Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete HAP dhe TFL çelin panairin e ushqyerjes së shëndetshme në Dibër

HAP dhe TFL çelin panairin e ushqyerjes së shëndetshme në Dibër

0
Shpërndaje

Elena Beta

“Konsumoni sa më shumë nga ushqimet që përgatisni vetë, duke qëndruar sa më larg ushqimeve që vijnë nga importi!” Ky ishte mesazhi që dha dietologia Blerina Bombaj gjatë panaireve të organizuara nga shoqata “Together for Life” në kuadër të fushatës “Shkolla të Shëndetshme”.

Përgjatë muajit shkurt u zhvilluan 3 panaire në shkollat 9-vjeçare, “26 Korriku” Rukaj Brucc-Mat, “Ahmet Cami”  Gjoricë-Bulqizë,  “Idriz Kaba” Tomin-Peshkopi,  ku u reklamuan ushqimet bio që prodhohen në këto zona si dhe vlerat e kulinarisë të trashëguara prej shekujsh. Përveç nxënësve dhe stafit mësimor, në panair u përfshinë dhe prindër apo banorë të zonës, të cilët kishin përgatitur një mori ushqimesh bio të cilat i kultivojnë dhe i konsumojnë çdo ditë duke promovuar ushqyerjen e shëndetshme për brezin e ri.

“Fakti që shkolla jonë po përfshihet në një projekt të rëndësishëm dhe ne kemi mundësinë të tregojmë dhe të flasim për produktet tona, është një hap i rëndësishëm në mirëushqyerjen dhe rritjen e një brezi të shëndetshëm dhe të informuar”, u shpreh Fatos  Muka, drejtor i shkollës “Ahmet Cami”  Gjoricë -Bulqizë, gjatë fjalës të tij përshëndetëse në panairin e zhvilluar në kuadër të  projektit “Shëndet për të gjithë” (HAP), mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Dietologia Blerina Bombaj  shprehu vlerësim për vlerat e trashëguara në kulinari dhe përkushtimin e nxënësve në përgatitjen e ushqimeve bio të zonës.

“Jam e impresionuar nga gatimet e nënave dhe mësueseve, nga larmia dhe produktet tipike. E kënaqur pa fund nga njohuritë e fëmijëve mbi përgatitjen e recetave tradicionale. Një paraqitje e shkëlqyer e vlerave. Le t’i kthejmë sytë të gjithë nga toka dhe historia jonë”, u shpreh Bombaj, ndërkohë që vizitoi çdo tavolinë duke informuar të pranishmit lidhur me vlerat ushqyese që përmbante çdo produkt i servirur”.

Në panaire, krahas produkteve agro-ushqimore dhe gastronomisë së pasur, u evidentuan edhe vlerat folklorike dhe kulturore të zonës.

“Krahas sesioneve edukuese dhe informuese, edhe ky panair i zhvilluar ka qenë gjithëpërfshirës. Është hera e parë që në shkollën tonë realizohet një aktivitet kaq i madh dhe iu bëhet promovim ushqimeve të cilat ne i kultivojmë në fshatin tonë”, u shpreh Ladiola Salkurti, drejtore e shkollës Idriz Kaba, Tomin. Ajo theksoi faktin që janë përfshirë të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre për të vënë sa më shumë në pah vlerat ushqyese me të cilat duhet të rritet brezi i ri.

Aktivitetet i përshëndetën dhe specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik, të qyteteve respektove, të cilët u shprehën se përkushtimi i të gjithë aktorëve në promovimin e ushqimit bio ka qenë maksimal.

“Unë dua të falënderoj stafin pedagogjik të shkollës, të cilët janë angazhuar për të vazhduar këtë nismë dhe mendoj se kanë bërë një punë mjaft të mirë dhe cilësore në angazhimin e nxënësve dhe prindërve. Ne sigurisht do të vazhdojmë monitorimin për të parë se si do të shkojë ushqyerja e shëndetshme e këtyre nxënësve dhe si do të ndikojë në të ardhmen gjithë puna e kryer nga stafi i shoqatës “Together for Life”, u shpreh znj. Festa Mjeshtri, punonjëse e DSHP Bulqizë.

Kryefjala e këtyre aktiviteteve ishin vetë nxënësit, të cilët nxorën në pah vlerat e ushqimeve të cilat kultivohen në vendin e tyre.

Klevisi, nxënës i klasës VII në shkollën e Bulqizës, tregoi se ai dhe bashkëmoshatarët e tij janë me fat që kanë mundësinë të ushqehen më produkte të freskëta dhe të kontrolluara, edhe pse ndonjëherë nuk i vlerësojnë sa duhet dhe vrapojnë drejt ushqimeve të ambalazhuara, tërheqëse për syrin.

“Ushqim i shëndetshëm nuk do të thotë ushqim pa shije, por ushqim me shumë vlera për trupin tonë të cilat na ndihmojnë për të pasur organizëm të shëndetshëm. Nëse doni që me të vërtetë të kujdeseni për shëndetin tuaj, duhet të konsumoni sa më shumë fruta dhe perime, pra ushqime bio. Një rëndësi të madhe ka dhe fakti se si ne i konsumojmë këto ushqime bio dhe sasia që konsumojmë gjatë një vakti ushqimor. Ushqime të shëndetshme janë ato ushqime të cilat i kanë ruajtur përbërësit e tyre natyralë dhe nuk kanë përbërës të shtuar artificialë gjatë prodhimit, përpunimit apo tregtimit të tyre.  Unë dua t’iu bëj thirrje bashkëmoshatarëve të mi, jo vetëm në Bulqizë, por kudo në Shqipëri: Lini pas ushqimet e shpejta dhe konsumoni fruta dhe zarzavate, me siguri do të rriteni më të shëndetshëm dhe nuk do të vuani kurrë nga mbipesha”.

Në panaire morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve, të cilët shprehen vlerësim për nismën dhe punën e kryer për të nxjerrë në pah vlerat e vendit të tyre, si dhe për të ndryshuar mënyrën e të ushqyerit të brezit të ri./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here