Kryefaqja Aktualitet Ilir Beqja: Nuk tërhiqem nga testimi i mjekëve, në shkurt nis procesi

Ilir Beqja: Nuk tërhiqem nga testimi i mjekëve, në shkurt nis procesi

0
Shpërndaje

Ola Mitre

Bluzat e bardha e kanë cilësuar si denigrim të figurës së tyre nismën e fundit për testim nga Ministria e Shëndetësisë. Madje ditët e fundit bluzat e bardha janë përfshirë edhe në një valë protestash kundra Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj edhe pse ky i fundit thekson se është i vendosur për të testuar mjekët.

beqe 1Beqaj, pas lançimit të nismës së MSH për testimin kombëtar të mjekëve dhe infermierëve, ka pasur shumë zëra kundër (Urdhri i Mjekut, sindikatat e shëndetësisë), ndërsa deputetë të ndryshëm të PD, PS dhe LSI kërkuan tërheqjen nga kjo nismë. A ka ndryshuar qëndrimi i ministrisë?

Jo. Ne vazhdojmë të kemi po atë pozicion që kemi bërë publik. E kemi komunikuar edhe në seancën dëgjimore në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë dhe po punojmë për ta përgatitur konkretisht atë. Sigurisht që në këtë rast unë po evidentoj dy momente që i çmoj të rëndësishme, sidomos në komunikim me mjekët dhe infermierët. Ne besojmë se nga ky proces figura e tyre do të lartësohet, dinjiteti i tyre do rritet, ndryshe nga ç’thonë disa prej tyre. Nuk bëhet për të larguar mjekë apo infermierë nga puna dhe sidomos në rastin e mjekëve: neve na mungojnë mjekët në Shqipëri, kështu që, edhe sikur të kishim ndonjë ide të marrë për të hequr mjekë, ne s’kemi ku t’i gjejmë të tjerët. Por ne besojmë se, edhe për faktin që ka përfunduar cikli i parë i edukimit në vazhdim, që do të thotë se është momenti i vlerësimit të këtij 5-vjeçari dhe jo thjesht sasior. Sigurisht, në fund të këtij procesi mjekët kanë pasur detyrimin të mbledhin 150 kredite: kush i ka mbledhur shumë mirë, kush s’i ka mbledhur deri në një moment të caktuar do të ketë një periudhë të dytë që do t’i lihet në dispozicion, ndërsa kush rezulton me 0 kredite do të duhet t’i nënshtrohet provimit të shtetit. Por, se sa efektiv ka qenë ky proces edhe nga ana cilësore, na duhet një arsyetim edhe për të programuar ciklin e dytë, që do jetë ‘x’ vjet, që do të ketë ‘a’ kredite, që do plotësohen në ‘x’ lloje aktivitetesh, si dhe nëse do të ketë të përfshirë elementë të ndërsjellë të vlerësimit, sepse unë kam konstatuar që në 6 muajt e fundit ka pasur një rendje shumë të madhe për të marrë kredite. Me këtë dua të them që procesi i testimit nuk i kundërvihet procesit të edukimit të vazhdim, por e plotëson atë.
Duke qenë se u përfol përbaltja e figurës së mjekut, ka pasur disa kërkesa që testimi të bëhet në mënyrë anonime ose me një kampion të veçantë. A janë pranuar këto kërkesa?
Së pari, duhet të them që nuk do të ketë vetëm një test, sepse do të na duhet të testojmë sipas çdo specialiteti, që do të thotë, pediatrit do testohen për pediatri, kardiologët për kardiologji e kështu me radhë. Së dyti, ne besojmë se për të vlerësuar efektivitetin e edukimit në vazhdim, na duhet dhe identiteti i mjekut, por nga ky proces nuk do thuhet: e more apo nuk e more testin. Nuk është ky qëllimi; qëllimi është të evidentojmë çfarë mangësish ka në njohuritë e tyre, në mënyrë që të ndërtojmë një program konkret, edhe me përdorimin e parave publike, sesi t’i plotësojmë këto boshllëqe në njohuri.
Pra, testimi do të bëhet nominal dhe jo me kampion…
Po, dhe ndërkohë duhet të kemi parasysh që njohuritë mjekësore, të marra në shkollën e lartë, nëse vlenin në vitet ’60 për pjesën profesionale, tashmë duhen rifreskuar. Ndërkohë që, ne duam ta bëjmë testimin edhe për infermierët, sepse po punojmë të bëjmë një platformë për kategorizimin e profesionit të tyre dhe sigurisht që edhe te ata, testimi do të jetë i shënjestruar sipas llojit të punës që bëjnë. Me mjekët do e fillojmë me ata të familjes, ku do përqendrohemi te ato grup sëmundjesh që kanë impakt më të madh në sëmundshmëri (kardiovaskulare, diabeti, tumorale dhe SPOK-u), dhe gjithashtu te shëndeti mendor dhe te shëndeti i nënës e fëmijës. Ndërkohë që, për infermierët do të duhet të testojmë dhe njohuritë që kanë në mënyrën e komunikimit, me informacionin e sistemit shëndetësor dhe me probleme që lidhen me marrëdhëniet që krijohen në qendrat shëndetësore, ku ne praktikisht po hyjmë në fazën e dhënies së një roli krejt të ri. Në programin e kontrollit bazë pa pagesë, mjekët dhe infermierët në QSH marrin një rol krejt të ri. E kemi bërë hapin e parë që me futjen e kartës së shëndetit, pasi kemi zvogëluar kohën që ata përdorin për procedura burokratike. Po punojmë që një pjesë të mirë të recetave për të sëmurët kronikë t’i kalojmë nga të përmuajshme në deri tremujore, dhe kjo lehtëson dhe punën e mjekëve, në mënyrë që të jepet shërbim shëndetësormë i mirë.
Sindikatat e shëndetësisë dhe mjekë të ndryshëm kanë lajmëruar protesta për të kundërshtuar testimin dhe kanë kërcënuar me paralizim të sistemit shëndetësor. Ndërkohë që, ditën e premte u zhvilluan dhe protestat e para në QSUT dhe Spitalin e Gjirokastrës. Cila është përgjigjja juaj?
Dua t’u them se, nëse nga njëra anë thonë se veprimi i ministrisë nuk ka bazë ligjore, e kam për detyrë t’u kujtoj që edhe ata e kanë për detyrë të zbatojnë ligjin: qoftë çfarë buron nga ligji i grevave, qoftë çfarë buron nga Kodi i Punës. Të paktën ajo çfarë u zhvillua të premten është një proces që nuk përputhet me këto dy ligje. Në radhë të parë ka forma sesi arrihet deri te greva, ka forma sesi një sindikatë e shpall (ligji thotë se, para se të shkohet te greva duhen bërë diskutime), por sidomos ka dhe një rast të veçantë: shërbimet e Urgjencës mjekësore nuk mund të bëjnë dot grevë. Me këto nuk dua t’u them mjekëve që të mos protestojnë, s’dua t’i pengoj të shprehin lirshëm çfarë mendojnë për punën e tyre, për specialitetin e tyre, për vështirësitë me të cilat ndeshen çdo ditë, të cilat unë i di. Megjithatë, besoj se kemi bërë përpjekje jo të pakta që të ketë në spitale një furnizimin shumë të mirë me barna, me materiale mjekësore, një funksionim shumë më të mirë të vijueshëm të pajisjeve diagnostikuese imazherike dhe laboratorike, që pa dyshim i ndihmojnë ata t’i shprehin shumë më mirë njohuritë që kanë, të kenë siguri kur japin një diagnozë, por pa dyshim unë jam përgjegjës edhe për cilësinë e kujdesit shëndetësor ndaj qytetarëve. Nëse ne po shtojmë fondet në shëndetësi, nëse ne hoqëm TVSH-në e barnave, paratë që u kursyen ngelën po në shëndetësi. Nëse kemi pajisje të reja, besoj se duhet të investojmë edhe në burimet njerëzore, dhe unë e pranoj që një mjek apo infermier, në buxhetin e tij familjar nuk mund të investojë për formimin e tij profesional dhe sigurisht neve na duhet të alokojmë para për këtë punë. Por, që t’i japim në mënyrë më të shënjestruar, na duhet ta dimë se ku janë mangësitë. Në gjithë këto vite, jo se kanë munguar trajnimet që janë bërë, por nuk ka pasur vlerësim të plotë të efektivitetit të tyre. Evidentimi i njohurive të tyre duhet të përfundojë brenda tetorit, në mënyrë që të bëhet buxheti për vitin e ardhshëm.
Do ketë penalizime për mjekët dhe infermierët që refuzojnë të futen në testim?
Unë po e përsëris që, qëllimi i testimit nuk është penalizimi. Për sa kohë nuk është penalizimi, atëherë s’kanë pse të mos futen.
Megjithatë ka një grup mjekësh ‘rezistentë’, që pavarësisht kësaj refuzojnë të futen në testim…

