Implementimi i teknikave të avancuara të radioterapisë në trajtimin e kancerit

Dr. Ledio Bregu, Qendra e Radioterapisë Onkologjike/ Spitali Hygeia Tiranë

Në rastet kur një pacient ka nevojë apo i është rekomanduar trajtimi me radioterapi, është shumë e rëndësishme që ai/ajo duhet fillimisht të drejtohet për një konsultë me mjekun onkolog radioterapeut, si i vetmi mjek specialist që mund t’i ofrojë informacionin dhe trajtimin e kërkuar.

Spitali Hygeia Tiranë është i pari dhe i vetmi spital privat në vend që prej vitesh ka ngritur Qendrën e Radioterapisë Onkologjike. Në këtë Qendër ofrohen metodat dixhitale nga më bashkëkohoret të radioterapisë, si dhe ofrojnë shërbimin e tyre mjekë onkologë-radioterapeut me shumë eksperiencë, të trajnuar në qendrat më të specializuara onkologjike në botë. Gjatë konsultës pacienti/ja do të marrë informacionin e plotë mbi trajtimin me radioterapi, trajtim i cili ofrohet me teknikat nga më bashkëkohoret dhe të personalizuara sipas çdo rasti.

Në rastet e pacientëve onkologjikë, në Spitalin Hygeia Tiranë ekziston një Këshill Onkologjik, i cili është i përbërë nga specialistë të fushave të ndryshme mjekësore si: mjek onkolog radioterapeut, kimioterapeut, kirurg, imazherist dhe anatomo-patolog.

Ky këshill është përgjegjës dhe mblidhet për të vendosur mbi mënyrën më të mirë të mundshme të trajtimit që do të aplikohet për çdo pacient, duke vendosur edhe se cili nga trajtimet do të fillojë i pari, pra kirurgjia, kimioterapia apo radikoterapia. Në këtë mënyrë, në spitalin tonë ne i sigurojmë çdo pacienti mundësinë që të marrë të njëjtin trajtim që do të merrte në çdo qendër të specializuar onkologjike në vendet më të zhvilluara në botë.

Çfarë është radioterapia ?

Radioterapia është një nga trajtimet onkologjike që përdor rrezatimin jonizues për eliminimin e qelizave tumorale. Pra, radioterapia vepron mbi tumorin që po trajtohet, duke vrarë qelizat tumorale ose duke penguar riprodhimin e tyre. Rrezatimi jonizues prodhohet nga aparatura bashkëkohore të quajtura Axelerator Linear, aparatura të cilat në botë që prej vitit 1980 zëvendësojnë në masë të gjerë aparaturat e kobaltit që përdoreshin për të trajtuar kancerin. Akseleratori linear bën të mundur që të aplikohen teknika nga më bashkëkohoret dhe shumë avangardë për kohën, siç është edhe teknika IMRT, teknikë kjo shumë e përdorur sot për sot në botë nga qendrat më të specializuara onkologjike, dhe prej katër vitesh tashmë aplikohet për herë të parë dhe vetëm në Spitalin Hygeia Tiranë.

Çfarë është Teknika e IMRT?

IMRT është një teknike moderne e radioterapisë, ku intensiteti i fushës se rrezatimit ndryshon, duke aplikuar një dozë të madhe rrezatimi tek masa tumorale, duke e shkatërruar atë, pra doza e rrezatimit është e përqendruar tek masa tumorale dhe në këtë mënyrë arrin të ruajë të paprekura, duke mbrojtur maksimalisht indet dhe organet e shëndosha përreth kësaj mase. Problemi kryesor në radioterapi është rrezatimi i organeve te shëndosha, që në varësi të dozës që marrin shfaqin efekte anësore që ndonjëherë janë vërtet serioze, duke kompromentuar trajtimin me radioterapi. Me teknikën e IMRT duke mbrojtur maksimalisht organet e shëndosha efektet anësore janë të papërfillshme. Aplikimi i kësaj teknike bashkëkohore ka rritur në mënyrë të ndjeshme % e mbijetesës dhe ka përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës te pacientët e prekur nga sëmundje tumorale.

Në cilat raste gjen aplikim radioterapia?

Radioterapia mund të aplikohet në çdo pjesë të trupit dhe për të gjitha tipet e kancerit. Vlerësohet që rreth 50-60% e pacientëve të prekur nga kanceri, në një moment të caktuar të ecurisë së sëmundjes do të kenë nevojë për radioterapi, qoftë kjo për qëllim kurativ (shërimi) apo paliativ (trajtim të dhimbjes, hemorragjisë apo simptomave të tjera).

Me anë të teknikës IMRT, që siç e theksuam edhe më lart është teknikë shumë e avancuar për kohën, përveç rezultateve mjaft të mira që jep në kurimin e pacientëve me kancer, rrit edhe shanset e trajtimit edhe për ata pacientë të cilët do e kishin të pamundur kurimin me metodat e mëparshme të radioterapisë (teknika e thjeshtë 3-Dimensionale), që me anë të kësaj teknike konsideroheshin si raste të pakurueshme. Në saj të teknikës IMRT, tashmë edhe këto raste mund të trajtohen, pra i nënshtrohen trajtimit me qëllim kurativ, duke rritur ndjeshëm % e mbijetesës nga kjo sëmundje

A jep efekte anësore radioterapia dhe cilat janë ato?

