Kryefaqja Shendeti a-z I Infeksionet në shtatzëni, komplikacionet nga mostrajtimi

Infeksionet në shtatzëni, komplikacionet nga mostrajtimi

0
Shpërndaje

Elton Peci, obstetër gjinekolog

Infeksionet gjatë shtatzënisë përbëjnë një shqetësim të madh për gruan shtatzënë, për efektin që ato mund të kenë në shëndetin e bebit. Për fat të mirë, shumica e infeksioneve ngjitëse tashmë janë shumë të rralla, falë edhe programeve të vaksinimit. Për shembull, infeksioni nga Rubela, shumë i rrezikshëm për zhvillimin e bebit, tashmë takohet shumë rrallë.

Duhet theksuar se shumica e bebeve nuk dëmtohen në qoftë se nëna merr ndonjë infeksion gjatë shtatzënisë. Por ka disa infeksione që mund të transmetohen tek bebi përmes placentës ose gjatë lindjes, dhe kur kjo ndodh, ato mund të lenë pasoja serioze për të porsalindurin. Në disa raste të tjera, infeksionet mund të komplikohen edhe me lindje para kohe.

Është e pamundur që gruaja shtatzënë t’u shmanget të gjitha burimeve të infeksioneve gjatë shtatzënisë. Një faktor predispozues është edhe ndryshimet në imunitet dhe në sistemet e organeve që ndodhin gjatë shtatzënisë.

Megjithatë, monitorizimi me kujdes i shtatzënisë tek mjeku obstetër-gjinekolog, kryerja e analizave dhe mjekimi i duhur bën që rreziku që vjen nga këto infeksione të reduktohet.

Infeksionet urinare dhe shtatzënia

Infeksionet urinare janë shumë të shpeshta gjatë shtatzënisë. Në qoftë se nuk trajtohen ato, mund të shkaktojnë infeksione serioze të veshkës. Trajtimi i këtyre infeksioneve përfshin antibiotikët. Qëllimi është të mjekohet infeksioni, por edhe të parandalohen komplikacionet e mundshme që ky infeksion mund të shkaktojë.

Sistemi urinar …

Urina prodhohet nga veshkat, që janë organe që lokalizohen në të dy anët e kolonës vertebrale. Urina derdhet përmes 2 kanaleve të quajtur ureterë në vezikën urinare. Vezika urinare shërben për depozitimin e urinës. Që aty, urina del jashtë në mënyrë të vullnetshme përmes një kanali që quhet uretër (uretra).

Cilat janë llojet e infeksioneve urinare?

Infeksionet urinare shkaktohen nga prania e baktereve në urinë. Ky kontamimin (ndotje) mund të shkaktojë:

Bakteriuri asimptomatike. Është një situatë në të cilën bakteret kontaminojnë urinën, por ende pa shkaktuar ndonjë shenjë apo simptomë tek pacientja.

Cistit (infeksion i vezikës urinare). Cistiti është shumë i shpeshtë si gjatë ashtu edhe jashtë shtatzënisë. Shenjat që jep ky infeksion janë dhimbja dhe djegia gjatë urinimit, dhimbje në fund të barkut, gjak në urinë  (hematuri) dhe temperaturë.

Pielonefrit (infeksion i veshkave). Ky infeksion është më i rrallë se cistiti, por më i rrezikshëm. Zakonisht ndodh si një komplikacion i bakteriurisë asimptomatike dhe cistitit, kur ato nuk trajtohen si duhet. Shenjat që mund të japë pielonefritit janë dhimbje në ije (lozhat renale) dhe gjatë urinimit, ethe, nauze, të vjella, diarre dhe gjak në urinë (hematuri).

Si shkaktohen infeksionet urinare?

Shumica e infeksioneve urinare shkaktohen nga bakterie që vijnë nga zorrët. Këto bakterie nuk shkaktojnë infeksione në zorrë, por vetëm kur kolonizojnë sistemin urinar. Në shumicën e rasteve kemi një migrim (spontan ose përmes kontaminimit) të bakterieve nga anusi drejt uretrës dhe vezikës urinare. Në momentin që hyjnë në organet e sistemit urinar, këto bakterie fillojnë të shumohen, duke kolonizuar dhe shkaktuar infeksion të mukozës së këtyre organeve.

Femrat janë më të predispozuara të preken nga infeksionet urinare, për shkak se uretra e tyre është më e shkurtër se ajo e meshkujve. Nga ana tjetër, femrat shtatzënë janë akoma më të predispozuara për infeksione urinare, për shkak të ndryshimeve hormonale tipike të shtatzënisë, të cilat shkaktojnë një ngadalësim të fluksit të urinës.

A mund ta rrezikojë shtatzëninë infeksioni urinar?

Në një pjesë të vogël të rasteve, infeksionet urinare mund të komplikohen me kontraksione uterine të hershme, duke shkaktuar kështu aborte ose lindje para kohe. Për këtë arsye, infeksionet urinare duhet të trajtohen në mënyrë korrekte gjatë shtatzënisë.

Analizat urinare gjatë shtatzënisë

Një analizë e thjeshtë urine duhet të kryhet në çdo tremujor të shtatzënisë dhe në çdo rast që pacientja ka ankesa. Në rast se evidentohen bakterie apo në prani të simptomave, pacientja duhet të kryejë edhe një urokulturë (kultura apo “mbjellja” e urinës). Trajtimi me antibiotikë duhet të fillojë vetëm në momentin kur përgjigja e urokulturës është gati.

Si trajtohen infeksionet urinare gjatë shtatzënisë?

Antibiotikët. Ka një mori antibiotikësh që lejohen gjatë shtatzënisë dhe që kanë një efekt shumë të mirë ndaj infeksioneve urinare. Llojin e antibiotikut dhe dozën do ta përcaktojë gjinekologu, në funksion të përgjigjes së analizave të urinës dhe të varësi të ankesave të pacientes. Këto antibiotikë nuk do të dëmtojnë aspak bebin.

Qetësuesit e dhimbjeve. Zakonisht për dhimbjet që shkakton infeksioni urinar mund të përdoren paracetamoli dhe buskopani.

Konsumi i lëngjeve. Konsumi i lëngjeve është një mënyrë shumë e mirë për të shpejtuar “pastrimin” e urinës. Nga ana tjetër, në qoftë se infeksionet urinare komplikohen edhe me ethe dhe temperaturë, konsumi i lëngjeve minimizon edhe rrezikun për dehidratim.

Gripi dhe shtatzënia

Gripi zakonisht kalon pa mjekim specifik, por në shtatzëni duhet bërë pak më shumë kujdes se zakonisht.

Ja disa këshilla:

Kontrolloni shpesh temperaturën në mënyrë që të parandaloni ngritjet e temperaturës. Kur temperatura është mbi 38 gradë rekomandohet paracetamol por JO më shpesh se çdo 4-6 orë.

  • Paracetamoli ul temperaturën, lehtëson dhimbjet muskulare dhe nuk dëmton fetusin.
  • Pini shumë lëngje, ujë ose lëngje frutash.
  • Nëse nuk keni oreks, mundohuni të hani patjetër, qoftë edhe sasi të vogla.
  • Qëndroni shtrirë. Gjatë qëndrimit shtrirë mbajeni kokën lart, në mënyrë që të përmirësohet frymëmarrja.
  • Nëse keni dhimbje të sinuseve paranazale, dhimbje të syve dhe të tëmthave, vendosni kompresa të ngrohta.
  • Përdorni karamele me mjaltë për të lehtësuar dhimbjen e fytit.
  • Përdorni vaporizator ose banjo me avull për të lehtësuar kongjestionin nazal.

V.O: Nëse simptomat përkeqësohen, konsultohuni menjëherë me mjekun.

Hepatiti B dhe shtatzënia

Hepatiti B është një virus i cili ka afinitet për qelizat e mëlçisë (heparit, prandaj quhet edhe hepatitit). Në 90% të rasteve, infeksioni me hepatit B do të persistojë gjatë gjithë jetës. Kjo mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë (hepatolizë, cirrozë deri edhe kancer të mëlçisë).

Si përhapet infeksioni me hepatit B?

Rrugët e përhapjes janë:

  • Kontakti seksual i pambrojtur.
  • Kontakti me instrumente apo vegla mjekësore të përdorura tek një individ me hepatitit B dhe të pa sterilizuara si duhet.
  • Hepatiti B mund të transmetohet nga nëna (n;se kjo është e infektuar) tek fetusi gjatë lindjes.

Çfarë shenjash jep infeksioni me hepatit B?

Në një pjesë të rasteve infeksioni me hepatitis B nuk jep asnjë shenjë apo simptomë. Në një pjesë të rasteve ai mund të shkaktojë:

  • Nauze, të përziera dhe diarre.
  • Ikter (zverdhje) të skerave dhe të lëkurës.

Si mund të zbulohet?

Infeksioni me hepatit B konfirmohet pas analizave të gjakut që çdo femër shtatzënë duhet të kryejë gjatë tremujorit I dhe III të shtatzënisë.

Si mund të mbrohet i porsalinduri nga infeksioni në rast se nëna është e infektuar ose mbartëse e hepatitit B?

Kjo është e mundur duke kryer vaksinën e hepatitis B tek fëmija e cila përmban 3 doza:

  • Doza e parë kryhet menjëherë pas lindjes.
  • Doza e dytë kryhet 1-2 muaj pas lindjes
  • Doza e tretë kryhet 6-24 muaj pas lindjes./ JoTabu.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here