Kryefaqja Aktualitet Identifikimi i abuzimit dhe dhunës tek fëmijët

Identifikimi i abuzimit dhe dhunës tek fëmijët

0
Shpërndaje

Të kuptuarit e abuzimit është një çështje që përfshin disa profesionistë (prindër, mësues, psikologë, mjekë, etj) dhe shpesh herë kërkon kohë. Në shumicën e rasteve është shumë e vështirë që abuzimi të verifikohet dhe të vërtetohet. Veçanërisht i vështirë për t’u konstatuar është abuzimi emocional i fëmijëve edhe pse ai është po aq i dëmshëm sa çdo formë tjetër abuzimi. Abuzimi emocional dëmton në mënyrë serioze zhvillimin e fëmijës, vetëvlerësimin dhe vetëbesimin, imazhin pozitiv për veten, shkakton problem të ndërveprimit me bashkëmoshatarët, etj. Prindërit, mësuesit dhe kujdestarët duhet të tregohen të vëmendshme për të dalluar që në fillim shenjat që edhe pse nuk vërtetojnë që abuzimi po ndodh, paralajmërojnë për një situatë të mundshme abuzimi.

Sipas specialistëve, shenja të abuzimit mund të jenë:

  • enjtjet, fryrjet, të nxirat, thyerje të kockave apo djegiet në pjesë të ndryshme ndaj kur këto shenja janë të forta, të mëdha dhe të qendrueshme, duhet të dyshohet se fëmija mund të jetë i abuzuar fizikisht;
  • çrregullimet dhe shqetësimet fizike si ato në organet gjenitale, gjakrrjedhje, skuqje, acarim, infeksione të vazhdueshme të rrugëve urinare;
  • ndryshimet e menjëherëshme të humorit dhe problemet me gjumin. Fëmija i abuzuar apo i dhunuar ndryshon regjimin e tij të gjumit: nuk fle dot ose fle më shumë se zakonisht.
  • Problemet me ushqimin që nuk i ka demonstruar më parë. Fëmija ha më shumë (nuk ka të ngopur) ose më pak se zakonisht.
  • problemet në shkollë, të cilat mund të shfaqen në formën e problemeve me disiplinën, uljen e vëmendjes, rënien e menjëhershme në nota, humbje të pashpjegueshme të kujtesës, lodhje e vazhdueshme, apati /agresivitet i shtuar, paaftësi për të bërë shokë dhe shoqe.
  • problemet emocionale të tilla si, frikë nga errësira, ëndrra, makth, trauma në gjumë, frikë nga një person ose vend specific, izolim, depresion, ankth, tentativë për vetëvrasje, përdorimi i gjuhës / fjalorit seksual jo të përshtashëm për moshën, sjellje e tepruar seksuale me të tjerët, kontakte të papërshtashme seksuale me fëmijë të tjerë, sjellje vetëshkatërruese (përplasje e kokës, dëmtim i vetes, dëmtime në organet gjenitale).

Faktorët e rrezikut

Disa studime i lidhin faktorët e rrezikut me llojet specifike të dhunës. Kështu, edhe pse abuzimi seksual prek si vajzat ashtu edhe djemtë, të dhënat globale tregojnë se vajzat raportojnë nivele më të larta të marrëdhënieve seksuale me dhunë sesa djemtë në të gjitha mjediset. Ndërkohë, të dhënat globale tregojnë se meshkujt përbëjnë pjesën më të madhe të viktimave në moshën e fëmijërisë, ku në 10 viktima, 7 janë djem. Po ashtu, fëmijët me aftësi të kufizuara, atë që ndodhen në institucione kujdesi, apo të privuar nga liria janë më të cënueshëm nga të gjitha format e dhunës. Nivel i lartë dhune tek fëmijët vihet re edhe në kategoritë e atyre që jetojnë në varfëri ekstreme, që janë të braktisur ose të ndarë nga familja; emigrantët, imigrantët, refugjatët, azilkërkuesit; fëmijët me HIV, që u përkasin grupeve të margjinalizuara shoqërore ose etnike, që jetojnë me disavantazhe të tjera sociale dhe ekonomike.

Lidhjet midis faktorëve të rrezikut dhe dhunës janë shpesh komplekse, megjithatë mund të ndryshonjë sipas llojit të dhunës, apo gjinisë dhe moshës së viktimës. Sipas studimeve të fundit vlerësohet se faktorët e rrezikut nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë me karakteristikat individuale të viktimave dhe autorëve, por më shumë me mjedisin social, ekonomik, ligjor dhe institucional në të cilat jetojnë fëmijë dhe adoleshentë.

Po ashtu normat shoqërore në lidhje me barazinë gjinore dhe nivelin e pranueshmërisë së dhunës dhe diskriminimit konsiderohen faktorë me nivel të lartë rreziku, pasi në një shoqëri ku nuk pranohet barazia gjinore dhe dhuna konsiderohet si normalitet fëmijët dhe veçanërisht vajzat janë shumë të rrezikuara nga dhuna në të gjitha ambientet dhe në çdo moshë.

Faktorë të rëndësishëm makro që ndikojnë drejtëpërdrejtë në nivelin e përhapjes së dhunës ndaj fëmijëve janë situatat politike, ekonomike dhe sociale të një vendi, përfshirë këtu konfliktet e armatosura, katastrofat natyrore; niveli i lartë i pabarazisë strukturore dhe diskriminimit.

Një listë joshteruese e faktorëve të rrezikut që ndikojnë në nivelin e dhunës ndaj fëmijëve vijon më poshtë:

  • Niveli individual: aspektet biologjike dhe personale si seksi dhe mosha, niveli i ulët arsimor, të ardhura e ulta, paaftësi ose probleme të shëndetit mendor, të qenit lezbike, gay, biseksual apo transgjinor, përdorimi i alkoolit dhe ilaçeve një histori e ekspozimit ndaj dhunës;
  • Niveli i marrëdhënieve të ngushta: mungesa e lidhjes emocionale midis fëmijëve dhe prindërve/ kujdestarëve, praktikat e dobëta të prindërimit, mosfunksionimi dhe ndarja familjare, duke u shoqëruar me bashkëmoshatarët delikuentë, duke dëshmuar dhunë midis prindërve/ kujdestarëve, martesë e hershme ose e detyruar;
  • Niveli i komunitetit: varfëri, dendësi e lartë e popullsisë, kohezion i ulët shoqëror, popullsi kalimtare, qasje e lehtë në alkool dhe armë zjarri, përqendrime të larta të bandave dhe tregtimit të paligjshëm të drogës;
  • Niveli i shoqërisë: normat shoqërore dhe gjinore që krijojnë një klimë në të cilën dhuna normalizohet, politikat shëndetësore, ekonomike, arsimore dhe sociale që ruajnë pabarazitë ekonomike, gjinore dhe sociale, mbrojtje sociale e munguar/ e pamjaftueshme, situatat pas konfliktit ose katastrofa natyrore, vendosje me qeverisje të dobët dhe zbatim të dobët të ligjit.

*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here