Halitoza, shkaktarët dhe trajtimi i erës së keqe të gojës

Për gazetën “Shëndet+” Alba Myrto, mjeke stomatologe. 

Halitoza, e njohur ndryshe si era  e rëndë e gojës,  mund të jetë e sikletshme dhe të shkaktojë deri në ankth dhe depresion te personat që e shfaqin këtë simptomë. Në pjesën më të madhe të rasteve, shkaku nis në gojën e pacientit. Problemi i erës së rëndë të gojës fillon të marrë zgjidhje në momentin që identifikojmë shkakun e saj.

Shkaktarët më të shpeshtë të saj janë:

  • Ushqimet (si qepa, hurdha). Këto ushqime, pasi treten në stomak, hyjnë në qarkullimin e gjakut, dhe një mënyrë eliminimi i tyre është përmes mushkërisë, si pasojë do të ndihet erë e rëndë gjatë frymënxjerrjes.
  • Dietat ushqimore, që përdoren për një kohë të shkurtër dhe me pak përmbajtje karbohidratesh (sheqernash), nxisin prodhimin e ketoneve (lëndë që prodhohen nga shpërbërja e proteinave). Ketonet janë përgjegjëse  për erë të rëndë në gojë.
  • Në erën e rëndë të gojës ndikon dhe një tjetër shkaktar sikurse duhani, i cili dëmton mjaft edhe gingivat duke shkaktuar sëmundje gingivare, si pasojë edhe erën e rëndë të gojës.
  • Higjiena e keqe e gojës është një ndër faktorët më të rëndësishëm. Në përditshmërinë tonë duhet të realizohet pastrimi i duhur i dhëmbëve (minimumi 2 minuta në mëngjes dhe para gjumit), përdorimi i fillit dentar dhe i shpëlarësit të gojës. Nëse këto neglizhohen, atëherë mbeturinat ushqimore të mbetura në gingiva dhe midis dhëmbëve dekompozohen dhe shkaktojnë erë të keqe të gojës.
  • Personat që kanë proteza dentare janë kontigjent tjetër me risk në qoftë se nuk kujdesen për larjen e protezave rregullisht.
  • Kserostomia (goja e thatë) është një tjetër faktor, pasi pështyma ka si detyrë të pastrojë dhëmbët tanë duke i zhvendosur mbeturinat ushqimore. Në mungesë të saj, kemi erë të rëndë të gojës, e ngjashme me erën e mëngjesit që vjen pas gjumit. Kserostomia ka disa arsye, sikurse prodhimi në sasi të pamjaftueshme të pështymës nga gjëndrat. Ekzistojnë disa sëmundje që mund të jenë shkak për këtë mosprodhim, sikurse lupusi eritematoz, artriti reumatoid, skleroderma, diabeti, sindromi Sjogren, parkinsoni etj.
  • Infeksionet e gojës, fytit, hundës dhe bajameve çojnë në shfaqjen e erës së rëndë të gojës.
  • Sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e veshkave dhe të mëlçisë.
  • Medikamentet të cilat ndikojnë në uljen e sasisë së pështymës ndikojnë tërthorazi edhe në erën e keqe të gojës. Këtu përfshihen medikamentet që trajtojnë infeksionet e fytit dhe bajameve, medikamentet hipertensive, antidepresante, kimio preparate edhe marrja në sasi të madhe të disa vitaminave.
  • Trupat e huaj në hundë, sidomos tek fëmijët.
  • Sëmundje të tjera, si refluksi gastroezofageal, i cili shkakton aromë të keqe nga rikthimi pas i lëngjeve të stomakut, sëmundjet metabolike, sëmundjet kanceroze sikurse kanceri i  gojës, etj.

Diagnostikimi dhe trajtimi

Diagnostikimi i halitozës bëhet me anë të nuhatjes nga dentisti ose vërejtja me kujdes e gjuhës. Trajtimi i duhur në momentin që janë përjashtuar patologjitë përkon me: higjienën e mirë të gojës, përdorimin e rregullt të fillit dentar, pastrimin e gjuhës. Ruajtja e higjienës së gojës duke pastruar dhëmbët me pastë dhe furçë çdo mëngjes. Si pasojë e gjumit, gjatë natës ulet në mënyrë natyrale sasia e pështymës së prodhuar. Ndërsa në darkë, po të mos i lajmë dhëmbët para gjumit, bëjmë të mundur dekompozimin e ushqimeve të mbetura midis mishrave të dhëmbëve dhe dhëmbëve. Nën veprimin e baktereve, këto prodhojnë lëndë që shkatërrojnë dhëmbët dhe në të njëjtën kohë i japin erë të rëndë gojës. Ndaj minimumi dy herë në ditë i kujdesit për dhëmbët është i detyrueshëm. Përdorimi i shpërlarësit si dhe i fillit dentar të paktën 1 herë në ditë ka gjithashtu rëndësi. Pasta e dhëmbëve duhet të përmbajë fluor në mënyrë që të parandalojë formimin e kariesit.

Duhet evituar goja e thatë, ndaj duhet përdorur shumë ujë gjatë ditës (deri në 2 litra), stimulues të prodhimit të pështymës, mbajtja e vazhdueshme e çamçakëzëve. Këto të fundit maskojnë dhe erën e rëndë të gojës.

Nuk duhet përdorur alkool dhe as duhan, pasi ata e dehidratojnë gojën dhe dëmtojnë mishrat e dhëmbëve. Nëse edhe pas këtyre ndryshimeve ka probleme, duhet të drejtohemi tek mjeku për medikamente stimuluese të prodhimit të pështymës.

Dieta duhet përmirësuar duke evituar ushqimet që shkaktojnë erë të rëndë, të reduktohet sasia e kafesë dhe mëngjesi të jetë i përbërë nga ushqime me konsistencë të fortë, që të masazhojnë ndërkohë edhe mishrat e dhëmbëve duke stimuluar qarkullimin e gjakut në to.

Përtypja mirë e ushqimeve edhe me ngadalë, të ngrënit shpesh edhe nga pak gjatë ditës.

Ka raste që edhe përdorimi i tepruar i shpërlarësve të gojës shkakton tharje goje dhe predispozon për erë të rëndë.

Duhet të fusim më shpesh në dietën ushqimore personale kosin, fermented që ai mbart favorizojnë tretjen. Qumështi ul aciditetin e stomakut dhe redukton refluksin gastroezofageal.

Sugjerojmë  konsumimin e frutave me konsistencë të fortë si edhe perime të freskëta të cilat ndikojnë në pastrimin e gjuhës edhe mbajtjen e gojës së freskët.

Duhet të evitojmë ushqimet që treten me vështirësi si të skuqurat, pikantet dhe ushqimet e pasura me yndyrna, ushqimet shume të kripura dhe ato me përmbajte të lartë sheqernash.

Kafja, çaji, vera, kakao të përdoren në sasi të limituar sepse ndikojnë në tharjen e gojës.

Zgjidhje natyrore për halitozën do të ishte përdorimi i avokados në rastet kur era e keqe ka një origjinë gastroezofageale. Ujë me 1 lugë mjaltë dhe 1 lugë uthull molle. Përdorimi i pjatave me bimë me aromë të mirë, sikurse rozmarina apo përdorimi i disa çajrave natyralë.

Në rast se fajtore është higjiena e keqe, duhet përmirësuar me anën e një pastrimi profesional të dhëmbëve apo trajtimi i kariesit të dhëmbëve nga mjeku stomatolog, edhe pastaj përmirësimi i  higjienës personale orale./Shendeti. com. al

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin