Bisedoi: Denisa Canameti, gazeta Shëndet+ dhe Shëndeti Online
Në mjaft vende të zhvilluara vdekjet nga helmimet akute janë shkaku kryesor i vdekjeve pas vitit të parë të jetës. Gjatë vitit të parë mbidozimi i barnave ose dhënia e ndonjë lënde helmuese tek fëmijët mund të bëhet pa dashje nga prindërit ose fëmijët më të mëdhenj.
Artan Haruni, neuropediatër, shpjegon për lexuesit e gazetës “Shëndet+” se ndryshe nga të rriturit fëmijët janë të zbuluar ndaj disa faktorëve mjedisorë, si helmimet dhe trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes.
Helmimet ushqimore mund të hasen edhe në të rriturit, ndërsa ata nga lëndët kimike të marra aksidentalisht ndodhin kryesisht në fëmijë.
Doktor, përse fëmijët janë më të rrezikuar për t’u ekspozuar ndaj dëmeve të tilla, si helmet kimike?
Mosha fëminore është veçanërisht e zbuluar ndaj shumë faktorëve dëmtues të mjedisit. Veprimi i faktorëve të tillë, si: rrezatimet radioaktive, ndotjet e mjedisit nga pluhurat, mbeturinat e shumëllojta industriale etj., ndihet më shumë tek fëmijët për vetë mundësitë më të pakta mbrojtëse që ata kanë. Ndryshe nga të rriturit, fëmijët janë të zbuluar dhe ndaj disa faktorëve të tjerë mjedisorë, si: helmimet dhe trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes.
Helmimet ushqimore mund të hasen edhe në të rriturit, ndërsa ata nga lëndët kimike të marra aksidentalisht ndodhin kryesisht në fëmijë. Helmimet kimike janë nga marrja e barnave, të lëndëve industriale, bujqësore, shtëpiake etj.
Ndodhin zakonisht tek fëmijët e shkëputur, rrallë në kolektiva. Në trajtimin e tyre përfshihen një sërë faktorësh psikologjikë e shoqërorë. Një mjedis familjar i çrregullt, formimi i paktë i prindërve përsa i përket mundësisë së parandalimit të helmimit të fëmijëve, përdorimi pa kriter nga ana e tyre i barnave të ndryshëm e të paruajtur nga marrja prej fëmijëve, përdorimi gjithnjë e më shumë i lëndëve kimike me përdorim shtëpiak, kozmetik, përdorimi, sidomos në fshat i lëndëve të ndryshme kimike bujqësore, ka çuar në shtimin në një masë shqetësuese të helmimeve në moshë të vogël.
Sot mjekut që punon me fëmijë, qoftë pediatër ose jo, i takon të ketë dijenitë bazë mbi helmimet, të cilat në praktikën e përditshme përbëjnë një përqindje jo të vogël të urgjencave.
Cila është mosha më e prirur për t’u rrezikuar nga helmimet?
Mosha më e prekur është 1-5 vjeç, periudhë kjo në të cilën fëmija, ende i pandërgjegjësuar për rrezikun, merr dhe fut në gojë sende, lëngje etj., të cilat i gjen rastësisht. Në moshat 6-10 vjeç helmimet e rastësishme janë mjaft të rralla, ndodhin zakonisht në kolektiva fëmijësh, ndërsa në adoleshencë vend të rëndësishëm zënë orvatjet për vetëvrasje dhe shpërdorimet e alkoolit, drogës etj.
Cila është rruga e marrjes së këtyre helmeve?
Në 2/3 e rasteve rruga e marrjes është nga goja e më pak nga lëkura, sytë dhe ajo e frymëmarrjes.
Çfarë duhet bërë në momentin kur dyshohet se fëmija mund të jetë helmuar?
Problemi i parë që lind para mjekut pasi ka dyshuar për helmim, është gjetja e lëndës që e ka shkaktuar. Duhen bërë përpjekje të mëdha për të nxjerrë nga prindërit ose persona të tjerë që e rrethojnë, se çfarë ka marrë fëmija. Shpesh kjo është shumë e vështirë, e lidhur me nivelin kulturor të prindërve, nga organizimi i jetës në familje, njohjes së sendeve që përdoren, sistemimin e tyre brenda shtëpisë etj.
Në anamnezë duhet të këmbëngulet për kohën e marrjes së lëndës helmuese, mundësisht sasinë e marrë, kohëzgjatjen e kontaktit me helmin, shfaqjet e para klinike, të cilat si rregull fillojnë menjëherë te një fëmijë krejtësisht i shëndoshë, si dhe ndihma e dhënë. Zakonisht, helmimet janë akute me disa përjashtime ku helmimi si ai me plumb, do një kohë të gjatë të shfaqet.
Cilat janë shenjat e para që tregojnë se diçka nuk shkon me fëmijën, shenjat që tregojnë që fëmija mund të jetë helmuar?
Shenjat e para që tëheqin vëmendjen janë të vjellat, diarreja, ndjesia e një ere të veçantë, ndryshimet e papritura të sjelljes, të pasuara nga konvulsionet ose koma. Disa helmime kanë shenja karakteristike, por zakonisht shenjat janë të përgjithshme e që nuk ndihmojnë shumë në diagnozë.
Ku konsiston ekzaminimi klinik në këto raste?
