Kryefaqja Aktualitet Gurët në tëmth, shkaqet dhe trajtimi

Gurët në tëmth, shkaqet dhe trajtimi

0
Shpërndaje

Bisedoi: Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+” dhe Shëndeti Online

Gurët në tëmth janë një problematikë tepër e shpeshtë në popullatë. Shkaqet e formimit të tyre janë të ndryshme. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” gastro-hepatologia Rozana Aleksi shpjegon se çfarë janë gurët në tëmth, pse formohen, simptomatika me të cilën paraqiten si dhe format e trajtimit.

guret-ne-temth-2-e1474968757812

Çfarë janë gurët e tëmthit?

Gurët e tëmthit formohen kur lëngu i grumbulluar në fshikëzën e tëmthit mpikset ose ngurtësohet në copa të vogla materiali të ngjashme me gurët. Lëngu, i quajtur bile (lëngu i tëmthit) ndihmon në tretjen e yndyrave të ushqimit. Bila (lëngu i tëmthit) prodhohet në mëlçi, pastaj depozitohet në fshikëzën e tëmthit derisa trupit t’i nevojitet për tretjen e yndyrave. Në këtë kohe fshikëza bën kontraksione të cilat shtyjnë bilen në një tub të quajtur duktusi biliar i përbashkët prej te cilit bila kalon në zorrën e hollë duke ndihmuar në tretjen e ushqimeve.

Bila përmban ujë, kolesterol, yndyra, kripëra biliare, proteina dhe bilirubinë. Kripërat biliare shpërbëjnë yndyrnat, ndërsa bilirubina i jep feçeve (jashtëqitjes) ngjyrën e verdhë. Në qoftë se lëngjet biliare përmbajnë shumë kolesterol, kripëra biliare ose bilirubine, në situata të caktuara formohen gurët.

Kemi dy tipe gurësh në tëmth:

Gurë kolesteroli dhe gurë pigmenti.
Gurët e kolesterolit zakonisht janë me ngjyrë të verdhë në jeshile dhe përbëhen kryesisht nga kolesterol i ngurtësuar. 80% e gurëve të tëmthit janë të kësaj natyre.
Gurët e pigmentit janë të vegjël, me ngjyre të errët, të përbërë nga bilirubina.

Gurët e tëmthit mund të jenë sa kokrrizat e rërës deri në madhësinë e topit të golfit. Fshikëza e tëmthit mund të formojë një gurë të vetëm të madh, qindra gurë të vegjël ose çdo kombinim të mundshëm të tyre. Gurët mund të bllokojnë rrjedhjen normale të biles (lëngut të tëmthit) nëse ato vendosen në ndonjë nga duktuset prej nga rrjedh bila nga mëlçia në zorrën e hollë.

Bila ngelet në këto duktuse duke shkaktuar infeksion të fshikëzës së tëmthit, të vetë duktusit dhe rrallë të mëlçisë. Duktus tjetër që derdhet në duktusin biliar hepatik është dhe duktusi pankreatik, i cili nxjerr enzimat tretëse pankreatike prej pankreasit. Nëse gurët bllokojnë daljen e këtij duktusi, enzimat tretëse pankreatike ngelin në pankreas duke shkaktuar inflamacion shumë të dhimbshëm të quajtur pankreatik nga gurët e tëmthit. Nëse ndonjëri prej këtyre duktuesve qëndron i bllokuar për një kohë të caktuar, dëmtime të mëdha ose fatale, apo infeksioni mund të prekin fshikëzën e tëmthit, mëlçinë ose pankreasin.

Shenjat lajmëruese të kësaj situate serioze janë:
– temperaturë e lartë,
– zverdhja e lëkurës dhe dhimbje të qëndrueshme

Nga se shkaktohen gurët e tëmthit?

Gurët kolesterolike: Shkencëtarët mendojnë se gurët kolesterolikë formohen kur bila (lëngu i tëmthit) përmban shumë kolesterol, shumë bilirubinë ose kripëra biliare të pamjaftueshme, ose kur fshikëza e tëmthit nuk zbrazet plotësisht për arsye të ndryshme.

Gurët e pigmentit: Shkaku i formimit të këtyre gurëve është i paqartë. Ato kanë gjasa të formohen tek personat që kanë: cirrozë hepatike, infeksion të traktit biliar, sëmundje gjaku të trashëguara (siç është anemia drepanocitare ku trupi prodhon shume bilirubinë).

Faktorë të tjerë: Mendohet se prania e një guri të thjeshte të tëmthit mund të shkaktojë prodhimin e shumë gurëve. Megjithatë, janë zbuluar faktorë të tjerë që ndikojnë në formimin e gurëve të tëmthit, në veçanti të gurëve kolesterolikë.

