Kryefaqja Artikull Grumbullimi dhe përpunimi primar i bimëve mjekësore

Grumbullimi dhe përpunimi primar i bimëve mjekësore

0
Shpërndaje

Përgatiti për shendeti.com.al Rilinda Klosi

*Doktor i Shkencave Farmaceutike / Profesor i Asociuar UT

Dekadat e fundit kërkesat e tregut për bimët mjekësore dhe produktet e përftuara prej tyre kanë qenë në rritje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në shkallë globale shumica e materialit bimor grumbullohet kryesisht në natyrë, shpesh duke shkatërruar teritoret ku bima rritet. Grumbullimi i tepruar, pa kriter, veçanërisht i specieve për të cilat tregu ka kërkesë të shtuar, ka çuar thuajse në zhdukjen e tyre. Sjellim si shembull çajin e malit (Sidertis raeseri), bimë që rritet në zonat e larta të vendit tonë, e cila tashmë është përfshirë në librin e kuq si specie shumë e rrezikuar.

Teknikat e grumbullimit, si për shembull shkulja me rrënjë e çajit të malit, janë të papranueshme. OBSh-ja sugjeron strategji dhe metodologji specifike për ruajtjen e bimëve mjekësore në habitatet natyrore. Në shumë vende, për mbledhjen e bimëve të egra që rriten në natyrë kërkohet leje e posaçme nga autoritetet shtetërore. Për të zhvilluar aktivitetin grumbulluesit, të cilët duhet të kenë njohuritë e duhura, pajisen me licencë. Tregu i bimëve mjekësore në Shqipëri ka njohur gjithashtu rritje të vazhdueshme, veçanërisht në eksporte.

Drogat bimore mjekësore* përftohen edhe nga bimët e kultivuara. Kultivimi në mjedise të mbyllura, ku faktorët mjedisorë mund të kontrollohen, paraqet epërsi. Ndër të tjera, kultivimi ofron mundësinë e përfitimit të një produkti uniform të cilësisë së lartë. Por në rastet kur kërkesat agronomike nuk mund të arrihen nëpërmjet kultivimit, grumbullimi në natyrë është e vetmja rrugë. Sektori i bimëve mjekësore gjeneron vende pune dhe ndihmon veçanërisht banorët e zonave rurale.

Grumbullimi i bimëve në natyrë mund të paraqesë probleme specifike, si: ngatërrimi me bimë të ngjashme, mundësia e rritjes jo-uniforme midis bimëve që çon në përbërje të ndryshme, dëmtimi i mjedisit, mungesa e kontrollit të cilësisë. Periudha e grumbullimit ka rëndësi të veçantë, sepse përmbajtja e lëndëve vepruese në një bimë të caktuar nuk është e njëjtë. Kështu për shembull, bima e mentës është e gatshme për t’u vjelur kur sythet e lules bëhen të dukshme, kurse faza e fundit është në fillim të lulëzimit. Kujdesi i duhur gjatë vjeljes, si dhe përpunimi pas vjeljes, janë thelbësore për të pasur prodhim cilësor. Për bimët mjekësore që tregtohen në BE zbatohen rregullore specifike. Parametrat si cilësia dhe sasia e përbërësve biologjikisht aktivë, apo niveli i ndotjeve të mundshme, përcaktohen nëpërmjet analizës laboratorike. Gjithsesi, principet bazë të grumbullimit dhe përpunimit primar aplikohen për të gjitha bimët mjekësore.

Grumbullimi i tyre është subjekt i rregulloreve kombëtare dhe ndërkombëtare, veçanërisht për sa i takon specieve të rrezikuara. Në vazhdim pasqyrohen shkurtimisht udhëzimet që ofrojnë praktikat e mira të grumbullimit dhe përpunimit primar të bimëve mjekësore, të rekomanduara nga Agjencia Europiane e Barnave dhe OBSh-ja. Kërkesat për grumbulluesit – Identifikimi i saktë i bimës mjekësore të rritur në natyrë kërkon në radhë të parë persona të kualifikuar. Për grumbulluesit me më pak eksperiencë rekomandohet: ”nëse keni dyshime, mos e prekni atë bimë”.

