Kryefaqja Vip-Shendet Ilir Topi: Drejt lexuesit…

Ilir Topi: Drejt lexuesit…

0
Shpërndaje

Bisedoi: Kesilda Gjoka

“Ka tre rregulla për të shkruar një roman. Për fat të keq, askush nuk i di!”– Maugham.

Ndoshta sepse nuk mund të ketë asnjë rregull që përkufizon apo përshkruan frymëzimin, idetë, ndjenjat, mendimet, mënyrën krejt individuale e personale të të shprehurit. Ankohemi sot, ndoshta paragjykojmë, se letërsia ka mbetur në status quo dhe se numërohen me gishtat e njërës dorë, përpjekjet që të çojnë kah libri e leximi.

E vërteta është se letërsisë do t’i ndrijë gjithmonë ylli i saj në qiellin e madh të krijimtarisë, sa kohë që brezat e rinj do të vazhdojnë të guxojnë të ofrojnë në duart e lexuesve vepra të cilat në këtë kohë apo në një tjetër do të shkruajnë historinë e letërsisë.

A keni dëgjuar për librin “Në valët AM”? Me siguri jo, sigurisht me përjashtim të miqve të afërt të autorit Ilir Topi. Iliri është mjek. Vjen nga një familje mjekësh. Por, përtej profesionit nuk i ka refuzuar vetes të drejtën për t’u marrë me pasionin e tij: të shkruarit! Këtë pasion ai e ka kurorëzuar me librin “Në valët AM”. Ndonëse nuk e ka reklamuar siç duhet, premton që nuk do të jetë kështu me librin e dytë, të cilin ka në plan ta botojë së shpejti, pasi mendon se ka ardhur koha që njerëzit ta njohin si shkrimtar.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet Plus”, Iliri flet për lidhjen mes mjekësisë dhe shkrimit, pasionit për shkrimin dhe aspiratat në të ardhmen si shkrimtar, pse jo i lexuar dhe i dashur nga të gjithë.

Ilir, ju jeni djali i një pediatre, një doktori të dashur nga të gjithë, keni ndjekur studimet po për mjekësi… Dëshirë e juaja apo një shtysë nga prindërit?

Madje edhe vëllai i madh është okulist. Ndaj, siç e shihni, nuk kisha ku të shkoja (qesh). Nuk ishte një zgjedhje e imponuar, por normalisht që i vogël jam rritur me telefonatat e njerëzve që donin të zgjidhnin hallet shëndetësore nëpërmjet babait, apo me fëmijët që na vinin në shtëpi për t’u vizituar nga mamaja pediatre. Pra, familja ime ka qenë gjithmonë në shërbim të njerëzve të thjeshtë dhe kjo ka ndikuar mjaft në mënyrën se si e shoh botën dhe njerëzit, dhe po kështu edhe mjekësinë, të cilën e kam parë si një profesion fisnik. Gjithsesi, të punoja në një repart, i mbyllur mes 4 mureve, nuk ka qenë asnjëherë ëndrra ime. Por po merrem me një fushë të veçantë të mjekësisë, që edhe këtë e kam traditë familjare. Edukimi i njerëzve për të parandaluar sëmundjen më ka bërë të jem afër tyre kudo që ata janë, deri në fshatrat më të thellë të Shqipërisë. Ndërkohë tani kam hapur edhe kanalin në YouTube, ku postoj video të animuara, krijuar nga unë, të cilat japin informacione të ndryshme rreth jetesës së shëndetshme. Pra një kombinim mes artit dhe shkencës në mënyrë që mesazhet të përçohen sa më thjeshtë edhe bukur.

Pse keni zgjedhur të punoni në fushën e promocionit shëndetësor?

Ka shumë faktorë që ndikojnë mbi shëndetin tonë dhe promovimi shëndetësor i merr në konsideratë të gjithë. Jam i bindur që shumica e lexuesve mendojnë se do të mjaftonte që një ditë të bukur Shqipëria të mbushej kudo me klinika apo me spitale moderne e cilësore, dhe hallet e tyre shëndetësore do të merrnin fund, por kjo nuk mjafton. Cilësia e ajrit që thithim, e ujit që pimë apo ushqimeve që hamë, ndikojnë drejtpërdrejtë mbi shëndetin tonë. Po kaq rëndësi kanë edhe zgjedhjet tona: për shembull, a pimë apo jo duhan, a jemi fizikisht aktivë apo a ushqehemi shëndetshëm. Këto zgjedhje janë shumë të lidhura me informacionin që kemi, me kushtet ekonomike apo me zonën ku jetojmë. Sa më të vetëdijshëm të jemi mbi rreziqet që kanë sjellje të caktuara, aq më shumë mund t’i parandalojmë dhe të kurojmë në kohë sëmundje, që të lëna pas dore kthehen në vdekjeprurëse. Pra, asgjë nuk duhet parë e shkëputur, dhe promocioni shëndetësor, duke ndërhyrë në të gjitha nivelet, nga politikat shtetërore deri tek zgjedhjet vetjake, besoj se është qasja më e mirë e mundshme për të pasur një popullatë sa më të shëndetshme. Promovimi shëndetësor bëhet në bashkëpunim të ngushtë me njerëzit, duke i mundësuar që ta marrin vetë në dorë shëndetin e tyre dhe ta përmirësojnë atë.

