Kryefaqja Aktualitet Infeksionet spitalore, flasin specialistët: Jemi përmirësuar por larg nivelit evropian

Infeksionet spitalore, flasin specialistët: Jemi përmirësuar por larg nivelit evropian

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Ka përmirësim sa i takon përqindjes së infeksioneve spitalore krahasuar me vite më parë, megjithatë jemi larg standardeve evropiane. Ky është përfundimi që nxjerrin të gjithë specialistët e shëndetit. Kontrolli i infeksioneve në institucionet shëndetësore ka rol thelbësor për mirëqenien dhe sigurinë e të sëmurëve, punonjësve shëndetësorë dhe vizitorëve. Nuk ka të dhëna të sakta për përqindjen e infeksioneve spitalore në spitalet tona, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë të pjesshme. Kirurgu i përgjithshëm Arben Gjata  i kontaktuar nga Shëndet plus, identifikoi si një ndër burimet kryesore të infeksioneve spitalore hyrjen pa kriter të personave në këto mjedise, përfshirë këtu shoqëruesit e pacientëve. Lidhur me shërbimet më problematike specialistët përmendin reanimaconin, urgjencën, si shërbime që kanë fluks të lartë pacientësh. Sa i takon monitorimeve dhe investigimeve të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, specialistët e këtij institucioni raportojnë disa të dhëna shumë interesante.

Arben Gjata: Jemi përmirësuar, por larg nivelit evropian

Kirurgu Arben Gjata, ka studiuar prej kohësh një pjesë që është edhe pjesa kryesore e kirurgjisë “infeksioni i plagës”, gjithashtu ai është edhe pjesë e bordit të Komitetit të Kontrollit të Infeksioneve Spitalore të QSUT“Nënë Tereza”. I pyetur për situatën aktuale të infeksioneve spitalore për QSUT-në, Gjata u shpreh se situata ka ndryshuar, dhe një rol ka luajtur edhe sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale. Megjithatë, sipas mjekut ende jemi larg përqindjeve të spitaleve vuropiane.

“Është bërë një studim, i vetmi studim ndërkombëtar me institutin italian Superiore di Sanità, 2003-2004, ku rezultoi se kishim shumë infeksione, që kishte në atë kohë shtame mikrobesh që ishin shumë të rrezikshme dhe të gjitha këto u shoqëruan me një sërë masash për të ulur infeksionet.

“Me rezultatet  e fundit sa i përket plagëve të pastra jemi gati 30-40%, kemi qenë më lartë se vendet e tjera evropiane. Ndërsa në plagët probabilisht të pista mbeteshim me shifra shumë ta larta. Nuk kemi shifra të mirëfillta. Studimet duhen bërë në klinika. Synojmë që si Komision Spitalor të bëjmë një studim në të gjithë spitalin për të parë sesi është situata”.

Në deklaratat e mëparshme ISHP-ja ka theksuar faktin se në 50 për qind të rasteve përdorimi i antibiotikëve nuk ndodh ashtu siç duhet, pra nuk zgjidhen ata që duhen, nuk zgjidhen në kohën e duhur, në vendin e duhur, në kohëzgjatjen e duhur duke çuar kështu në rritjen e ndjeshme të rezistencës së mikrobeve ndaj antibiotikëve. Këtë fakt e thekson edhe Gjata kur thotë se :

“Është rritur në mënyrë të ndjeshme rezistenca e mikrobeve ndaj antibiotikëve që përdorim. Për arsye të përdorimit të shpeshtë dhe jo sipas kritereve. Nganjëherë mjekët tonë japin antibiotikë për të mbuluar veten”.

Sa i takon shërbimeve që mbeten më problematike në drejtim të infeksioneve spitalore Gjata thekson se janë përgjithësisht ato zonat kritike të tilla si reanimacioni, djegie plastika, urgjenca.

“Gjithmonë shërbimet me problematikë janë ato zonat kritike. Janë reanimacionet (kanë infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, infeksione urinare se rrinë me kateter), djegie plastika, urgjenca. Kushtet e sallës së urgjencës nuk janë optimale. Ka shumë për të bërë. Ka rënie të infeksioneve spitalore. Nuk është në kushte optimal”.

Ndërkohë, prezenca e shumë familjarëve për një të sëmurë nuk prish vetëm qetësinë dhe rendin në spital por ndikon edhe në problematikën e shfaqjes së infeksioneve spitalore.

“Problemi i madh te ne është prezenca e madhe e familjarëve. Në një dhomë janë 3 të sëmurë dhe 20 të sëmurë.

Në Amerikë ka një infermier për çdo pavion që merret vetëm me infeksionet spitalore dhe Amerikanët e llogarisin me kosto dhe I binte që prania e një infermierie për pavion që merret vetëm me infeksionet spitalore jo vetëm nxirrte rrogën e vet por ulte me 20-30% shpenzimet e spitalit që kishin të bënin me infeksionet spitalore. Ne kemi një grup për infeksionet spitalore por jo shumë mirë të organizuar. Duhet të jenë njerëz të trajnuar”.

Por, a duhet të heqin njerëzit dorë nga sjellja e çarçafëve me vete?

Përgjithësisht ne nuk i lëmë që të sjellin çarçafë me vete. Ata duan të sjellin edhe bukën me vete. Për shkak të një perceptimi që spitali është skandal, se ka qenë skandal, vazhdon e njëjta histori.