Ndryshe nga kimioterapia, efektet anësore të radioterapisë në përgjithësi kategorizohen si më të lehta dhe lidhen ngushtë me zonën e trupit që po trajtohet (rrezatohet).

Disa nga efektet anësore më të shpeshta që jep radioterapia janë:

Radiodermia: skuqja e lëkurës në zonën ku bëhet rrezatimi, është efekt anësor i zakonshëm dhe i menaxhueshëm. Në këto raste këshillohet përdorimi i kremrave mbrojtës për lëkurën.

Radiomukoziti: është skuqja nga rrezatimi i mukozës së gojës, fytit apo ezofagut, në raste kur këto zona trajtohen me radioterapi, si në rastet e kancerit të kokë-qafës, kanceri gastrointestinal apo kanceri i mushkërisë. Radioukoziti është një nga efektet më serioze të radioterapisë, por që arrin të menaxhohet nëpërmjet medikamenteve analgjezikë apo aplikimit të mbrojtësve lokale, si kremra, solucione për gojën etj, gjithmonë bazuar në rekomandime të dhëna nga mjeku përgjegjës.

Xerostomia: tharja e gojës e cila shkaktohet nga rrezatimi i gjëndrave të pështymës në rastet kur trajtohen kancerat e kokë-qafës. Xerostomia ka gravitet të variueshëm dhe permanent në disa raste trajtimesh. Ajo që duam të theksojmë në këto raste është, gjatë trajtimit me teknikën IMRT Xerostmia si efekt anësor është shumë herë më pak e shprehur sesa në rastet kur trajtohet me teknikën konvencionale 3D, ku shumica e pacientëve të trajtuar me këto teknika 3D pas radioterapisë kanë një cilësi jetese shumë të keqe.

Citopenia: rënia e rruazave të gjakut. Kjo është një simptomë jo problematike dhe lehtësisht e menaxhueshme e krahasuar me efektet që jep kimioterapia. Citopenia ndodh kryesisht kur trajtohet me fusha të mëdha dhe volume të mëdha kockore, si në rastet e trajtimit të metastazave të shumta kockore.

Të përziera apo të vjella: këto nuk janë efekte anësore të zakonshme në radioterapi. Zakonisht, këto efekte mund të shfaqen në rastet kur trajtohen zona e barkut apo pelvisit, si në rastet e kancerit gastrointestinal, kancerit genitourinar etj. Gjithsesi, kjo simptomë është shumë herë më e lehtë nga ajo që shkaktohet si efekt anësor i kimioterapisë. Theksojmë faktin që në rastin e radioterapisë këto simptoma janë lehtësisht të menaxhueshme.

Rënia e flokëve: edhe rënia e flokëve nuk është efekt anësor i zakonshëm në radioterapi. Kjo ndodh vetëm në rastet kur trajtohet me radioterapi zona e kokës si në rastet e pacientëve të prekur nga tumore cerebrale apo kanceri i lëkurës së kokës.

Rezultatet e trajtimit me radioterapi në rang botëror dhe në spitalin Hygeia Tiranë!

Sot, në sajë të teknikave të avancuara të radioterapisë, kirurgjisë dhe zbulimit të mjekimeve të reja në kimioterapi është bërë e mundur që shumë tipe kanceri, sidomos ato të zbuluara në stadet e hershme të sëmundjes, të jenë 100% të shërueshme. Por edhe në rastet e kancerit në stade të avancuara janë bërë për parime të mëdha, duke rritur ndjeshëm % e mbijetesës te personat e prekur.

Edhe në Spitalin Hygeia Tiranë, në sajë të profesionalizmit dhe eksperiencës së punës së stafit të mjekëve, si dhe në të aparaturave dhe teknikave shumë të avancuara që ky department disponon, rezultatet tona në trajtimin e kancerit janë të njëjta me ato të Qendrave Onkologjike më të përparuara në botë.

Ku ndryshon radioterapia nga kimioterapia ?

Radioterapia, siç e theksuam edhe më lart, është trajtimi që vret qelizat kanceroze me anë të rrezatimit jonizues të prodhuar nga Akseleratorët Linearë. Ndërsa kimioterapia është trajtimi që vret qelizat tumorale me anë të medikamenteve të cilat merren nëpërmjet gjakut. Radioterapia përdoret në kancerin e lokalizuar, duke shkaktuar efekte anësore vetëm në zonën që trajtohet, ndërsa kimioterapia, duke qenë se merret me anë të gjakut, vepron në të gjithë organizmin duke shkaktuar efekte anësore më të mëdha.

Për më tepër informacione apo për të rezervuar takimin tuaj, mund të kontaktoni në numrin: 04 23 90 000/ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën