Blerina Dhamo, reumatologe
Guta, e njohur gjithashtu si artriti i përhershëm, mund të zhvillohet kur ka acid urik të tepërt në trup. Simptomat mund të jenë të papritura dhe të rënda, duke shkaktuar dhimbje, skuqje dhe ënjtje në nyjen e prekur, më shpesh në gishtin e madh. Sulmet ndodhin më shpesh gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit. Nëse nuk trajtohet, sulmet e përsëritura mund të çojnë në deformim dhe kufizim progresiv të lëvizjes. Ndërsa ashpërsia e simptomave mund të ndryshojë, guta ka tendencë të përparojë në faza dhe të përkeqësohet me kalimin e kohës. Trajtimi herët mund të shmangë shumë nga ndërlikimet afatgjata dhe të përmirësoni cilësinë e përgjithshme të jetës.
Doktoreshë, çfarë është Guta?
Guta është artriti më i shpeshtë që shfaqet tek meshkujt. Ky lloj artriti është quajtur ndryshe dhe “sëmundja e mbretërve ose të pasurve”. Dieta e pasur ushqimore me mish të kuq dhe alkool, të cilat i përdornin kohë më parë vetëm kjo shtresë e shoqërisë, është edhe arsyeja pse mori këtë emër. Mishi i kuq dhe birra janë burimi kryesor i acidit urik në trupin e njeriut. Sot, me ndryshimet që kanë ndodhur në stilin e ushqyerjes, është shtuar dhe numri i personave me Guta.
Cilat kyçe preken më shumë?
Më shpesh preket gishti i madh i këmbës por, nuk përjashtohen raste kur sëmundja fillon me dhimbje te gjurit, kaviljes apo bërrylit. Dhimbja është shumë e fortë, djegëse dhe shpesh pacientët zgjohen natën për shkak te dhimbjes.
Cilët janë shkaktarët ?
Shkak është grumbullimi i kripërave të acidit urik në artikulacione dhe jo vetëm. Pra, kur shtohet prodhimi i acidit urik në trupin e njeriut ose kur nuk eliminohet me anë të veshkave, atëherë ai grumbullohet në artikulacione. Rritja e acidit urik në gjak nuk dëmton vetëm kyçet, por njëkohësisht edhe veshkat dhe zemrën. Shtimi i prodhimit të acidit urik në trupin tonë ndodh kur konsumohet ushqim i pasur me purina si: mishi i kuq, birra, frutat e detit, pijet e ëmbëlsuara artificialisht.
Cilët janë personat e rrezikuar?
Njerëzit obezë, diabetikët, personat që konsumojnë shumë alkoolin, të sëmurët me veshka dhe ata të cilët marrin shkarkues për të ulur tensionin e lartë të gjakut, janë edhe personat më të rrezikuar për t’u prekur nga kjo sëmundje (Guta). Femrat, për shkak të estrogjeneve që nxisin eliminimin e acidit urik, janë më pak të rrezikuara për të bërë Guta. Ndërkohë pas menopauzës barazohen shanset mes meshkujve dhe femrave. Nisur nga fakti që personat që vuajnë nga ky lloj artriti kanë më shumë mundësi për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare, është shumë e rëndësishme që ky lloj artriti të diagnostikohet dhe trajtohet sa më shpejt nën asistencën e mjekut reumatolog.
Si trajtohet guta ?
Trajtimi i gutës është shumë kompleks, pasi përfshin jo vetëm medikamentet, por dhe disa rekomandime qe i jepen pacientit mbi dietën ushqimore, terapinë e tensionit, aktivitetin fizik, të gjitha këto ndiqen me ndihmën e mjekut specialit reumatolog. Parandalimi i krizave të dhimbjes dhe ulja e acidit urik në gjak është synimi kryesor i mjekut reumatolog ndaj pacientit dhe ky qëllim arrihet plotësisht vetëm në rastet kur pacienti zbaton në mënyrë rigoroze këshillat e mjekut specialist./ Shendeti.com.al