Denisa Canameti
Medikamente ka! Është kjo bindja që ka Ministria e Shëndetësisë përballë çdo akuze që dëshmon të kundërtën: medikamente nuk ka!
Sot në pavionin e hematologjisë u takuam me një zonjë e cila na tregon me lot në sy për situatën e saj tejet të rënduar. Fati i keq i pacientes N.H që i duhet të bashkëjetojë me një sëmundje, e cila sa vjen e zë terren në trupin e saj duke triumfuar mbi organe të rëndësishme jetësore.
Diagnoza e saj është Limfomë Malinje Hodgkin, stadi IV (shiko foton). Kjo është një sëmundje e gjakut që mund të përfshijë nyjet limfatike, shpretkën, mëlçinë dhe palcën e kockave.
Përveç faktit që duhet të përballet me një sëmundje shumë të rëndë, ajo duhet të përballet edhe me mungesë të theksuar në ilaçe. “Para 4 ditësh bleva citozarin që më kushtoi 110 mijë lekë. Të them të drejtën mjekja në recetë më shkroi 2 g, por unë bleva vetëm 1 pasi nuk kisha mundësi financiare për më tepër. Duhet ta marr rregullisht këtë ilaç, por ngaqë s’kam mundësi e marr shumë rrallë, ndaj më shumë nuk bën efekt. Në fakt, kam 4 vite e gjysmë që vij e shtrohem në këtë pavion. Këtu të fryjnë me kortizon, se nuk kanë çfarë ilaçesh të tjera të të japin”, thotë ajo.
Medikamenti kryesor është MabThera. Të cilin ajo nuk ka arritur ta blejë, pasi, siç thotë, kushton mbi 1000 euro. Bashkëshorti i saj na tregon citozarin e blerë në farmaci dhe kur i kërkon faturën, nënqesh duke na treguar se për këtë medikament nuk ka marrë kurrë faturë. Në fakt, citozari blihet në farmaci dhe përveçse nuk jepet faturë, nuk ka as pullën e Ministrisë së Shëndetësisë, çka nënkupton që është futurë kontrabandë.
Pas 100 ditëve në krye të shëndetësisë kreu i saj u njoh me situatën reale të shëndetësisë dhe sëmundjeve problematike. “Përmirësimi i pajisjes së spitaleve tona me aparatura moderne për diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit është domosdoshmëri. Në vendin tonë po shihet një rritje reale, mjaft e shpejtë e kësaj patologjie, me rreth 50 % në 15 vitet e fundit dhe e pasuar edhe me rritje të vdekshmërisë” është shprehur ministri.
Sa i takon gjendjes si e gjeti qeveria e re shërbimin shëndetësor, situata me furnizimin me medikamente ishte në gjendje skandaloze, theksoi Beqaj dhe që sipas tij brenda 100 ditëve të para u bë furnizimi me medikamente.
Diagnostikimi i sëmundjeve sigurisht që është një hallkë shumë e rëndësishme ku duhet të investohet. Por, pas diagnostikimit lind nevoja për trajtim, për medikamente e duke përdorur fjalët e ministrit, në këtë aspekt, gjendja vazhdon të jetë skandaloze.
Situata është e njëjtë, zonja është vetëm një shembull që mjafton për t’i dhënë ministrisë një fotografi të situatës, me shpresën që ta studiojë e të vërë dorë mbi të.
Pavioni i hematologjisë vazhdon të jetë në ditët e veta të zeza!