Ekzaminimi klinik duhet të bëhet sa më shpejt për të dhënë mundësinë e fillimit të përshtatshëm në një kohë të shkurtër. Të bëhet vlerësimi i lëkurës, funksioni i aparatit të frymëmarrjes, atij kardiovaskular, digjestiv, diereza, ndryshimi i ngjyrës së urinës, shenjat nga sistemi nervor qendror, si: ndërgjegjja, tonusi i muskujve, drejtpeshimi, pupila, reflekset, temperatura etj.
Asnjëherë të mos jemi robër të laboratorit. Ai ka vlera të pakrahasueshme, por kostoja e shkurtër që kemi në dispozicion nuk na lejon pritjen e përgjigjes. Shpesh, përfundimi i kërkuar mund të mos jetë pozitiv, materiali për ekzaminim është marrë me nxitim ose është i pamjaftueshëm.
Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të merren materialet për ekzaminim toksikologjik për përcaktimin e lëndës së marrë dhe ekzaminimi klinik-biokimik, si drejtpeshimi acido-bazik, elektrolitet, glicemia, azotemia, funksioni i mëlçisë, EKG etj.
Parimet bazë të mjekimit të helmimeve:
- Pakësimi sa të jetë e mundur e sa më shpejt i përthithjes të helmit në zorrë.
- Shpejtimi i eliminimit të helmit
- Përdorimi i antidoteve, nëse ka
- Mjekimi i shenjave dhe ai mbajtës
- Pakësimi i përthithjes së helmit bëhet me:
– Zbrazjen e stomakut. Mundësisht të bëhet në 2 orët e para pas helmit, lëngjet thithen brenda 30 minutash, lëndët më të forta për 1-2 orë. Barbituratet dhe salicilatet mbeten më gjatë në stomak.
– Provokimin e të vjellave që bëhet në mënyrë mekanike ose me përdorimin e barnave, si: apomorfinë ose shurupi i ipekas. Kjo të përdoret në 30 minutat e para. Ipeka është me mjaft efekt në shkaktimin e të vjellave, nuk lejohet përdorimi i saj nën 6 muaj. Doza e këshilluar është 10 ml për moshën 6-12 muajsh, 15 ml për fëmijë 1-2 vjeç dhe 30 ml në fëmijë më të rritur, kundërndikim i plotë: marrja e lëndëve kaustike gërryese, hematemeza, gjendjet konvulsive, prekomë ose komë se ekziston mundësia e aspirimit. Kundërndikim jo i plotë është marrja e lëndëve viskoze me bazë nafte, fëmija nën 6 muaj që ka reflekse mbrojtëse të rrugëve të frymëmarrjes ende të paarrira, ku ekziston rreziku i aspirimit, etj.
– Larjen e stomakut, e cila ka përparësi se, veç zbrazjes, në të mund të futet antidoti. Bëhet si rregull me sondë nazogastrike. Përdoret zakonisht ujë fiziologjik. Tretësirat e tjera mund të japin mënjanime elektrolitike, si hipernatremi ose hipoklaçemi. Kundërindikohet në marrjet e lëndëve gërryese, konvulsione, komë, marrjen e hidrokarbureve, etj.
– Ngadalësimin e përthithjes me karbon bimor të aktivizuar, helmeve, ka sipërfaqe të madhe thithëse për ta, rreth 10 gram karbon lidh 1 gram helm. Helmi i lidhur me karbon nuk përthithet nga zorra. Karboni përdoret 0.5-1.0-2.0 g/kg, mesatarisht 10-30 gr për të vegjlit dhe 30-100 gr për fëmijët e rritur, i tretur në 100 ml ujë, dozë e cila mund të përsëritet.
Mund të përdoren edhe lëndë të tjera, të ashtuquajtura katartike si sorbitoli (max.1 g/kg), sulfati i magnezit (max.205 ml/kg), të cilat duhet të përdoren me kujdes në fëmijë të vegjël për mundësinë e dehidrimit dhe të çrregullimeve elektrolitike që mund të japin.
I sëmuri zhvishet, kontrollohet mirë lëkura dhe lahet me ujë të bollshëm e të vakët për të paktën 10 minuta. Lëndët fosforoorganike thithen shpejt nga poret e saj. Në rastet e helmeve të thithura i sëmuri nxiret në ajër të pastër ose oksigjenohet.
Antidotët
Antidotët janë lëndë të veçanta kundër një helmi të dhënë, të cilat mundësojnë çaktivizimin e tij. Në morinë e lëndëve që veprojnë si helme, shumë të pakta janë ato që kanë një antidot të vetin. Sipas rastit bëhet mjekimi i shenjave dhe ai mbajtës. Ai drejtohet në mbajtjen e funksionit kardiorespirator, luftën ndaj depresionit dhe komës, konvulsioneve, hipotensionit, edemës së trurit, mënjanimeve të drejtpeshimit acido-bazik, insuficencës renale, ethes së lartë etj.
Çfarë do të vlerësonit si zgjidhje në trajtimin në nivel të helmimeve në fëmijë?
Ndihmë e madhë në trajtimin në nivel të helmimeve në fëmijë do të ishte krijimi i një qendre kombëtare ku do të përmblidheshin të kompjuterizuara të gjitha lëndët e mundshme, si helme, me shërbim 24 orësh, me mundësi lidhjeje telefonike me të gjithë vendin, prej nga specialistë në toksikologji të jepnin brenda pak minutash të dhënat e nevojshme për lëndën dhe mjekimin, përfshi antidotin, nëse ekziston. Kostoja e kësaj qendre do të ishte tepër e vogël nëse marrim parasysh përfitimet, ndërkohë që personeli ekziston.


