Kryefaqja Lajm kryesor Halitoza, shkaktarët dhe trajtimi i erës së keqe të gojës

Halitoza, shkaktarët dhe trajtimi i erës së keqe të gojës

0
Shpërndaje

Përshtati në shqip: Kesilda Gjoka

Era e keqe e gojës, ose ndryshe halitoza, mund të jetë e sikletshme dhe në disa raste mund të shkaktojë dhe ankth. Nuk është  çudi që raftet e dyqaneve janë të mbushura me orbita, mente apo produkte të tjera që janë bërë për të luftuar erën e keqe të gojës. Megjithatë të gjitha këto produkte janë vetëm masa të përkohshme, pasi asnjëra nuk tregon shkakun e këtij problemi.

Shkaqe të cilat mund të sjellin aromën e pakëndshme të gojës janë disa lloje ushqimesh, gjendja shëndetësore por edhe zakonet e përditshme. Në shumë raste ju mund ta përmirësoni aromën e pakëndshme të gojës me higjienën e vazhdueshme dentare. Nëse teknikat tuaja të kujdesit nuk e zgjidhin, atëherë konsultohuni me një dentist që të siguroheni se asgjë serioze nuk e shkakton aromën e pakëndshme.

Simptomat dhe shkaqet

Ka lloje të ndryshme të erës së keqe të gojës, në varësi të shkakut. Disa shqetësohen tepër për aromën e tyre të gojës, edhe pse mund të kenë pak ose aspak erë të keqe, ndërkohë të tjerët nuk janë të vetëdijshëm.

Kur duhet të paraqiteni tek mjeku?                                                                

Nëse keni erë të keqe të gojës, rishikoni procesin tuaj të higjienës orale.  Përpiquni të bëni ndryshime në mënyrën e jetesës, për shembull, lani dhëmbët dhe gjuhën tuaj pas çdo vakti, përdorni fije dentare dhe pini shumë  ujë. Nëse akoma keni aromë të pakëndshëm të gojës suaj, atëherë kontrollohuni nga një dentist.

Shkaqet

Era e keqe e gojës ka shumë shkaqe të mundshme, ku përfshihen:

Ushqimi. Mbetja e grimcave të ushqimit në dhëmbë mund të rrisë mundësinë e zhvillimit të baktereve dhe të shkaktojnë një aromë të keqe në gojë. Konsumimi i  disa lloje ushqimesh siç janë: qepa, hudhra dhe ushqime pikante shkaktojnë aroma të pakëndshme në gojë. Pasi t’i përtypni këto ushqime, ato futen në sistemin e qarkullimit të gjakut, transportohen në mushkëri dhe kjo ndikon në aromën e gojës.

Produktet e duhanit. Duhanpirja shkakton erën e keqe të gojës. Duhanpirësit kanë më shumë gjasa të kenë sëmundjen e gingivës, një tjetër shkaktare e erës së keqe të gojës.

Higjienë e dobët orale. Nëse nuk lani apo pastroni dhëmbët çdo ditë, grimcat e ushqimit do të qëndrojnë në gojë, nga ku shkaktohet edhe era e keqe. Një baktere e pa ngjyrë të formohet në dhëmbë, nëse nuk e lani atëherë ajo mund të irritojë mishrat e dhëmbëve si dhe të krijoje hapësira mes mishrave të dhëmbëve, duke e bërë më të lehtë formimin e baktereve që sjellin aromën e pakëndshme.

Tharje të gojës. Pështyma ndihmon në pastrimin e gojës, pasi heq të gjithë grimcat e ushqimeve të cilat shkaktojnë aromën e keqe. Një gjendje e quajtur tharje e gojës ose xerostomia kontribuon në erën e keqe, duke qenë se është ulur prodhimi i pështymës. Tharja e gojës ndodh gjatë gjumit, prandaj shkaktohet edhe “aroma e keqe të mëngjesit”, që përkeqësohet edhe më shumë nëse flini me gojën hapur. Tharja e gojës në mënyrë kronike mund të shkaktohet edhe nga një problem me gjëndrat e pështymës.

Mjekimet. Disa mjekime mund të prodhojnë në mënyrë indirekte erë të keqe të gojës, duke kontribuar në tharjen e gojës. Disa mund të ndahen në organizëm dhe të shkaktojnë  kimikate të cilat mund të përcillen deri në frymë.

Infeksionet në gojë. Era e keqe mund të shkaktohet nga plagë kirurgjikale pas një operacioni oral, siç mund të jetë heqja e një dhëmballe ose si rezultat i prishjes së dhëmbëve, sëmundjeve të gingivës ose plagëve të gojës.

Sëmundjet e gojës, hundës dhe fytit. Era e keqe mund të shkaktohet nga gurët e vegjël që shkaktohen nga bajamet dhe janë të mbuluar nga bakteret që shkaktojnë erën e gojës. Infeksionet ose sëmundjet inflamatore të hundës, sinuseve ose të fytit të cilat kontribuojnë në kullimin e hundëve, mund të shkaktojnë edhe aromën e keqe në gojë.

Shkaqet e tjera. Sëmundjet, siç janë disa lloje kanceri dhe gjendja e sëmundjeve të metabolizmit, mund të shkaktojnë aromë të dallueshme për shkak të kimikateve që prodhojnë. Era e keqe e gojës te fëmijët mund të shkaktohet nga mishi i huaj në hundë.

