Bisedoi: Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online
Presidenti i Urdhrit të Infermierit në Shqipëri, Sabri Skënderi, në një intervistë për gazetën “Shëndet+” tregon se tregu shqiptar është i mbingopur me infermierë të licencuar. Mirëpo, fenomeni i vënë re është se kërkesën për të ikur e kanë infermierët që punojnë, që kanë përvojë pune.
“Tregu i punës në shëndetësi është i mbingopur. Janë rreth 2500 infermierë të licencuar, të aftë për punë, por pa mundësi punësimi”.
“Urdhri i Infermierit të Shqipërisë nuk bën politika që infermierët të ikin në Gjermani, sepse kërkon që të rritet standardi në Shqipëri. Aktualisht kemi 2500 infermierë të papunësuar, të aftë për punë, të licencuar, por pa gjetur dot treg punësimi në Shqipëri. Duke pasur këtë numër kaq të lartë, është e favorshme që ne të ndihmojmë për t’u punësuar në vendet e Evropës. Nevojë ka Gjermania, Italia, Anglia. Nevojë kanë dhe Amerika, Kanadaja.
“Gjermania ka vënë një kriter, që duhet të kesh edhe përvojë pune. Të kesh gjuhën gjermane dhe të paktën dy vite punë. Ikën 10 infermierët e parë. Kam shkuar dhe unë për të parë institucionet. Çfarë ndodhi? Ikën infermierë me eksperiencë pune. Na ikën nga Erseka 5 infermierë me përvojë pune. Infermierët më të mirë, më të vjetrit. Që nga kryeinfermieri i spitalit, edhe 5 të tjerë. Në Ersekë po iu japim leje ndihmësinfermierëve, po ulim standardin, se nuk shkon njeri.
“Problemi është se nuk duan të rinjtë që janë pa përvojë, por kërkojnë infermierë me minimalisht 2 vite përvojë pune. Kjo ka nxitur edhe interesin e infermierëve të vjetër që janë në punë”.
Lidhur me arsyet e largimit Skënderi rendit disa. “Arsyet e largimit janë të shumta. Paga disafish më e lartë. Kushtet e punës. Të punosh infermier në një qendër kujdesi, kushtet e punës janë shumë më të mira se në institucionet tona”, thotë Sabri Skënderi, Presidenti i Urdhrit të Infermierit për Shqipërinë.
Shqipëria ka kurrikula që penalizojnë infermierët në tregun evropian
Veç njohjes së nivelit B1 të gjuhës gjermane, Gjermania ka si kërkesë edhe përvojën e punës. Megjithatë, edhe nëse të dyja këto kritere plotësohen, infermierët nuk kanë të drejtë të marrin statusin infermier. Kjo, sipas Skënderajt, për shkak të kurrikulave të dobta.
“Ne kemi difekte në standarde. Duhet të standardizojmë programet. Duhet të punojmë që diploma jonë të njihet. Që të njihet, duhet që gjithë kurrikula të jetë e barabartë me të tyren. Që orët e praktikës dhe orët e teorisë të jenë të kombinuara.
“Ka një defekt kurrikula shqiptare, sepse ka më pak orë praktike nga standardi evropian. Ata e quajnë profesion praktik dhe duhet që të kenë më tepër praktikë.
“As Gjermania nuk i pranon direkt si infermier. I mban si ndihmës një periudhë kohe, pastaj i teston. Pra, ne duhet që të jemi më seriozë në kurrikula”.
“Nga viti 2015 e deri më sot mund të kenë lëvizur rreth 100 infermierë shqiptar. Tregu i punës në shëndetësi është i ngopur. Dhe sot për sot nuk ka perspektivë për të hapur vende të reja”, përmbyll Skënderaj.

