke ndryshuar mënyrën e jetesës.
Nuk ka pse të ndodh goditja në tru. Ju mund ta parandaloni atë duke bërë disa ndryshime në mënyrën e jetesës:
- Kontrolloni tensionin e gjakut. Tensioni i lartë i gjakut është shkaktari kryesor i goditjeve në tru.
- Mos pini duhan – Duhani rrit tensionin e gjakut dhe shkakton mpiksje të tij.
- Lëviz sa më shumë – Të qenët aktivë fizikisht mbron enët e gjakut dhe ul rrezikun për goditje në tru.
- Hani ushqime të shëndetshme – Konsumoni sa më shumë perime të freskëta, fruta dhe drithëra. Kufizoni ushqimet me shumë kripë, që rrisin tensionin e gjakut, dhe lëngjet me sheqer artificial.
- Humbisni peshë – Të qenët mbipeshë ose obezë detyron zemrën të punojë fort dhe rrit rrezikun për goditje në tru.
Burimi: Centers for Disease Control and Prevention / https://shendeti.com.al/