Grumbulluesit duhet të kenë njohuritë e duhura lidhur me kërkesat e mjedisit ku rritet bima, si dhe me kohën më të përshtatshme për vjeljen e saj. Këshillohet që përgjithësisht personat të cilët merren me bimët mjekësore të ndjekin kurse kualifikimi. – Grumbullimi duhet të kryhet në përputhje me rregulloret ekzistuese, rajonale dhe kombëtare, për ruajtjen e specieve bimore. – Aktiviteti i grumbulluesve të bimëve mjekësore duhet të jetë në përputhje me praktikat e mira të higjienës, për të siguruar ngarkesë mikrobike minimale, si dhe mungesë të kimikateve të dëmshme. Ndër të tjera, personat me infeksione të lëkurës ose plagë të hapura nuk duhet të marrin pjesë.

– Bimët mjekësore duhet të mblidhen në fazën e rritjes kur ato kanë cilësinë më të mirë të mundshme për qëllimin e përdorimit. Po ashtu, kërkohet të merren parasysh faktorët si lartësia mbi nivelin e detit, lloji i tokës, klima, të cilët ndikojnë ndjeshëm në përmbajtjen e lëndëve vepruese.

– Bimët që rriten në anë të rrugëve, pranë minierave ose kanaleve që gjenerojnë lëndë toksike dhe ndotje mikrobike, nuk duhet të mblidhen.

– Për të ruajtur specien dhe për të pasur vjelje të qëndrueshme, disa nga bimët më të fuqishme nuk duhet të preken.

– Në përputhje me standardet, bimët ose pjesët e tyre të dëmtuara mënjanohen që në fillim. Përpunimi primar i materialit bimor Bimët mjekësore të mbledhura freskët duhet të kalojnë sa më shpejt të jetë e mundur në procesin e përpunimit primar, për të shmangur degradimin fizik ose kimik, apo rritjen e ngarkesës mikrobike. Ato fllimisht i nënshtrohen proceseve paraprake, si largimi i pjesëve të padëshirueshme dhe ndotësve, larja, seleksionimi, prerja.

Materiali bimor i grumbulluar përmban sasi të mëdha uji, kjo përmbajtje ndryshon në varësi të organit të grumbulluar. Procesi i tharjes largon pjesën më të madhe të ujit, duke frenuar proceset e fermentimit dhe zhvillimin e mikroorganizmave. Të gjitha drogat bimore rrezikojnë të prishen nëse përmbajtja e lagështisë në to i kalon vlerat limit të pranueshme, të cilat jepen në monografitë zyrtare për secilën drogë bimore mjekësore.

Regjimi i tharjes ndikon shumë në cilësinë e produktit përfundimtar. Qëndrueshmëria e materialit bimor të sapo vjelë është e kufzuar, prandaj i nënshtrohet tharjes si një nga mënyrat më të thjeshta të konservimit. Temperatura dhe koha e tharjes përshtaten në varësi të species dhe pjesës specifike të bimës. Për bimët e mbledhura me dorë në sasi relativisht të vogla, materiali bimor përhapet në shtresa të holla mbi sipërfaqe të përshtatshme, të vendosura në mjedise të ajrosura mirë. Strukturat ku do të kryhet tharja vendosen në një largësi të mjaftueshme nga dyshemeja.

Për sasi më të mëdha zakonisht përdoret ajër i ngrohur, temperatura dhe shpejtësia e ajrit përshtaten në varësi të lëndëve vepruese dhe llojit të bimës. Në fillim temperatura nuk duhet të jetë e lartë, përndryshe në sipërfaqe të bimës formohet një cipë e fortë që pengon avullimin e ujit. Gjethet thahen në shtresa të holla, zakonisht në temperaturë nën 300C. Për të pasur një tharje të njëtrajtshme gjethet përzihen herë pas here. Tharja vazhdon derisa gjethet të bëhen të thyeshme, dhe nëse fërkohen midis gishtave duhet të shkërmoqen lehtë.

