Bisedoi: Denisa Canameti
Vera Ndoja është kryeinfermiere në Qendrën Shëndetësore numër 8, në Tiranë. Ëndrra e saj ishte të bëhej ekonomiste. Infermierinë e quan një rastësi, që më vonë mësoi ta donte dhe ta vlerësonte. Vera, përçon gjithë pozitivitetin e vet, edhe në pak minuta takim me të. Ajo flet me një pasion shumë të madh për punën, pacientët dhe kolegët. Në një intervistë për lexuesin e gazetës Shëndet plus, Vera flet për profesionin dhe përditshmërinë e saj në kontakt me njerëzit dhe në shërbim të njerëzve.
Vera, pyetja e parë që vjen natyrshëm përballë çdo infermieri është se pse keni zgjedhur këtë profesion?
Në fakt, edhe mua më vjen natyshëm të them që infermieria më zgjodhi mua. Ëndërrova të jem ekonomiste, por nuk u realizua për shkak të rrethanave të kohës, studiova për letërsi dhe më vonë ndoqa të gjithë ciklin e plotë të studimeve në degën e infermierisë. Sot them që kam bërë zgjedhjen e duhur. Ushtroj një profesion mjaft fisnik dhe të bukur, si dhe kam mundësinë të ushtroj dhe mësimdhënien si Pedagoge e Jashtme në Fakultetin e Infermierisë. Ndihem mjaft e realizuar.
Çfarë ju bën të ndiheni kaq komod me këtë profesion?
Më shumë se komod, do të thoja që ndihem e përmbushur. Mendoj se çdo njeri kur zgjedh një profesion, shkon edhe drejt natyrës së tij si individ, drejt karakterit të vet. Kërkon nga profesioni atë që i pëlqen të bëjë edhe në jetën jashtë profesionit.
Personalisht, dua shumë t’i ndihmoj njerëzit. Nuk lodhem kurrë, sado të shkojë numri i njerëzve që trokasin në derën time për ndihmë. Në pozicionin e kryeinfermieres, nuk kam penalizuar kurrë asnjë kolege, edhe nëse ka ndihmuar dikë duke cenuar ndonjë rregull të vogël. Kam 15 vite si Kryeinfermiere në Qendrën Shëndetësore numër 8, dhe përfaqësoj 54 infermier të kësaj Qendre Shëndetësore. Kam punuar me brezin e infermierëve të vjetër mjaft të edukuar dhe punoj me brezin e ri që duan edukim në vazhdim. Ne kemi një profesion që shkon përtej rregullave të prera. Kërkon humanizëm, kërkon zemër, kërkon durim të madh, kërkon një fytyrë të buzëqeshur që njerëzit mos të marrin asnjë perceptim negativ nga takimi me ne.
Flitet për një marrëdhënie të acaruar mes personelit shëndetësor dhe pacientëve, cila është eksperienca juaj?
Mund ta them me shumë krenari që në këtë Qendër Shëndetësore nuk është shënuar asnjë rast konflikti me pacientët. Dhe kjo jo për hir të kësaj interviste, por sepse kështu është. Kemi një komunikim shumë të mirë me pacientët. Mendoni që bëhet një punë kolosale. Është një organizim i jashtëzakonshëm që bëhet për t’ju përgjigjur nevojave të popullatës që mbulojmë. Bëhet një punë shumë e madhe edhe në terren. Në këto kushte, edhe njerëzit sigurisht që do na shohin pozitivisht. Duhet thënë këtu që sa i takon konflikteve, më të shpeshta janë në spitale e sidomos në urgjenca, ku fluksi i punës është jashtëzakonisht i madh. Koha e reagimit dhe veprimit është e shkurtër. Sepse unë jam e bindur që infermierët, meqë po flasim pikërisht për ata, kanë një prirje që të kenë komunikim me njerëzit, të flasin dhe të shmangin maksimalisht edhe konfliktet verbale.
Çfarë duhet të presin njerëzit nga përballja me infermierin? Cili është roli?
Ne themi që roli i çdo infermieri është që të ndihmojë njerëzit e sëmurë ose të shëndetshëm, në ruajtjen ose rifitimin e shëndetit. Dhe kudo që ushtrojnë profesionin infermierët, pra në cilindo nivel shërbimi thelbi është ky. Pacientët duhet të presin pikërisht këtë gjë, me besimin e plotë se çdo infermier gjithmonë do të bëjë më të mirën përballë tyre. Infermierët janë të përgatitur për këtë rol, shumica prej tyre, edhe pa nisur Fakultetin. Sepse siç e thashë më lart, nëse nuk është në karakterin e individit për të qenë human, nuk mund të bëhet infermier dhe ska për ta zgjedhur infermierinë. Nuk ndodh, dhe e them me bindje që janë raste sporadike ato ku infermieri qëndron indiferent ndaj një pacienti që kërkon shërbim.
Keni marrë dhe një certifikatë mirënjohje nga Urdhri i Infermierit për punën dhe kontributin në këtë sektor… Çfarë do të thotë për ju ky çmim?
Do të thotë shumë. Një njeri që e do atë që bën, nuk pret kurrë vlerësime në formë certifikatash, ndaj edhe kur vjen kjo formë vlerësimi, entuziazmi dhe emocioni është i natyrshëm. Certifikatë mirënjohjeje: Për kontributin e çmuar, humanizmin dhe vetëmohimin e treguar në punën e saj si infermiere ndër vite, në shërbim të mijëra jetëve njerëzore. Tiranë, Maj 2019
Po marrëdhënia me kolegët?
Kemi marrëdhënie shumë të mirë midis kolegësh. Është e domosdoshme edhe për mbarëvajtjen e punës. Mendojmë si ekip dhe veprojmë si ekip. Kjo është edhe motoja e punës së përditshme. Ne e nisim ditën bashkë si miq në kafe, dhe e vazhdojmë si profesionistë gjatë orarit të punës.
A ka sfida kjo punë?
Sigurisht që ka, dhe shumë. Puna që bëhet që në fund pacientët të marrin më të mirën, është një sfidë më vete. Organizimi i së tërës për të krijuar harmoni, është sfidë më vete. Kujdesi ndaj pacientit mund të jetë sa detyrim aq edhe kënaqësi. Për të përmbushur këtë detyrim, shpesh tejkalojmë edhe veten. Numri i pacientëve që presim çdo ditë, që kemi në ngarkim, është i madh. Ne kemi përgjegjësi për ta. Është përgjegjësia jonë edhe ti edukojmë, ti afrojmë me Qendrën Shëndetësore, ti afrojmë me mjekun e familjes, jo vetëm kur sëmundja ka përparuar. është detyra jonë që të njohim çdo kartelë mjekësore dhe historikun e secilës prej tyre në dinamikë.