Qëllimi s’është penalizimi, por është një proces që lidhet me vendin e tyre të punës. Vlerësimi i punës së mjekut, infermierit, është edhe vlerësimi i njohurive që ne kemi zgjedhur. Unë besoj se pas një komunikimi që kemi filluar me shërbimet e QSUT-së, pas një bashkëpunimi që kemi programuar, të fillojmë me shoqatat e mjekëve dhe me mbështetjen e OBSH-së si dhe përfshirjen e Urdhrit të Mjekut dhe Infermierit. Ky do jetë një proces që do ndërtohet në mënyrë të tillë që do pakësohet shumë numri i atyre që deri më sot e refuzojnë apriori. Ndërkohë që, ne kemi marrë edhe shënim propozimet e Komisionit të Shëndetësisë, kemi një korrespondencë me Avokatin e Popullit, por edhe çfarë na ka thënë OBSH-ja, dy janë momentet kryesore: e para, procesi do jetë me bazë ligjore në gjithë hallkat e tij, dhe së dyti, duhet që procesi të jetë sa më gjithëpërfshirës. Këta dy elementë jemi të vendosur t’i realizojmë.

Po për atë pjesë të vogël të mjekëve apo infermierëve që do refuzojnë?
Unë besoj se është një moment për të cilin duhet të flasim kur të konkretizohet.


Testimi, do të fillojë brenda shkurtit?
Po, do të fillojë brenda shkurtit, ashtu siç është programuar.

Po për ata mjekë që pretendojnë se nuk ka kush t’i testojë, pasi janë shumë të zotë në profesionin e tyre?

Nëse është kështu, atëherë ata s’kanë pse t’i druhen testimit, por përkundrazi, duhet të jenë të parët që t’i thonë ‘Po’ këtij procesi.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here