Infeksionet që sjellin humbjen e dëgjimit

Bisedoi: Elona Tereziu

Sëmundjet e veshit përbëjnë një nga problemet më shqetësuese për njerëzit. Ndër këto inflamacione mund të përmendim otititin ekstern, otitin e mesëm akut, otitin e mesëm kronik dhe otitin seroz.

Syri Allcani, mjek ORL, flet lidhur mbi këto patologji ku thekson se shpeshherë shkaktarë për to bëhen vetë njerëzit me kruarjen e tyre me mjete rrethanore, pastrimin me mjete të forta, si dhe higjienën shumë të ulët.

Ndërkohë që liston shkaktarët dhe mënyrën se si duhen trajtuar këto sëmundje, ai flet dhe për pasojat në rast neglizhimi, ku veç humbjes së dëgjimit, këta pacientë janë të rrezikuar për të bërë dhe abcese të trurit.

Doktor, cilat janë sëmundjet më të përhapura të veshit?

Sëmundjet e veshit janë patologjitë më të shpeshta që hasim në praktikën tonë, ndërkohë që mostrajtimi i tyre mund të jetë tepër i rrezikshëm.

Vetë veshi si organ është tepër i ndjeshëm ndaj ngacmimeve të jashtme, ndërkohë që për nga ana anatomike është i përbërë nga disa pjesë. Kemi veshin e jashtëm, i cili përfshin llapën dhe gropën e veshit deri në timpan. Veshin e mesëm i cili përmban timpanin dhe zgavrën e tij. Veshin e brendshëm që përmban zgavrën e timpanit që është e vendosur pas tij dhe që përfshin afërsinë me kockën temporal dhe na lejon përceptimin e tingujve.

Sëmundjet e veshit i ndajmë në dy grupe të mëdha: Infalamatore dhe jo inflamatore

Në këtë rast ne do flasim për disa nga sëmundjet më të zakonshme, siç janë otiti ekstern (pra sëmundja e veshit të jashtëm), otiti i mesëm akut dhe kronik (sëmundjet e veshit të mesëm) dhe otitin e mesëm seroz (pa infeksion).

Çfarë i shkakton këto inflamacione?

Otiti ekstern është një infeksion i lëkurës së kanalit të jashtëm të dëgjimit. Shprehet me dhimbje shumë të forta, enjtje të llapës së veshit që dallon që nga larg, si dhe skuqje. E favorizon kryesisht lagështira, prandaj haset dhe më shpesh në periudhën e plazhit, si dhe përdorimi i kunjave të veshëve që, pavarësisht këshillave të mjekëve për eliminimin e  tyre, pacientët vazhdojnë t’i përdorin akoma.

Në rastet kur bëhet kronike pastaj, jep kruarje dhe  ndonjëherë edhe rrjedhje me ngjyrë të errët ose jeshile dhe erë të keqe, tipike për otitin ekstern. Shkaqe të tjera për otitin ekstern janë dhe ekzemat e lëkurës dhe infeksionet.

Përsa i përket mjekimit, varet sipas rastit. Për shembull, në otitet eksterne përdoren qetësues me pika në vesh, kompresa të vogla të njomura me solucion që futen brenda në vesh (këtë duhet ta bëjë vetëm mjeku) ose kompresa të thata dhe të ngrohta që mund t’i vendosim në anën sipërfaqësore. Në rastet më të rënda pastaj (kur ka sekrecione, kruarje dhe rrjedhje) duhet patjetër vizita ORL ku, veç të tjerash, merret material nga masa për ekzaminim laboratorik .

Otiti i mesëm akut është një infeksion i pjesës së mesme të veshit, zonë që ndodhet menjëherë pas daulles së veshit (timpani i veshit) dhe shkaktohet nga mbyllja e zonës së Eustakit (kanali që bën ajrosjen e veshit të mesëm).

Ndodh kryesisht kur pacienti kalon ndonjë virozë, ka ftohje, dhimbje fyti, hundë të bllokuara, inflamacion të bajameve etj.

Është një ndër patologjitë më të shpeshta tek fëmijët, kjo jo vetëm për shkak të  mbrojtjes së dobët imunitare, por dhe për shkak se në moshat fëminore ‘’tubi i Eustakit’’ është më i shkurtër dhe më i gjerë, dhe për pasojë kur fëmija ushqehet me gji, mund t’i kalojnë pjesë nga qumështi në vesh duke e kontaminuar dhe sëmurur atë. Për mendimin tim, duhej quajtur bajamja e tretë, pasi ka pothuajse të njëjtin funksion siç kanë dy bajamet e tjera që janë të dukshme.

Të tjera shkaqe mund të përmendim edhe shtrëmbërimin e hundës, polipet me natyrë alergjike dhe hipertrofinë (rritja mbi normë e hundës).

Otiti i mesëm kronik janë rastet që ose nuk janë trajtuar mirë, ose nuk kanë vajtur fare tek mjeku. Duhet të theksojmë diçka këtu. Veshi i mesëm ka një gjë, që ndonjëherë duke mos e filluar mjekimin në kohë, tenton të vetëshërohet. Kjo ndodh me çarjen e daulles dhe daljen e qelbit jashtë. Duke qenë se pas daljes së qelbit, qetësohet dhe dhimbja, pacientët mendojnë se u shëruan, ndërkohë që infeksioni është aty kronik. Në shumë raste këta persona me gjithë mjekimin e bërë më vonë, daullja e veshit mund të mos mbyllet më, duke lënë për gjithë jetën pasoja në dëgjim.

Otiti seroz (pa infeksion), ashtu si edhe për otitin e mesëm, shkak kryesor për shfaqjen e sëmundjes bëhet mbyllja e tubit të Eustakit. Si rezultat i mbylljes së këtij tubi, në veshin e mesëm krijohet vakum dhe enët e gjakut fillojnë të nxjerrin një lëng që mbush veshin e mesëm dhe për pasojë kemi ulje të dëgjimit.

Kjo ndodh gradualisht dhe e vetmja shenjë është ky lëng që del, pasi në otitin seroz pacienti nuk ndjen dhimbje pasi nuk është i infektuar siç ndodh në veshin e mesëm akut apo kronik. Shenja kryesore është ulja e dëgjimit, e cila në fazat e para është e vështirë të kuptohet, sidomos tek fëmijët.

Është i mjekueshëm dhe ky mjekim bazohet në tentativën për ta hapur që të lirohet/ajroset tubi i Eustakit. Megjithatë, fillimisht bëhet një mjekim konservativ për fytin dhe hundën. Kur sëmundja është shumë e përparuar, detyrohesh të bësh edhe ndërhyrje kirurgjikale.

Gjithashtu, mund të bëhet edhe masazhim i tubit të Eustakit. Këto masazhe persistojnë në mbylljen e gojës dhe hundës dhe shfryrjen me qëllim që ajri të shkojë në vesh, ndërsa tek mjeku bëhet me kompresor ajri.

Cilat janë komplikacionet më të rënda që japin sëmundjet e veshit?

Nëse pacienti nuk trajtohet, më e pakta dëmtohet dëgjimi, ndërkohë që komplikacionet më të rënda mund të japin meningjite e deri në abcese të trurit që të rrezikojnë jetën.

Megjithatë, që kur u zbulua antibiotiku, këto komplikacione janë shumë të rralla./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore