Hetim administrativ mbi diskriminimin e fëmijëve të sëmurë me leucemi. TFL dhe KSHH vënë në lëvizje Komisionerin

Shoqatat Together for Life dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vlerësojnë vendimin e dhënë nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi lidhur me fëmijët që vuajnë nga sëmundja e Leucemisë.

Vendimi vjen pas kërkesës së bërë nga të dyja organizatat, në muajin gusht 2016, për të kryer një hetim administrativ ex-officio, mbi diskriminimin e fëmijëve të sëmurë për shkak të mungesës së barit L-Asparaginase në Pavionin e Onkohematologjisë në Shërbimin e Pediatrisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë (lexo këtu).

KShH dhe Together for Life” vunë në lëvizje Komisionerin në korrik të vitit 2016. Gjatë kësaj kohe u denoncua mungesa e ilaçeve që rrezikonte jetën e fëmijëve me Leucemi (lexo këtu), ndërkohë, nga ana e saj, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” deklaroi se kishte bërë përpjekjet për të blerë medikamentet por nuk ishte bërë e mundur për shkak të dështimit të procedurave të prokurimeve.

Në kërkesën drejtuar Komisionerit, të dyja organizatat argumentuan se, shkak i dështimit të  procedurave mund të ishte edhe sasia shumë e vogël e barit (flakonëve) që kërkoheshin me fondin limit prej 294,712 lekë (pa TVSH), shumë e cila konsiderohet e vogël për kompanitë që të përfshihen në procedurat e blerjes.

Në Vendimin nr. 196, dt. 29.12.2016, të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është arsyetuar se: “Drejtoria e QSUT-së që nga periudha e dështimit të disa procedurave të prokurimit për këtë bar ka qenë në dijeni se ky bar nuk ka qenë i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe përsëri nuk ka marrë masat për të vënë në dijeni Ministrinë e Shëndetësisë për këtë mungesë apo të merrte masa për sigurimin e këtij bari nëpërmjet donacioneve përpara se të shfaqej mungesa e këtij bari dhe të bëhej publik lajmi nga organizatat Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Together for Life…..Komisioneri vlerëson se Drejtoria e QSUT-së për vetë kohën e gjatë që ka pasur në dispozicion (periudha 2015 – 6.2016) duhet të kishte gjetur hapësirat institucionale dhe ligjore (ashtu siç siguroi furnizimin pas datës 14.09.2016) për t’u siguruar pacientëve fëmijë medikamentin në kohën e duhur.

Në përfundim, Komisioneri ka vlerësuar se, praktika e ndjekur nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, duke mos bërë të mundur vënien në dispozicion të fëmijëve të medikamenteve mjekësore përbën diskriminim të tërthortë të fëmijëve që vuajnë nga sëmundja e Leucemisë në Pavionin e Onkohematologjisë në Shërbimin e Pediatrisë, si dhe rekomandoi që kjo Qendër në të ardhmen të ketë në vëmendje sigurimin e medikamenteve mjekësore në kohë dhe sasinë e duhur.

KShH dhe Together for Life shpresojnë që ky precedent i Komisionerit t’u shërbejë institucioneve publike të shëndetësisë për të reflektuar pozitivisht, për të gjithë ata paciente që sot nuk marrin shërbimin e duhur shëndetësor nga këto institucione.

KShH falënderon Civil Rights Defenders për mbështetjen e ofruar për Klinikën Ligjore falas, në sajë të së cilës u mundësua kjo ndërhyrje pranë Komisionerit./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi