Futja e ilaçeve të ndryshme kontrabandë, xhiroja e të cilave shkon deri në 5 milioë euro në vit, si edhe shitja e tyre pa recetën e mjekut kanë bërë që të nisë një kontroll i imtësishëm i farmacive në të gjithë vendin.
Një task-forcë e ngritur, ka nisur aksionin në kryeqytet, ku më shume se gjysma e farmacive të kontrolluara deri me tani kanë dalë me shkelje.
Futja e barnave me çanta si dhënia e tyre pa recetën e mjekut, nga farmacistët duket se ka qenë shkaku i ngritjes së një task forcë për të kaluar në sitë të gjitha farmacitë në vend.
Për herë të parë në këtë task forcë përveç specialisteve të agjencisë së barnave, Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror dhe Ministrisë së Shëndetësisë janë përfshirë edhe specialistë nga Urdhri i Farmacistëve, i cili i jep licencën një farmacisti në vend.
Në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se vetëm në ditët e para të kësaj task force janë kontrolluar 21 subjekte farmaceutike nga të cilat 12 janë konstatuar me shkelje dhe janë ndëshkuar me gjobë në vlerën 1 milionë e 500 mijë lekë.
Në disa prej tyre janë gjetur medikament pa pullë e disa të tjera nuk respektonin kushtet e ruajtjes së barnave. Por nuk kanë munguar edhe shitje të medikamenteve pa recetën e mjekut. Kjo taskë forcë pritet të funksionojë deri në mesin e muajit nëntor.

