Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
“Sporti veç të tjerash i ndihmon njerëzit të rrisin vetëvlerësimin, ndaj është pjesë e rëndësishme kur flitet për barazinë gjinore”. David Sounders, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri
“Nuk është e nevojshme që të jemi politikanë apo ambasadorë për të promovuar heqjen e barrierave sociale dhe kulturore”. Ambasadori (i ngarkuar) i Suedisë, Johan Ndisi
Data 6 prill është Dita Botërore e Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Për vetë rëndësinë që ajo mbart, kjo ditë u zgjodh nga shoqata “Together for Life” për të dhënë mesazhe në drejtim të barazisë gjinore, në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese të Solidaritetit për Barazinë Gjinore “He for She”, e iniciuar nga UN Women.
Në këtë aktivitet morën pjesë një numër i madh personalitetetesh nga fusha e sportit dhe e politikës, si dhe aktorët ndërkombëtarë, të cilët e konsideruan të rëndësishëm mesazhin që sporti mund të përcjellë.
Luiza Gega, kampione e atletikës, bëri thirrje për një mbështetje më të madhe të grave në fushën e sportit. Ajo vlerësoi mbështetjen e deritanishme nga djemtë dhe burrat, duke theksuar se barazia gjinore gjen zbatim edhe në sport.
Jon Vrenozi, djaloshi i cili është triumfues në kategorinë e xhudos, u shpreh shumë i emocionuar duke thënë se si djalë ndien nevojën për t’u dhënë mbështetje akoma më të madhe vajzave. “Unë gjithashtu jam HE FOR SHE”, tha Vrenozi.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, përshëndeti aktivitetin duke u shprehur se kjo është një nismë shumë e madhe, tepër e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Aktiviteti “He for She” sot na shërben për të na kujtuar edhe një herë angazhimin e ne djemve e burrave për mbështetjen dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. Aktivitete të tilla do të kenë përherë mbështetjen time, për të qenë një zë i fuqishëm në reduktimin gjithmonë e më shumë të izolimit dhe përjashtimit social të grave dhe vajzave”.
Ndërkohë, zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, tha se politika dhe veçanërisht ministria që ai përfaqëson, duhet të ketë gjithnjë në fokus sportet, si dhe duhet të inkurajojë përfshirjen e grave dhe vajzave në arritjen e potencialeve të tyre. Ai përmendi gjithashtu kampionët Luiza Gega dhe Jon Vrenozi si shembull i suksesit në këtë fushë.
Ambasadori (i ngarkuar) i Suedisë, Johan Ndisi, mes të tjerash u shpreh: “Nuk është e nevojshme që të jemi politikanë apo ambasadorë për të promovuar heqjen e barrierave sociale dhe kulturore dhe për t’u dhënë grave dhe vajzave të drejtën e përfaqësimit në çdo fushë, jo vetëm në fushën e sportit”. Ai falëndëroi organizimin e aktivitetit duke e cilësuar atë tepër të vlefshëm.
Nismën e përshëndeti edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Bezhani theksoi se duhen bërë përpjekje për aplikimin e këtyre nismave tek brezi i ri dhe të tregojmë me anë të demonstrimeve dhe aktiviteteve të ndryshme sportive se si respektohet dhe realizohet barazia gjinore.
Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, David Sounders, tha se “He for She” është një lëvizje solidare për barazinë gjinore. “Qëllimi i kësaj nisme është përfshirja e gruas në shoqëri, si dhe në vendimarrje. Është e rëndësishme që ato të kenë mbështetjen e burrave dhe djemve. Burrat dhe djemtë janë pjesë e problemit, ndaj edhe duhen parë si pjesë e zgjidhjes. Ata duhet të jenë pjesë e aksionit kundër diskriminimit të grave dhe vajzave dhe t’i mbështesin ato. Duke e lidhur nismën me sportin, mund të them se sporti veç të tjerash ndihmon njerëzit që të rrisin vetëvlerësimin, kështu ata mund të arrijnë edhe më shumë. Sounders falënderoi të gjithë ata që mbështetën fushatën “He for She”, “duke filluar që nga Suedia edhe korpuset diplomatike që ishin të pranishëm, gjithashtu edhe partnerët tanë “Together for Life” meritojnë një falënderim të madh për organizimin e sotëm”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ambasadori gjerman në Tiranë Hellmut Hoffmann, ambasadorja holandeze Dewi van de Weerd, kampionia e atletikës Klodiana Shala, gazetari i njohur sportiv Dëfrim Met’hasani etj.
Pas fjalës së të pranishme u organizuan një sërë demostrimesh nga shoqata “Kung Fu Albania”, ku performuan në çift djalë-vajzë shembuj vetëmbrojtjeje, përfaqësues të sportit të xhudos për fëmijë ku performuan gjithashtu vajzë-djalë, sportit të harkut, si dhe “Mountain Bike Albania”. Aktiviteti u mbyll me një marshim me biçikleta përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, si dhe me të pranishmit që iu bashkangjitën provave për sportin e harkut.
Fushata “He for She” është një fushatë ndërgjegjësimi për barazinë gjinore që synon të përfshijë edhe burrat dhe djemtë si agjentë të arritjes së kësaj barazie, duke i inkurajuar ata të veprojnë kundër pabarazisë me të cilët përballen sot në botë gratë dhe vajzat.














