Pleqëria është e vështirë për këdo, por barra e saj rëndohet akoma më shumë kur je e vetme dhe me sëmundje të rëndë. Një sprovë të tillë i ka sjellë jeta edhe Vangjelie Bardhit, gruas së vetmuar e cila prej disa javësh kalon ditë-netët në Pavionin e Onkologjikut pas një operacioni të vështirë. Gazeta Shëndet Plus sjell historine e Vangjelie Bardhit, 65-vjeçares që përballon moshën dhe sëmundjen në vetmi.
Gruaja nga Berati ka kaluar plot vuajtje në jetën e saj dhe në moshën 65 vjeçare konstatoi probleme me shëndetin. Pas një martese të pasuksesshme, e shoqëruar me lindje të pafat, dhe një punë 27-vjeçare në Kombinatin e Tekstileve, zonja Bardhi po kalonte vitet e pleqërisë në një apartament të thjeshtë në qytetin e Beratit. Pa motra apo vëllezërit pranë, me një pension 12 mijë lekë, asaj i është dashur gjithë këto vite që të grisë ditët me plot stërmundime. “Edhe kësaj radhe nuk pata fat”, – thotë Vangjelia, e cila para disa muajsh kishte shkuar në një klinikë private në Berat dhe pasi kishte bërë PAP TEST-in, mjekët e atjeshëm e kishin transferuar me urgjencë drejt Tiranës.
Sëmundja
“Kisha dhimbje therëse në fund të barkut dhe nuk e kuptoja se çfarë kisha”. Këto janë shenjat e para të gruas, e cila u konstatua me kancer në qafën e mitrës. E vejë prej të paktën 25 vitesh, me dy tentativa të dështuara për të pasur fëmijë gjatë kohës së martesës, i ka dhënë fund edhe jetës bashkëshortore, duke e marrë përsipër riskun. Ajo i thotë gazetës se nuk ka bërë kurrë një PAP TEST dhe vetëm kur janë shfaqur shenjat e para ka shkuar te mjeku. Por, çdo gjë ka qenë vonë për të venë. Jeta e vështirë, pa familje, sakrificat në punë dhe stresi e kanë lodhur me kalimin e viteve zonjën Bardhi. Deri kur mësoi se kishte sëmundjen e rëndë, për të cilën ka bërë një operacion në pavionin e Onkologjikut. “Jam e kënaqur me shërbimin mjekësor dhe ndihmën që japin infermierët, por jam e vetme dhe më duhet të kërkoj ndihmën e të afërmve të pacienteve që kam në dhomë”, – thotë 65-vjeçarja. Për të bërë rrezatimet atë e shoqërojnë herë një person e herë një tjetër. Me raste edhe punonjëset e shërbimit infermieror. Por, halli i Vangjelies mbetet sërish. Ajo nuk dorëzohet. Ka shpresa dhe reflekton energji. Por, kur të kthehet në apartamentin e vogël në Berat, do ti duhet ndihmë. Vitet kanë bërë të veten dhe gruaja ka vetëm dy vëllezër në një fshat larg qytetit. Pas operacionit çdo gjë është vështirësuar dhe ajo, si dhe shumë pacientë të tjerë kanë nevojë për ndihmë; sot më shumë se kurrë. Askush nuk i vjen në ndihmë, qoftë edhe për disa orë në qytetin e Beratit prandaj ky apel adresohet te donatorë që i kanë kushtuar vëmendje kujdesit paliativë. Vangjelie Bardhi nuk kërkon ndihmë por jeta dhe vuajtjet e saj flasin qartë dhe presin humanizëm.
Kujtesa
Vangelia ndan dhomën plot lagështirë dhe myk së bashku me katër pacientë të tjerë. Një grua është e moshës së saj dhe vjen nga Vora. Ndërsa tri gra të tjera janë të reja në moshë, nëna me disa fëmijë të cilat kanë të njëjtën patologji si edhe 65-vjeçarja. Vijnë nga zonat periferike të Shqipërisë; nga Fieri apo Berati. Nuk kanë kryer asnjë analizë dhe në një moment janë ndeshur përballë sëmundjes që kancerit të qafës së mitrës, e cila ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Asnjëra prej tyre nuk të thotë se ky ka gabuar, megjithëse e di se e ka neglizhuar shëndetin dhe tashmë kanë zënë krevatin pas operacioneve të kryera në Pavionin e Onkologjisë në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Asnjëra nuk e di se çdo të thotë PAP TEST. Asnjëra nuk ka kryer edhe një diagnostikim të thjeshtë para se t’i nënshtrohej operacionit. As Vangjelia, motra e së cilës ka humbur jetën para kohe nga një sëmundje thuajse e ngjashme. Edhe Vangjelia, edhe gratë e tjera kanë vuajtur në heshtje dhe sot po paguajnë neglizhencën. Ato kanë nevojë për ndihmë, por mbi të gjitha, historia dhe jeta e tyre, është një sinjal alarmi për të gjitha femrat në Shqipëri; është një tregues i pasojave; është klithma që vjen nga brenda se papërgjegjshmëritë ndaj shëndetit sot do të kenë pasoja fatale nesër.
Kujdesi paliativ, rastet që thërrasin për humanizëm
Të kesh një të sëmurë në familje, nuk është vetëm kostoja e rëndë e sëmundjes. Është shumë më tepër se kaq. Së paku, njëri prej pjesëtarëve do të duhet të jetë në shërbim të pacientit. Edhe nëse është në punë, duhet ta ndërpresë atë për të dhënë shërbim për gjërat e domosdoshme. Sëmundja sjell pasoja sociale të mëdha për një familje dhe në rastet me të ardhura të pakta apo të paqëndrueshme pasojat janë akoma më të rënda. Në të tilla raste, në Perëndim janë aplikuar praktika sa më humane për t’iu ardhur në ndihmë pacientit apo familjes së tij. Grupe vullnetare ofrojnë me orare të caktuara ndihma. Një tjetër praktikë është dhënia e asistencës apo mosndërprerja përfundimtare e marrëdhënieve të punës për familjarin që ofron shërbimin ndaj pacientit. Të gjitha këto, por edhe alternativa të tjera janë pjesë e detyrimit që shoqëria apo shteti do të duhet që të ketë ndaj pacientit apo ndaj familjes së tij. Të gjithë duhet të thërrasim humanizmin që të ndajmë përgjegjësitë me pacientët në nevojë. Kjo ka filluar të shfaqet si sjellje në raste të rrallë, por ata që kanë nevojë, si edhe Vangjelie Bardhi, duhet të marrin përkujdesjen dhe dashurinë e njerëzve normalë. Sot duhet të mendojmë ndryshe.
ME PAK KOMENT …..
Pesë gra, gjë të gjitha të operuara, kalojnë ditë-netët e vështira nga operacionet në një dhomë në katin e tretë të Pavionit Onkologjik, në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, nën praninë e frikshme të mykut dhe të lagështirës. Të gjithë pacientët apo vizitorët që ndalen për pak minuta në atë dhomë habiten, por ata që nuk e ndjejnë këtë janë drejtuesit apo personeli i shërbimit të këtij pavioni. Thuajse dy anët e murit janë veshur nga lagështira brejtëse dhe rrezikojnë seriozisht shëndetin e brishtë të këtyre grave që e dinë se çfarë pasojash mund të kenë, por që fatkeqësisht, nuk kanë kurajën që të flasin për kushtet skandaloze që kanë në dhomën e tyre. I vlerësojnë që të gjitha; përkushtimin e mjekëve, zellin e kirurgëve, punën e palodhur të infermierëve, por ato nuk kanë zë për të thënë se kjo dhomë ku ato kalojnë ditët hospitalizuese është vendi ku shteti dhe drejtuesit tregojnë dinjitet në raportin me pacientin.

