Eriola Çuko – Numri i personave të prekur nga hipertensioni është në rritje ndër vite, ndërkohë që shqetësuese mbetet prekja e moshave të reja, e lidhur kjo me mënyrën e jetesës, mungesën e aktivitetit fizik, stresin, etj. Ndërkohë, shumica dërrmuese e njerëzve të prekur nuk e dinë që janë me hipertension, ndaj dhe presioni i lartë arterial shpesh etiketohet dhe sëmundja e heshtur.
Nga ana tjetër, hipertensioni është dhe diagnoza me rimbursimin më të lartë nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Shqiptar. Kështu, të dhënat për vitin 2013, tregojnë se kjo sëmundje ka rimbursimin më të lartë me 1.295.240.077 lekë në periudhën janar-tetor, ndërsa numri i pacientëve të trajtuar është 236.304.
Por të dhënat e Studimit Demografik dhe Shëndetësor treguan se janë një në pesë femra apo 20 % e tyre dhe 28 % e meshkujve në Shqipëri të klasifikuar me hipertension të gradave të ndryshme. Rreth 40 % e femrave dhe 45 % e meshkujve në moshat 45-49 vjeç janë duke vuajtur nga hipertensioni, rezultoi nga studimi, sipas të cilit, hipertensioni është një problem serioz shëndetësor për grupmoshat më të moshuara në Shqipëri.
Por, nëse në botë gjysma e atyre personave që kanë tension të lartë gjaku janë të ndërgjegjshëm, në Shqipëri kjo shifër është shumë e vogël, sidomos për meshkujt.
“Për femrat, kemi një fat që ato i përdorin më shumë shërbimet për arsye të ndjekjes së shtatzanisë apo të fëmijëve, etj, pohojnë mjekët, duke vënë në dukje se në këtë kategori të fundit, ndërgjegjësimi është më i lartë”, thonë specialistët e shëndetit publik.
Rreth 7 milionë njerëz vdesin në botë dhe 1.5 miliardë vuajnë çdo vit për shkak të presionit të lartë arterial, bën të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Hipertensioni është sëmundje kronike që karakterizohet nga presioni i lartë arterial. Disa faktorë që të çojnë tek dyshimi që ke vlera të shtuara apo jo të presionit arterial. Obezët, konsumuesit e duhanit, personat me dietë të çekulilibruar të pasur me yndyrna, personat që bëjnë jetë sedentare kanë më shumë gjasa të kenë tendencë për presion të lartë të hipertensionit arterial. Hipertensioni, në shumicën e rasteve, nuk ka shenja shqetësuese për vite me radhë ose ato janë mjaft të pakta dhe të paqarta. Shenjat dhe shqetësimet mund të jenë dhimbje koke, dhimbje qafe, ndjenjë djegieje, skuqjeje dhe temperaturë në fytyrë, shtypje apo dhimbje gjoksi, nevojë dhe pamundësi për t’u mbushur më frymë, rrahje të shpeshta të zemrës, zhurmë në veshë, mungesë përqendrimi, hije para syve.