Përgjithësisht, përmbajtja e lagështisë në produktin përfundimtar luhatet midis 8 – 12%. Lulet, për të ruajtur ngjyrën dhe aromën, thahen sa më shpejt të jetë e mundur. Temperatura e përdorur në secilin rast varet nga natyra fizike e lules. Zakonisht, tharja kryhet në temperaturën 20 – 300C. Pas tharjes, ende të ngrohta, lulet vendosen në enë të përshtatshme me kapak dhe ruhen në vende të freskëta e të thata, të mbrojtura nga drita e diellit. Frutet, kur prodhohen në sai të vogël i nënshtrohen tharjes tradicionale. Frutet mishtake fillimisht thahen në furrë pak të ngrohur, pastaj tharja vazhdon me një nga metodat e përmendura. Lëvoret, pastrohen nga pjesët e jashtme të padëshiruara, priten në përmasa të përshtatshme dhe më pas i nënshtrohen procesit të tharjes. Për këtë qëllim, sipas rastit, përdoren metoda të ndryshme tharje.

Disa prej tyre bazohen në përdorimin e ajrit të ngrohur dhe furrave me mikrovalë. Rrënjët dhe rizomat, pasi pastrohen mirë (duke përfshirë larjen), priten në copa të vogla në mënyrë që të thahen më shpejt. Rrënjët që kanë në sipërfaqe një shtresë tape zhvishen prej saj, sepse tapa pengon tharjen. Zakonisht përdoret ajër i ngrohur dhe furra të përshtatshme. Pas tharjes rrënjët duhet të jenë të thyeshme. Tharja e pamjaftueshme çon në zhvillimin e mykut dhe në prishjen e produktit. Gjatë ruajtjes së rrënjëve të thara merren masa mbrojtëse ndaj insekteve, të cilat në të kundërt i prishin ato. Temperaturat e ulëta të mjedisit mund ta kufizojnë problemin.

Lloji i materialit ambalazhues për bimët mjekësore në gjëndje të tharë përzgjidhet sipas ratit. Për drogat mjekësore që mund të tregtohen në vendet e BE-së, ai duhet të jetë në përputhje me kërkesat për kushtet e ruajtjes, të përshkruara në monografitë përkatëse të Farmakopesë Europiane. Për paketimin e drogave bimore përdoren zakonisht qese letre, thasë, kuti kartoni të pastra. Depërtimi i dritës së mjedisit në materialin paketues çon në degradimin e ngjyrës, aromës dhe të përbërësve veprues të bimës mjekësore. Rëndësi të veçantë ka dokumentimi, i cili përfshin emërtimin binomial të bimës (specia, gjinia, varieteti) si dhe emrin në gjuhën shqipe, po ashtu të dhënat për origjinën dhe kohën e grumbullimit. Pasi vendosen mbi ambalazh etiketat sipas kërkesave të përshkruara në udhëzuesit përkatës, drogat bimore ruhen në lokale të pastra, të mbrojtura nga lagështia, me ajrosje të mirë, larg mureve. Rekomandohen kontrolle të herëpashershme për të parë nëse ka ndryshime të cilësisë së produktit përfundimtar.

* Bimë mjekësore të plota, të copëtuara ose pjesë të bimëve në gjendje të papërpunuar, zakonisht të thara, njihen si droga bimore mjekësore.

Referenca 1. Draft guideline on good agricultural and collection practice for starting materials of herbal origin. Revision 1. EMA/HMPC, March 2024.

2. WHO International Regulatory Cooperation for Herbal Medicine, 15th annual meeting. April 2024. 3. Guideline on specifications: test procedures and acceptance criteria for herbal substances. Revision

3. EMA/HMPC, May 2022.

4. The European Pharmacopoeia 11th edition, 2023. General monographs: Herbal drugs.

5. Salmeron Manzano E. et al. Worldwide research trends on medicinal plants. International Journal of Environmental Research and Public Health 2020; 17 (10): 3376.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here