Kryefaqja Aktualitet “Infermierët të kthejnë pagat”. Premtohet zgjidhje

“Infermierët të kthejnë pagat”. Premtohet zgjidhje

0
Shpërndaje

Mosinterpretimi korrekt i ligjit të ri të Arsimit të Lartë, të hyrë në fuqi në vitin 2015, po rrezikon mbi 4.000 infermierë të diplomuar në vitet 2002-2006. Kjo, për arsye se në atë kohë, diploma e tyre është vlerësuar si master profesional “3+1”, ndërsa sipas ligjit të ri të Arsimit të Lartë, ajo diplomë zhvlerësohet, duke u konsideruar si diplomë e nivelit të parë “Bachelor”.

Atyre do t’u duhet që të kthejnë mbrapsht 28 mijë lekë të pagës që kanë marrë në vite. Nga ana tjetër, ata do të pësojnë ulje të pagës deri në 4.000 lekë për çdo muaj. Por, nuk përfundon këtu. Atyre do t’u duhet t’u rikthehen studimeve për të përmbushur kriterin që u dikton ligji, që diploma e tyre të vlerësohet si master profesional.

“Në një nga spitalet është parë si problematikë financiare kjo çështje dhe është ngritur nga ata për të zgjidhur problemet ligjore që mund të vijnë nga pagesat për nivelin e duhur të diplomës. Pse pikërisht tani, sepse tani është kapur”, thotë Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë.

Nga kontaktet që ka pasur për këtë çështje me Ministritë e Shëndetësisë dhe të Arsimit, rektori Gjata shprehet optimist për zgjidhjen, përndryshe shpjegon:

“Nëqoftëse diploma do të njihej si ‘Bachelor’ me siguri do të rrezikonin uljen e pagës. Ndërsa për sa i përket kthimit të parave, nuk është kaq e thjeshtë nga ana ligjore të kthesh paratë, kur punëdhënësi të ka vlerësuar me një pagë të caktuar”, thotë më tej Arben Gjata.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë për Top Channel se, ministrja e Shëndetësisë ka urdhëruar ditën e enjte në mbrëmje të gjitha spitalet e vendit, që të pezullojnë shkresën për uljen e pagave të infermierëve të diplomuar në vitet 2002-2006.

Ndërsa Ministria e Arsimit, përmes një njoftimi zyrtar thotë se po e ndjek me përparësi çështjen.

“Sigurojmë infermierët se nuk duhet të kenë asnjë shqetësim për pagat e tyre dhe as për kohëzgjatjen dhe vitet e studimit, pasi jemi duke i dhënë një zgjidhje ligjore kësaj çështjeje”./ Top Channel

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here