Ilir Ohri: Numri i lartë i pacientëve rrit mundësinë për infeksione

Reanimacioni përmendet si një ndër shërbimet ku mundësia e infektimit nga infeksionet spitalore është shumë e lartë. Shefi I këtij shërbimi, Ilir Ohri shprehet se:

“Reanimacioni është një vend ku vërtet mundësia për infeksione ekziston. Në reanimacion nuk ka siguri asnjëherë. Problem mbeten infeksionet pulmonare. Reanimacioni është gjithmonë mbi kapacitetit. Dhe sterilizimi do kohën e vet. Nëse këtu kapaciteti është për 12-15 shtretër , këtu ka 24-25. Ka mbingarkese. Nuk ke kohë ti pastrosh. Këtu mblidhen të gjithë të sëmurët e të gjithë spitalit”.

 Zaide Sulejmani: Janë kryer disa investigime në ambientet spitalore

E kontaktuar nga Shëndet plus, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Zaide Sulejmani është shprehur se investigimet dhe monitorimet e fundit janë kryer gjatë 2016-s.

“Gjatë 2016-s janë kryer disa investigime dhe monitorime të vlerësimit të ngarkesës mikrobike dhe sterilitetit të ambienteve spitalore në QSUT, në Kavajë, Elbasan, Sanatorium, Pogradec, Reanimacionin e Spitalit të Traumës, etj

  • Duke iu referuar ekzaminimeve përkatëse në ambientet e kujdesit shëndetësor gjendja aktuale e tyre është përmirësuar ndjeshëm, pasi është bërë një punë shumë e mirë me:
  • Qendrën Kombëtare të Sterilizimit e cila ka bërë të mundur që të mos ketë infeksione postoperatore, pasi shkalla e sterilitetit të tyre është shumë e lartë,
  • Fluksi i operacioneve është ulur pasi bëhen me planifikime dhe është bërë e mundur që këto operacione të kryhen edhe në disa spitale rajonale.
  • Hyrja dhe dalja e vizitorëve të cilët më parë bënin një risk për përhapjen e infeksioneve, sot është minimizuar duke iu vënë një orar fiks për të bërë vizitat tek pacientët.
  • Kemi bërë trajnime dhe shpërndarje të protokollit të parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve spitalore , e cila ka mundësuar zbatimin rigoroz të tij dhe në uljen e përhapjes së infeksioneve.

ISHP: Masa për mbylljen dhe rikonstruksionin e reanimacionit të SUT-së

Ekipi i infeksioneve të kujdesit shëndetësor të ISHP-së (2016-n), ka bërë një investigim në Reanimacionin e Spitalit të Traumës ku është kryer një vlerësim i ngarkesës mikrobike të sterilitetit të ambienteve të Reanimacionit. Gjatë vlerësimit mbi ngarkesën mikrobike u morën një sërë mostrash në sipërfaqet, orenditë, qarkun e tubave të aspirimit etj.

Në këto ekzaminime është vënë re prania e Acinetobacter baumannii . U bë dhe antibiograma përkatëse ku u konstatua me carbapenem rezistent, pseudomonas spp, staphylocoçus aureus (MRSA) gjë e cila tregon një lidhje të fortë midis infeksioneve dhe mjedisit spitalor përveç vlerësimit së të dhënave klinike.

Gazeta Shëndet plus ka siguruar një pjesë të raportit përfundimet e të cilit flasin për standarde shumë të dobëta të ofrimit të shërbimit. *Reanimacioni i traumës është  rikontruktuar.

Gjatë vlerësimit të praktikave të punës dhe kontrollit të infeksioneve në reanimacionin dhe më tej u vu re se :

  • Pastrimi kryhej nga një firmë private e cila kishte vetëm një punonjëse që nuk mund të përballonte fluksin dhe kryente vetëm pastrimin por që nuk njihte përdorimin e dezinfektantëve etj.
  • Pastrimi nuk kryhej konform rregullave për një reanimacion. U pa se kujdesi ndaj plagëve apo postoperator kryhej jashtë standarteve të kontrollit të infeksionit për shkak të kushteve megjithëse personeli bënte maksimumin e mundur.
  • Mungonin solucionet pastruese të duarve në çdo mjedis.
  • Ka mungesa të veshjeve me një përdorim dhe mjetet e mbrojtjes personale nuk janë të mjaftueshme
  • Vihej re që dorezat përdoreshin gjatë gjithë kohës pa u ndërruar pas çdo procedure.
  • Maskat nuk përdoreshin ashtu siç duhet ose nuk përdoreshin fare.
  • Pas raportimit të dërguar nga ana jonë u morën masa për mbylljen e reanimacionit dhe rikonstruktimin e tyre.

Infeksionet spitalore dobësojnë e financat e spitalit

Infeksionet që pacientët marrin në spital dhe u zgjasin ditëqëndrimin, në gjuhën e mjekëve quhen infeksione nozokomiale. Këto janë infeksione të cilat nëse prekin pacientin, atëherë shtojnë rrezikun për përkeqësimin e sëmundjes dhe në të njëjtën kohë shtojnë edhe koston e spitalit.

Përveç shtimit të ditëve në spital dhe përkeqësimit të sëmundjeve, këto infeksione ndikojnë negativisht edhe në dobësimin e financave të spitalit. Infeksioni nozokomial është një infeksion i marrë në spital pas shtrimit të pacientit dhe është një nga shkaqet kryesore të zgjatjes së ditëqëndrimit dhe shtimit të shpenzimeve spitalore për shkak të harxhimit të antibiotikëve.

Rezistenca e shtameve nozokomiale ndaj antibiotikëve të zakonshëm sa vjen dhe rritet. Ekzaminimet e qendrës tregojnë se pacientët të infektuar nga spitali të vërtetuar baktereologjikisht dhe të kontrolluar çdo ditë janë mjekuar me antibiotikë të ndryshëm shpesh jo efektivë dhe ditëqëndrimet e tyre janë shumë të larta./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here