Kryefaqja Vip-Shendet Herison Lamçe: Dashuria vjen nga stomaku

Herison Lamçe: Dashuria vjen nga stomaku

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elena Beta

I rritur me një pasion të veçantë për kuzhinën dhe gatimin, i apasionuar pas ëmbëlsirave ku dhe jep maksimumin e tij duke eksperimentuar me shije nga më të ndryshmet, Herison Lamçe rrëfen për gazetën “Shëndet +” të veçantat e profesionit të tij. Si lindi pasioni për të gatuar, sa mundësi i ofron Shqipëria të rinjve të apasionuar pas gatimit për t’u profesionalizuar në fushën e kulinarisë? Këto dhe detaje të tjera mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Herison, ti njihesh si një kuzhinier i talentuar dhe ke qenë shpesh pjesë e emisioneve të ndryshme ku ke ndarë pasionin tënd për gatimin me të gjithë publikun.  Për të gjithë ata që duan të dinë më shumë rreth teje, mund të rrëfesh një historik të shkurtër për veten?

Unë quhem Herison Lamçe, jam 22 vjeç. Kam kryer shkollën profesionale hoteleri-turizëm dhe shkollën 1-vjeçare “AGA Gastronomy”. Kam 7 vite që punoj si kuzhinier. Një ndër historitë më interesante është dalja e parë e imja në televizion së bashku me një ndër shefat më të famshëm në Shqipëri dhe jo vetëm , Sokol Prengën, ku bëmë disa ëmbëlsira të mrekullueshme për festat e fundvitit. Mund të them se ishte një emocion i veçantë për mua por edhe një eksperiencë shumë e bukur pasi  për mua ishin emocionet e para në televizion.

Si lindi pasioni për kuzhinën?

Gatimi ishte një pasion i imi që në vogëli, ku nisja të shikoja emisione kuzhine dhe gatuaja vetë në shtëpi.  Mbaj mend kur gatuante gjyshja ime dhe unë i qëndroja pranë dhe e ndihmoja.

Cili është specialiteti yt? Ëmbëlsirat apo gatimet e tjera?         

Ëmbëlsirat janë të preferuarat e mia, tek të cilat më pëlqen të fantazoj në dekor dhe të nxjerr shije të reja.

Tani ti punon në një restorant në Prishtinë. Ku ke gjetur më shumë hapësirë për të zhvilluar më tej pasionin tënd, në Tiranë apo në Prishtinë?

Në Kosovë ku kam gjetur dhe stilin e kuzhinës franceze gourmet që i kushtohet shumë rëndësi dekorit dhe cilësisë së ushqimit. Kosova i vlerëson më shumë djemtë e rinj që e kanë pasion kuzhinën dhe iu jep një mundësi më shumë në zhvillimin profesional. Sigurisht ky është mendimi im, por gjithmonë duke u nisur nga eksperienca ime personale. Për momentin në Kosovë po e zhvilloj pasionin tim dhe nuk besoj të lëviz, të paktën tani afër.

Sa ndikon ushqyerja e shëndetshme në mirëqenien fizike të njeriut?

Mund të them se 60% i zë ushqyerja dhe 40% ushtrimet fizike. Njerëzit shpesh nuk i kushtojnë rëndësi ushqimeve, por është gjëja më e rëndësishme dhe duhet të konsumojmë ushqime të kontrolluara.

Mish apo peshk? Çfarë do t’ju këshilloje të apasionuarve pas ushqyerjes së shëndetshme?

Nuk mundem t’i ndaj nga rëndësia që kanë në mirëfunksionimin e organizmit, prandaj do të thosha të dyja. Mishin e rekomandoj sepse është i pasur me proteina që janë shumë të nevojshme për organizmin e njeriut . Ndërsa peshku që është i pasur me vitaminën B, B6 që është shumë i rëndësishëm për asimilim e kalciumit dhe omega 3 që ndihmon për shëndetin e syve. Jua këshilloj t’i konsumoni të dyja, të kombinuara me perime të stinës të gatuara në tavë ose të ziera.