Obeziteti: Është një faktor rreziku për të krijuar gurë, veçanërisht tek gratë. Një studim i gjerë ka treguar që të qenit qoftë lehtësisht mbi peshë rrit rrezikun për të bërë gurë në tëmth. Kjo ndodh sepse obeziteti mund të reduktojë sasinë e kripërave biliare në bile, duke çuar në përqendrim më të lartë të kolesterolit në të. Obeziteti gjithashtu ul aftësinë e fshikëzës së tëmthit për t’u zbrazur.

Estrogjeni (hormon femëror): Sasia e shtuar e estrogjenit gjatë shtatzënisë, terapisë zëvendësuese me hormone dhe gjatë marrjes së kontraceptivëve orale, shton nivelin e kolesterolit në bile (lëngun e tëmthit) dhe pakëson lëvizjet e fshikëzës së tëmthit. Të dy këta faktorë së bashku çojnë në formimin e gurëve.

Gjinia: Gratë e moshës 20 deri 60 vjeç janë dy herë më shumë të favorizuara për të bërë gurë në tëmth sesa burrat.

Mosha: Njerëzit mbi moshën 60 vjeç janë më të favorizuar për të bërë gurë në tëmth sesa të rinjtë.

Mjekimet për të ulur nivelin e kolesterolit: Medikamentet që përdoren për të ulur nivelin e kolesterolit në gjak rrisin sasinë e kolesterolit që sekretohet (derdhet) në bile. Si pasojë rritet rreziku për formimin e gurëve të tëmthit

Diabeti: Në përgjithësi njerëzit që vuajnë nga diabeti, kanë nivele të larta të acideve yndyrore të quajtura trigliceride. Këto lloj acidesh yndyrore rrisin rrezikun e formimit të gurëve të tëmthit.

Humbja e menjëhershme në peshë: Ndërsa trupi shpërbën yndyrnat gjatë rënies së menjëhershme në peshë, mëlçia sekreton (derdh) më shumë kolesterol në bile (lëngun e tëmthit) gjë që çon në formimin e gurëve.

Mosngrënia (agjërimi): Ul lëvizshmërinë e fshikëzës së tëmthit duke shkaktuar mbi përqendrim të biles me kolesterol, gjë që çon në formimin e gurëve.

Kush janë të rrezikuar të kenë gurë në tëmth?

– gratë
– njerëzit mbi 60 vjeç
– burrat dhe gratë mbipeshë
– rënia e menjëhershme në peshë
– gratë shtatzëna,
– gratë që marrin terapi zëvendësuese hormonale,
– gratë që përdorin kontraceptivë oralë.

Cilat janë simptomat?

Simptomatologjia e gurëve të tëmthit shpesh quhet “ataku” i gurëve, sepse ato ndodhin krejt papritur.

Një atak tipik shkakton:
– Dhimbje të qëndrueshme në pjesën e sipërme të barkut, që shtohet menjëherë dhe që zgjat nga 30 minuta në disa orë.
– Dhimbje në shpinë midis dy shpatullave
– Dhimbje nën shpatullën e djathtë
– Të përziera dhe të vjella
– Shpesh ataku i gurëve vjen pas një vakti të pasur me yndyra dhe mund të ndodhë gjatë natës.

Shenja të tjera mund të jenë:
– Fryrje barku
– Intolerancë e përsëritur ndaj ushqimeve yndyrore
– Dhimbje në forme kolikash
– Gromësira
– Gazra
– Mostretje

Njerëzit të cilët kanë njëkohësisht dhe ndonjë nga simptomat e mëposhtme duhet të takojnë menjëherë mjekun:
– të dridhura – temperaturë e lehtë
– zverdhje të lëkurës dhe të syve
– feçe të zbardhura
Shumë njerëz me gurë në tëmth nuk kanë simptoma. Këta quhen pacientë asimptomatikë dhe gurët e tyre quhen “gurë të heshtur”. Ata nuk ndërhyjnë në funksionin e fshikëzës së tëmthit, mëlçisë dhe pankreasit dhe nuk kanë nevojë për trajtim.

Si diagnostikohen gurët e tëmthit?

Shumë gurë të tëmthit, në veçanti ata të heshturit zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimeve për probleme të tjera. Por, kur mendohet se gurët e tëmthit mund të jenë shkaktarët e simptomave, kërkohet kryerja e ekografisë së barkut.

Ekografia përdor valët e zërit për të evidentuar praninë dhe për të bërë lokalizimin e gurëve. Ekografia është mënyra më sensitive dhe specifike për të diagnostikuar gurët. Që të bëhet një ekzaminim sa më i saktë, duhet që pacienti të jetë esëll (pa ngrënë) që fshikëza të jetë e mbushur, duke lejuar vizualizimin e plotë dhe lokalizimin e gurëve.

