Hani i QSUT-së

Vizitat e reumatologjisë kryhen në ambientet e një bodrumi pa sistem ajrosje, ku i vetmi luks janë disa stola, të cilët sigurisht nuk i plotësojnë nevojat e të gjithë pacientëve

Denisa Canameti

Gjithmonë është folur për fluksin e madh të pacientëve që duhet të përballojë QSUT-ja. Mirëpo ky fluks kthehet në një problematikë tepër shqetësuese në momentin që qytetarët duhet të presin mbi 5 orë në radhë. Në pavionin e reumatologjisë situata është e tillë (shiko foton). Këtë panoramë e gjen çdo ditë nga QSUT Reumatologjiaora 8 e mëngjesit deri në orët e vona të padites. Jo rrallë pacientët largohen pa mbaruar punë, edhe pse kanë ardhur që në orët e para të mëngjesit nga Saranda, Korça, Elbasani, Pogradeci apo edhe nga qytete të tjera si Burreli, Kuksi, Tropoja etj. Qytete, largësia e të cilave nga kryeqyteti është e konsiderueshme.

Dokumente, rekomandime, receta, analiza apo grafi kanë mbushur dosjet e pacientëve ku shumë pak prej tyre kuptojnë se çfarë janë shkruar në to. Gjithçka bëhet edhe më e vështirë kur këto analiza duhen kryer në spitale private ose më saktë në klinikat private të vetë mjekëve. Të frikësuar që të flasin pasi dera e spitalit është kthyer në derën e dytë që duhet të hapin më shpesh i bën ata që të mos flasin dhe të mos ankohen me zë për atë gjendje të përditshme. Ardhja tek mjeku ua rëndon tepër xhepat, sepse, siç shprehen vetë, “10 mijë lekshin nuk e njohin më”.

Edhe vetë mjekëve nuk u pëlqejnë kushtet në të cilat punojnë çdo ditë me një intensitet vërtet të madh. Vizitat e reumatologjisë kryhen në ambientet e një bodrumi pa sistem ajrosje, ku i vetmi luks janë disa stola të cilët sigurisht nuk i plotësojnë nevojat e të gjithë pacientëve.

“Edhe librat kanë zënë myk”, shprehet njëri prej doktorëve që kryen konsulta në atë pavion.  Vetë pacientët shprehen të pakënaqur, por jo për shkak të kushteve. Sëmundjet e reumatizmës janë ndër sëmundjet më të shpeshta në popullatë dhe kjo, sipas pacientëve, i bëjnë mjekët që të abuzojnë sidomos nga ana financiare.

Megjithatë, janë edhe roja e derës me recepsionisten një problem më vete, një pengesë e cila mund të thyhet sigurisht me para.

“I kërkova rojes që të hyja brenda, as ai, as recepsionistja nuk më lanë. U thashë që do pres tek dera, derisa të vijë mjeku të më fusë vetë brenda, sepse ai më ka lënë konsultë, pasi është hera e tretë që vij nga Saranda brenda muajit.

“Recepsionistja më tha që mjeku ka ardhur, është brenda po bën konsulta, kështu që mos bëj debat tek dera kot. U detyrova u dhashë nga një “kafe” dhe hyra brenda. Kur erdha, e pashë që mjeku nuk kishte ardhur, ajo më kishte gënjyer vetëm për të më marrë lekët”.

Pacientët shoqërohen nga 2-3 familjarë të cilët duhet që të ndërrojnë “turnet” herë pas herë përpara derës së mjekut, sepse mungesa e ajrosjes, radha e gjatë, orët e gjata në pritje bëhen të papërballueshme.

Pacientët shprehen të revoltuar, sepse vulën e mban vetëm shefja e shërbimit dhe asnjë mjek tjetër. Pacientët ndihen të detyruar që të rrinë përpara asaj dere, sepse ndryshe nuk marrin dot letrat për kemp apo ilaçet për rimbursim.

Përveç kësaj, në bodrumin e reumatologjisë nuk gjen as  një tualet për të kryer nevojat personale. Në një ditë të vetme në pavionin e reumatologjisë mund të dëgjosh problematika pa fund, të cilat të lënë të mendosh thellë për progresin e premtuar në shëndetësi.

Veçanërisht korrupsioni mbetet një sfidë e të gjitha qeverive që do të jenë në pushtet. Jo në 300 ditë, por as në 1001 netë reflektimi dhe punimi nuk do të mjaftonin për të sistemuar kaosin e madh që ekziston në sistemin tonë shëndetësor.

Postime të ngjashme

Minutat e errësirës dhe paniku për jetën e pacientëve! KLSH zbulon faktin e rëndë, Trauma ka vetëm 1 gjenerator në punë dhe pa servis
U lëndua në sy gjatë protestës në Tiranë, Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Erjon Vishkullin
“Në Itali kanë çuar familja dhe miqtë, jo shteti”/ Rama i përgjigjet motrës së protestuesit: Iniciativën e mora unë, i kam uruar të shkuara para se të nisej
Çfarë ndodh me foshnjën nëse diabeti i shtatzënisë nuk mbahet nën kontroll
13 të lënduar pas protestës në Tiranë! Si paraqitet gjendja e të riut të goditur në sy
Diabeti në shtatzëni vazhdon edhe pas lindjes apo ndërpritet
Obeziteti gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës
Sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të mbahet nën kontroll