Luhatja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka ndikur në rritjen e rasteve me simptoma të virozave stinore. Rreth 250 fëmijë shkojnë çdo ditë pranë Urgjencës së Pediatrisë për tu kuruar. Sipas mjekut Bashkim Neza duhet treguar shumë kujdes me fëmijët, sidomos ata nën moshën 1 vjeç. Mjeku pediatër thotë se tek fëmijët e vegjël është shtuar numri i rasteve me infeksione të rrugëve respiratore të ndikuara nga virozat stinore, ose dhe nga fenomenet alergjike, spazike, apo dhe të rrugëve respiratore.
Zoti Neza, çfarë janë virozat?
Virozat janë organizma patogjene që sulmojnë për një periudhë të shkurtër organizmin tonë. Ato janë të formave të ndryshme dhe nga stina në stinë këto lloj virusesh, përfshi dhe gripin, pësojnë mutacione gjenetike, çka tjetërson edhe formën e tyre të shfaqjes dhe pasojat shëndetësore.
Çfarë tip virozë po qarkullon?
Jemi në sezonin e virozave. Por nuk mund të përcaktoj se cili grip. Normalisht ai që ekziston çdo vit, pavarësisht mutacioneve që virusi pëson nga viti në vit tjetër.
Sa fëmijë vijnë gjatë një dite në Urgjencë?
Është një numër goxha i lartë. Mesatarisht vijnë 250 fëmijë në ditë.
Sa prej tyre kanë shfaqur komplikacione?
Për fat të mirë pjesa më e madhe e tyre pasi kanë marë mjekimin nuk kanë shfaqur komplikacione. Por mund të ketë raste kur mjekohen me vonesë dhe shfaqin komplikacione si sinozit, probleme të rrugëve respiratore etj.
Sa kanë ndikuar ndryshimet e herë pas hershme të motit në mundësine e prekjes nga nga virozat?
Me ndryshimin e shpeshtë të temperaturave jemi të gjithë të rrezikuar të prekemi nga virozat, duke qenë se luhatjet e temperaturave janë goxha të mëdha. Përveç kësaj jemi edhe në sezonin e virozave. Kështu që ekziston mundësia për t’u prekur nga virozat e stinës.
Në çfarë rrugësh mund të merren virozat?
Rrugët me të cilat mund të merren janë nëpërmjet ajrit, sepse viruset qarkullojnë në ajrin që ne thithim. Vendet më të rrezikshme janë vendet e mbyllura.
Cilat janë simptomat e këtyre virozave?
Simptomat e një viroze janë kur kemi, hundë, dhimbje fyti, temperaturë me probleme të tjera respiratore, por nuk mund përjashtohen edhe komplikacionet që gripi mund të japë. Ka pasur edhe viroza të traktit gastro-intestinal, pra kryesisht me bark, me të vjella, me temperaturë, me dhimbje të forta koke, dhe preken kryesisht rrugët e frymëmarrjes.
Si mund të mbrohemi nga virozat?
Sa janë pa u prekur ende nga gripi duhet bërë kujdes që të shmanget qëndrimi për një kohë të gjatë në ambiente të mbyllura. Evitim i daljeve, sidomos për fëmijët, kur temperaturat janë shumë të ulëta. Ushqimi duhet të jetë i pasur me lëngje, me vitamina, pra duhet një dietë e pasur.
Kush rrezikohet më shumë nga virozat?
Të gjithë mund të prekemi, por më të rrezikuarit janë fëmijët, por edhe të rriturit që kanë sëmundje të tjera sekondare. Pra të sëmurët kronikë. Kjo sepse imuniteti i tyre është me i ulët për shkak të sëmundjes që kanë.
Çfarë duhet të bëjmë kur prekemi nga virozat?
Në momentin që prekemi nga virozat duhet një mjekim simptomantik, që në varësi të shenjave që kemi duhet të marrim mjekimin. P.sh. nëse fëmija ka temperaturë merret një medikament që ul temperaturën, siç është paracetamoli, ponstan, iboprofeni. Gjithashtu duhet të përdoren shumë çaji, supërat, lëngjet. Por, ajo që është më e rëndësishme është edhe konsultimi me mjekun, në këtë rast me pediatrin dhe jo me farmacistin. Antibiotikët nuk duhet të merren në rast të një viroze normale, së cilës i duhen 5 ditë për të plotësuar kurbën e saj. Në rastet kur kemi komplikacione të gripit, atëherë rekomandohet përdorimi i antibiotikut.
Çfarë komplikacionesh mund të sjellë moskurimi apo kurimi i gabuar i virozave?
Në raste se ka shenja të virozave duhet bërë menjëherë vizita te mjeku i familjes. Nëse nuk ka mundësi që ta bëjnë këtë, atëherë këshillohet përdorimi i paracetamolit për uljen e temeraturës, por jo të aspirinës. Komplikacionet e një infeksioni viral mund të jenë një sinozit, një infeksion urinar etj.
Si duhet të vishen fëmijët?
Me veshjen duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi njëherë ftohtë një herë ngrohtë, bën që fëmija të djersitet dhe ajo djersitje është e keqe dhe mund ta ftohë fëmijën. Unë do t’i rekomandoja nënat t’i veshin fëmijët ashtu siç vishen për veten e tyre sepse edhe fëmija e ndjen njësoj temperaturën. Nëse nëna e ndien që është ngrohtë, është vapë, ta veshë fëmijën për këtë kohë. Pra veshja duhet të bëhet në varësi të temperaturave. Ashtu siç vishet vetë nëna, ashtu duhet të veshë edhe fëmijët.
Rastet
Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik bëhet e ditur se janë rreth 4900 raste me simptoma të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme tek fëmijët nën 5 vjeç.
Numri i personave që shfaqin simptoma të virozave stinore, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, arrin në rreth 12 000, nga të cilat rreth 10 900 janë raste me infeksione respiratore (të sipërme dhe të poshtme). Trendi në kohë i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqet rritje, krahasuar me javën paraardhëse, kur ishin rreth 10 200 raste të tilla. Megjithatë, ky trend konsiderohet i qëndrueshëm, në një aktivitet të ulët të virozave.
Këshilla
Mjekët këshillojnë për të gjithë mbajtjen e higjenës personale dhe larja e duarve sa më shpesh me ujë e sapun, vendosja e shamisë përpara fytyrës kur teshtin, etj. Në raste të shfaqjes së komplikacioneve, personat e sëmurë duhet të referohen tek mjeku i familjes, në mënyrë që nëse ka një infeksion të rrugëve të frymëmarrjes, me natyrë virale apo jo, të marrë ndihmën e duhur në kohën e duhur në mënyrë që të mos bëhet burim infeksioni.