Keni studiuar për mjekësi, punoni në fushën e shëndetit publik por ndërkohë edhe shkruani, si ju pëlqen t’ju quajnë, mjek apo shkrimtar?

Titullin e mjekut e kam fituar nga gjashtë vitet e studimit për mjekësi. Ndërkohë, të të quajnë shkrimtar nuk mjafton thjeshtë të shkruash, por duhet edhe të lexohesh, e sidomos në ditët e sotme, të marketohesh si i tillë.  Meqenëse librin tim pothuajse nuk e kam promovuar fare dhe shumë pak nga shkrimet e mia i ndajnë rrjetet sociale, nuk pres që të tjerët të më shohin si shkrimtar. Por unë e shoh veten shumë më tepër si të tillë, se sa si mjek. Kjo përbën habi për njerëzit e afërt e të largët, sepse ekziston një mendim i rrënjosur thellë në mendjen e njerëzve, që nëse dikush ka studiuar për një degë, sidomos degë shkencore si mjekësia, është gati gati absurde që të fokusohet më shumë në letërsinë artistike. Ndërkohë që për mua absurdi qëndron në faktin që se si një zgjedhje e bërë në adoleshencë, të të kufizojë çdo zgjedhje që bën në të ardhmen. Deri 18 vjeç jemi të gjithë njësoj dhe është një kohë e mjaftueshme për të lëvruar pasionet dhe talentet. Askush nuk lind me një profesion dhe nuk ka përse disa vite studimi të të kufizojnë në një drejtim kur pasionet dhe dëshirat mund të ndryshojnë. Për shumë arsye zgjodha mjekësinë, por disa vite studimi që kam kryer në rininë time nuk mund të më ndalojnë të bëj atë që me të vërtetë pëlqej dhe për të cilin mendoj se kam talent. Që të të quajnë shkrimtar duhet në radhë të parë ta besosh vetë se je i tillë. Së shpejti do të botoj librin e dytë dhe atë kam vendosur që ta promovoj siç duhet, sepse besoj se ka ardhur koha që të më njohin më shumë si shkrimtar.

Çfarë ju ngacmon që të shkruani?

Shkrimet e mia bazohen kryesisht në dënimin e ashpër të së keqes dhe në dashurinë e madhe për të drejtën dhe të mirën, besoj se Shqipëria me absurditetet, padrejtësitë dhe kontrastet që mbart, është mjaft frymëzuese. Subjektet më lindin vetë në mendje, kudo që jam dhe në çdo kohë të ditës dhe natës. Nuk jam nga ata shkrimtarë që më duhet të ulem e të sforcohem për të gjetur një subjekt. Madje vuajtja ime nuk është tek idetë, por tek koha për t’u ulur e për t’i vënë ato në letër.

Ju shkruani herë pas here në rrjetet sociale, kë do të veçoni?

Jam një përdorues i rrjeteve sociale, kam menduar mos ta kthej faqen time të Instagramit në një mjet reklamimi fals të vetes, me gjëra boshe si makina, hotele apo ushqime, siç shumica bën, por dua përmes saj të përçoj mesazhe dhe ide. Nga postimet e bëra, e preferuara ime mbetet shkrimi me titull “Muri”.

“Në Valët AM”, libri juaj i parë me novela dhe tregime. Përse ky titull?

Titulli është marrë nga një nga novelat e librit me të njëjtin emër. ‘Valët AM’ simbolizojnë botën e pasur shpirtërore apo talentet të cilat shumë herë mbeten pa u shfaqur, apo edhe nëse guxojnë të dalin në sipërfaqe, nuk kuptohen apo vlerësohen siç duhet nga të tjerët. Njësoj si me valët AM të radios. Nëpërmjet këtyre valëve mund të lëshohen kryevepra muzikore apo mendime e biseda të mrekullueshme, por që pothuajse askush nuk do të mund t’i dëgjonte sepse radio mbahet vetëm në FM. Ndoshta edhe librin prandaj nuk e kam reklamuar, sepse nga vetë titulli ishte i destinuar të shpërndahej në valët AM.