Cili do të ishte mëngjesi perfekt për të qëndruar të ngopur gjatë ditës si dhe për të marrë sa më pak kalori?

Mëngjesi perfekt dhe me më pak kalori do të ishte 1 vezë e zier, 1 gotë qumësht edhe 1 banane. Ky do të ishte mëngjesi më i mirë para se të dalim nga shtëpia për të nisur ditën e gjatë të punës. Jua këshilloj të gjithëve.

Ç’ mund të na thuash për eksperiencën tënde rreth kursit të kuzhinës pranë shef Renato Mekollit? Sa  ka ndikuar ajo eksperiencë në perfeksionimin e talentit tënd?

Normal që ka pasur dhe shef Renato një ndikim të madh tek mua. Ai përpiqej  gjithmonë të na jepte më të mirën e mundshme për të na përgatitur sa më mirë për këtë profesion. Sigurisht që  shumë duhet pasion , përkushtim dhe dashuri mbi të gjitha që të ecësh sa më shumë në këtë profesion.

Çdo profesion ka të mirat dhe të këqijat e veta. Po të qenët kuzhinier, si është me balancën mes të dyjave?

Është e vërtetë qe ka të mira dhe të këqija, por siç thashë dhe më parë, ky profesion kërkon pasion dhe dashuri dhe në qoftë se i ke këto të dyja, kuzhina ka vetëm të mira, e keqja nuk ekziston.

Ndonjë pasion tjetër përveç kuzhinës?

Pasion tjetër është dhe futbolli, sport të cilin e vazhdova për rreth 4 vite me grupmoshat e Flamurtarit dhe do të doja ta kisha vazhduar akoma, por në ato kohëra nuk kishte të ardhme dhe e lashë për një pasion tjetër që ishte kuzhina.

Sa i beson shprehjes së famshme “Dashuria vjen nga stomaku”?

I besoj plotësisht! Jam dakord që dashuria lind nga ndjenja që ke për personin e zemrës ose nga mënyra se si sillesh ose sa i përkushtohesh, megjithatë ku ka dashuri më të bukur se sa të jesh me personin që dashuron, në një darkë romantike duke shijuar një ushqim me plot shije ose një ëmbëlsirë. Ose fundja, ku ka me bukur se të gatuash vetë për atë që dashuron me plot dashuri dhe pasion.

Meqenëse përmende faktin se ëmbëlsirat janë specialiteti yt në kuzhinë, mund të ndash me lexuesit e gazetës “Shëndet+”, një recetë të thjeshtë e cila mund të përgatitet në shtëpi?

Petë sfoliat me krem pastiçerie dhe mjedër

Për recetën na duhen: 1 petë sfoliat, 1 litër qumësht, 1 bustin vanilje, 80 gramë miell, 6 kokrra vezë dhe mjedër.

Përgatitja : Për kremin ngrohim një litër qumësht në një tenxhere, ndërsa në një tas rrahim miellin me vezët mirë që mos të mbeten kokrriza, i shtojmë pak sheqer pluhur.  Ndërkohë qumështin e valuar e hedhim te tasi me masën e vezëve me miell, e trazojmë mirë dhe e kalojmë përsëri në tenxhere me flakë të ulët duke e trazuar derisa të lidhet. Më pas e hedhim në një enë dhe e lëmë të ftohet. Ndërkohë pjekim petën për 20 minuta dhe sipër vendosim një tavë ose diçka me pesë që peta mos të na fryhet. Petën e presim në format që duam dhe i mbushim me kremin e përgatitur, si dhe e zbukurojmë me mjedër.

Një mesazh për të rinjtë që kanë dëshirë të ndjekin të njëjtën rrugë si ti?

Kam parë shumë të rinj që vazhdojnë një kurs kuzhine duke u nisur nga pasioni apo edhe thjesht për një profesion.  Ata që e kanë sa për një zanat, bëjnë mirë që mos t’i futen këtij profesioni sepse do shumë përkushtim./ Shendeti.com.al

 

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here