Teste të tjera diagnostikuese që mund të përdoren janë:

Tomografia e kompjuterizuar (CT), skaneri i cili tregon praninë e gurëve ose komplikacionet e mundshme. Rezonanca magnetike kolangiografike, e cila mund të diagnostikojë duktuset biliare të bllokuara

Koleshintigrafia (HIDA skaner), i cili përdoret për të diagnostikuar anormalitë e kontaksioneve (tkurrjeve) të fshikëzës së tëmthit dhe obstruksionet (bllokimet). Në këtë test pacientit i injektohet në venë një material radioaktiv që shkon në fshikëzën e tëmthit, e cila më pas stimulohet për t’u kontraktuar.

Kolangiografia endoskopike retrograde (ERCP):
– faza e parë e ekzaminimit kryhet njësoj si gastroskopia dhe kur mjeku ka arritur në fillimin e zorrës së hollë ai injekton një ngjyrues të veçantë, i cili qëndron përkohësisht në duktuset e sistemit biliar.

ERCP përdoret për të lokalizuar dhe për të hequr gurët në duktuse.

Teste laboratorike të gjakut.

Testet e gjakut përdoren për të parë:
– shenjat e infeksionit,
– obstruksionit (bllokimit),
– pankreatitit (inksionit te pankreasit) ose të verdhëzës.

Simptomat e gurëve në tëmth janë të njëjta me ato të:

– atakut kardiak,
– apendisitit,
– ulcerave,
– sindromës së zorrës së irrituar,
– hernies hiatale, pankreatitit dhe hepatitit.
Kështu që diagnoza e saktë është e rëndësishme.

Cili është trajtimi?

Trajtimi kirurgjikal: Heqja me kirurgji e fshikëzës së tëmthit është mënyra më e shpeshtë e trajtimit të gurëve simptomatike. Kirurgjia në këtë rast quhet kolecistektomi.

Metoda më e shpeshtë dhe më e mirë e heqjes kirurgjikale të fshikëzës së tëmthit është kolecistektomia laparoskopike. Kjo lloj ndërhyrjeje kryhet nëpërmjet tre çarjeve të vogla milimetrike të barkut, ku futen instrumentet kirurgjikale me një kamera të vogël. Për shkak se muskujt e murit të barkut nuk janë prerë, gjatë procudrës laparoskopike ka më pak dhimbje dhe më pak ndërlikime në krahasim me kirurgjinë e hapur, ku bëhet një çarje e madhe e barkut. Pacientit i duhet të qëndrojë në spital vetëm një natë pas kësaj procedure.

Nëse mjeku kirurg zbulon pengesa për të kryer kirurgjinë endoskopike, si për shembull: infeksion apo cikatrice të operacioneve të tjera, atëherë ndërhyrja bëhet me kirurgji të hapur. Quhet kështu, sepse mjekut kirurg do t’i duhet të bëjë një prerje të barkut rreth 15-17cm për të hequr fshikëzën e tëmthit. Kjo është kirurgji që kërkon hosptializimin e pacientit 2-7 ditë.

Komplikacioni më i shpeshtë i kirurgjisë së fshikëzës së tëmthit është dëmtimi i duktusve biliare.

Nëse gurët ndodhen në duktusin biliar, atëherë mund të kryhet Kolangiografia Endoskopike Retrograde (ERCP).

Trajtimi jokirurgjikal: Ky lloj trajtimi përdoret vetëm në raste të veçanta, p.sh: pacienti ka situatë serioze mjekësore që nuk lejon kryerjen e kirurgjisë dhe vetëm në rastet e gurëve kolesterolike. Gurët zakonisht riformohen pas trajtimit jokirurgjikal

Terapia me tretës oralë: Medikamente me përbërje të acidit biliar përdoren për të tretur gurët. Mund të jenë të nevojshëm muaj ose vite të tëra trajtimi për të tretur gurët kolesterolikë. Këto medikamente kanë si efekt anësor diarre të lehtë dhe mund të rrisin lehtësisht nivelet e kolesterolit dhe enzimave hepatike ne gjak.

Terapia me tretje direkte: Kjo procedurë eksperimentale konsiston ne injektimin e medikamenteve direkt në fshikëzën e tëmthit për të tretur gurët. Metil terbutil eteri mund të shpërbëjë gurët në 1-3 ditë, por duhet bërë shumë kujdes sepse është substancë shumë toksike. Kjo procedurë mbetet akoma eksperimentale.

A i duhet njerëzve fshikëza e tëmthit?

Fatmirësisht njerëzit mund të jetojnë pa fshikëzën e tëmthit. Heqja e saj nuk kërkon ndryshime në dietë. Kur fshikëza e tëmthit hiqet, bila rrjedh jashtë mëlçisë nëpërmjet duktusit hepatik në duktusin biliar të përbashkët dhe menjëherë kalon në zorrën e hollë, në vend që të grumbullohet në fshikëzën e tëmthit.

Gjithsesi, meqenëse bila nuk qëndron në fshikëzën e tëmthit, por zbrazet menjëherë dhe shpesh në zorrën e hollë mund të shkaktojë diarre në 1% të njerëzve.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here