Kombinimin e letërsisë me mjekësinë, mund ta quajmë një traditë familjare?

Letërsinë e kam në gen. Babai, edhe pse njihet më tepër nga publiku si doktor dhe gazetar, mendoj se është nga shkrimtarët më të veçantë të Shqipërisë. Shpesh flitet për letërsinë e realizimit socialist dhe mungesën e veprave me vlerë për shkak të kësaj fryme, por jam krenar që babai im ishte i shkëputur nga ky model dhe që atë kohë ishte shumë vite përpara me subjektet dhe idetë e tija. Ai që në vitet ‘60 ka shkruar për robotë që dashurohen, për një polic që me një aparat në vesh dëgjonte bisedat e të gjithë njerëzve në qytet (vepër kjo mjaft e rrezikshme për kohën sepse dënonte sistemin e atëhershëm) dhe është krijues i një rryme mjaft origjinale ku fëmijët edukohen për shëndetin përmes veprave letrare, të cilat rrëfejnë aventurat dhe përplasjet që ndodhin në trupin tonë mes leukociteve dhe mikrobeve.

Aspiratat në të ardhmen si shkrimtar?

Pothuajse kam mbaruar së shkruari tregimet për librin e dytë, që dua të botoj sa më parë, dhe menjëherë më pas do të filloj të shkruaj një roman. Kam gati edhe dy skenarë filmash artistik, një me metrazh të gjatë edhe një film i shkurtër. T’i kthesh skenarët në filma është mjaft e vështirë në Shqipëri, por do të përpiqem që të paktën filmin e shkurtër ta realizoj. Ditët e sotme, me njerëzit gjithmonë e më pak të përqendruar, është mjaft më e lehtë t’i përçosh idetë nëpërmjet filmave se sa librave.

Historia ka treguar se shkrimtarët shpesh kanë ndikuar përmes mendimeve të tyre në historinë politike të një vendi, kështu që nuk e quajmë pa vend pyetjen: cili është mendimi juaj për shëndetësinë shqiptare?

Nuk ka asnjëherë një përgjigje të thjeshtë për pyetje si kjo. Gjithsesi, sipas mendimit tim, pas afro tri dekadash si shtet evropian i hapur me botën, jemi shumë larg mundësive dhe pritshmërive që kishim. Ka pasur shumë abuzime dhe mungesë vizioni për diçka që prek të gjithë. Shëndeti mund t’i rrezikohet kujtdo, madje edhe vetë atyre që kanë ndikuar në gjendjen ku ndodhet sistemi ynë shëndetësor. Këta vendimmarrës, jam i sigurt që e kanë gjetur zgjidhjen për “halle” që presin. Ato mund të kurohen nga Austria deri në SHBA, por si ja bëjnë nëse kanë një urgjencë mjekësore? Në një aksident apo në një rast infarkti, nuk ka shumë rëndësi kush je dhe sa para ke, rëndësi ka vetëm cilësia e shërbimit të urgjencës, sepse nëse rron apo jo përcaktohet në vetëm pak minuta. Nuk ka kohë as për të shkuar jashtë shtetit e as për të porositur ndonjë ambulancë luksoze të spitaleve private, që meqë ra fjala po kthehen gjithmonë e më shumë në monopole. Pasiguria që transmeton ky shërbim besoj është çështja e parë që duhet zgjidhur, pasi vetë fjala është diçka urgjente! Probleme të tjera ka plot, por besoj do të duhej një artikull i tërë i fokusuar vetëm në këtë çështje. Rëndësi ka që ekzistojnë mundësitë për t’i zgjidhur. Ka shumë ndërhyrje që nuk kanë nevojë për shumë para dhe si specialist i promovimit shëndetësor, do të theksoja rëndësinë që ka parandalimi dhe kapja në kohë e sëmundjeve.

Një këshillë për lexuesit e gazetës sonë…

Meqë intervistën po e jap në gazetën tuaj, këshilla ime nuk ka se si të mos lidhet me shëndetin. Kur flasim për shëndet, nuk nënkuptohet thjesht mungesa e një sëmundjeje. Shëndeti është më shumë se kaq, është një gjendje e plotë mirëqenieje fizike, mendore dhe sociale, që ju mundëson ta jetoni jetën me potencialet tuaja të plota. Kujdesuni për veten duke ndjekur një stil jetese të shëndetshëm dhe duke kryer vizita të rregullta tek mjeku i familjes. Flisni me njerëzit e dashur dhe mbështetuni gjithmonë tek ata, sepse dashuria është medikamenti më i mirë që ekziston./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here