Diagnoza

Dentisti mund t’ju dallojë erën e gojës dhe të frymës nga hunda dhe të vlerësojë shkallën e aromës. Duke qenë se pjesa e poshtme e gjuhës është burimi i aromës, dentisti mund ta dallojë edhe nga aty.

Ka detektorë të sofistikuar që mund të identifkojnë kimikatet përgjegjëse për erën e keqe të gojës, por nuk janë gjithmonë të disponueshme.

Trajtimi

Për të parandaluar aromën e pakëndshme, kavitetet dhe për të ulur rrezikun nga sëmundja e mishrave të dhëmbëve, praktikoni një higjienë të mirë orale. Trajtime të tjera për erën e keqe të gojës mund të  variojnë në bazë të shkakut.  Nëse halitoza mendohet të jetë për shkak të gjendjes shëndetësore, dentisti do t’ju referojë tek mjeku specialist. Nëse  vjen prej shëndetit oral, atëherë ai do t’ju ndihmojë si ta mbani në gjendje më të mirë. Mund të përfshihen masa dentare:

Shpërlarësit e gojës dhe pastat e dhëmbëve. Nëse aroma e pakëndshme është për shkak të formimit të baktereve në dhëmbë, atëherë dentisti mund t’ju rekomandojë një shpërlarës të gojës që vret bakteret, ose edhe një pastë për dhëmbë që është e mirë për këtë rast.

Trajtim të sëmundjeve dentare.  Nëse keni sëmundjen e mishrave të dhëmbëve, atëherë ju do rekomandoheni te një mjek specialist për mishrat e dhëmbëve (periodontist). Sëmundjet e mishrave të dhëmbëve shkaktojnë plagë apo hapësira që bëhen vendstrehim për bakteret. Ndonjëherë vetëm një profesionist mund t’i pastrojë nga këto baktere.

Përgatitja për vizitën tek dentisti

Nëse keni lënë një takim me dentistin për erën e pakëndshme të gojës, atëherë këto këshilla mund t’ju ndihmojnë: Mos vini parfum, locione ose buzëkuqe me aromë pasi produktet mund të fshehin aromën e gojës. Nëse merrni antibiotikë muajt e fundit, atëherë konsultohuni me dentistin për të parë nëse është e nevojshme riskedulimi i takimit.

Çfarë të prisni nga dentisti?

Dentisti mund të fillojë më një vlerësim të historikut mjekësor, duke ju pyetur si më poshtë :

  • Kur filluat ta ndieni për herë të parë erën e keqe të gojës?
  • Era e keqe e gojës është me raste apo e vazhdueshme?
  • Sa herë i lani dhëmbët?
  • Sa shpesh i pastroni dhëmbët?
  • Çfarë lloj ushqimesh preferoni më shumë?
  • Çfarë mjekimesh ose qetësuesish merrni?
  • Keni ndonjë problem shëndetësor?
  • Merrni frymë me gojë?
  • Gërhisni?
  • Keni alergji apo probleme me sinuset?
  • Çfarë mendoni se jua shkakton erën e keqe të gojës?
  • E kanë vënë re ose e kanë komentuar miqtë tuaj aromën e pakëndshme të gojës?

Jini gati për përgjigjen e këtyre pyetjeve që të shfrytëzoni sa më shumë nga takimi me dentistin.

Vetë menaxhimi – për të reduktuar ose parandaluar erën e keqe të gojës:

Lani dhëmbët pas çdo vakti. Mbani një furçë dhëmbësh në punë për ta përdorur pas çdo vakti. Lani dhëmbët më pastë me përmbajtje flurike të paktën dy herë në ditë, sidomos pas vakteve. Pastat e dhëmbëve me përbërjen antibakteriale ka treguar një ulje të aromës së pakëndshëm.

Pastroni të paktën një herë në ditë. Pastrimi i duhur bën të mundur heqjen e copëzave të ushqimeve nga dhëmbët tuaj, duke ndihmuar në kontrollimin e aromës.

Lani gjuhën.  Gjuha strehon baktere, prandaj është shumë e rëndësishme larja e saj, për të parandaluar  aromën e keqe të gojës. Njerëzit të cilët janë më të predispozuar nga formimi i baktereve, pasi pinë duhan apo kanë tharje të gojës, mund të përdorin furça dhëmbësh të cilat kanë  anën tjetër dedikuar  pastrimit të gjuhës.

Parandaloni tharjen e gojës. Shmangni duhanin dhe pini sa më shumë ujë dhe sa më pak kafe, pije të lehta apo alkool, pasi ato shkaktojnë tharjen e gojës. Mbani çamçakëz ose produkte me mente të cilat stimulojnë pështymën.

Rregulloni dietën ushqimore. Përpiquni që pasi të konsumoni ushqime si qepa dhe hudhra, të cilat shkaktojnë erën e keqe të gojës, të lani mirë dhëmbët. Edhe ushqimet e ëmbla shkaktojnë erë të keqe të gojës.

Ndërroni herë pas here furçën e dhëmbëve. Ndërroni furçën çdo 3-4 muaj dhe zgjidheni atë me dhëmbë të butë.

Mbani një program dentar për kontroll. Bëni kontrolle tek dentisti 2 herë në vit, për të pasur dhëmbë apo protezat të pastra dhe të ekzaminuara.

Burimi: Mayoclinic

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here