Shoqëria është bërë “jashtëzakonisht arrogante” duke injoruar rëndësinë e gjumit, bëjnë të ditur shkencëtarë të njohur në Ditën e Orës Biologjike
Përgatiti: Arlinda Gjypi
Shkencëtarë nga Universitetet e Oksfordit, Kembrixhit, Harvardit, Mançesterit dhe Surreit paralajmërojnë se pagjumësia po shkakton probleme shëndetësore tepër serioze. Ata thonë se njerëzit dhe qeveritë duhet ta marrin shumë seriozisht këtë problem.
Kanceri, sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2, infeksionet dhe obeziteti janë të gjitha të lidhura me gjumin e reduktuar. Ora biologjike e trupit të njeriut shkakton ndryshime të mëdha te njerëzit. Ajo alternon vigjilencën, humorin, forcën fizike, por edhe rrezikun e një ataku kardiak gjatë ritmit ditor. Ajo rrjedh nga e shkuara, kur njerëzimi ka qenë aktiv gjatë ditës dhe ka pushuar gjatë natës.
Shkencëtarët paralajmërojnë se jeta moderne dhe civilizimi 24-orarësh nënkupton se njerëzit tashmë po “jetojnë kundër” orës së tyre biologjike, duke nxitur pasoja shkatërrimtare për shëndetin dhe mirëqenien.
Profesor Russel Foster i Universitetit të Oksfordit thotë se njerëzit flenë 1-2 orë më pak gjatë natës krahasuar me 60 vite më parë. Ai shton se ne “jemi speciet më arrogante të mundshme, sepse mendojmë se mund të braktisim 4 miliarda vitet e evolucionit tonë dhe të injorojmë faktin se jemi zhvilluar përmes një cikli dritë-errësirë. Ajo që bëjmë ne si specie, ndoshta unike, është të përshpejtojmë kohën. Dhe veprimi për një kohë të gjatë kundër-orar mund të çojë në probleme tepër serioze me shëndetin”.
Ai thotë se kjo është një çështje që ka prekur të gjithë shoqërinë, jo vetëm punonjësit e natës. Madje, ky është një problem akut veçanërisht tek adoleshentët, teksa ka takuar fëmijë që për të fjetur pinë ilaçet e gjumit të prindërve të tyre dhe për t’u zgjuar pinë nga tre Red Bull në mëngjes. Të dhënat e fundit sugjerojnë se teknologjia moderne po na mban gjithnjë e më zgjuar gjatë natës dhe po na lë pa gjumë.
“Drita është sinkronizuesi më i fuqishëm i dritës sonë biologjike”, thotë profesor Charles Czeisler, nga Universiteti i Harvardit. “Ekspozimi ndaj dritës, veçanërisht ndaj dritës me gjatësi valore blu (drita e ekraneve të celularëve apo kompjuterave) gjatë mbrëmjes e nis ritmin tonë të ciklit ditor me 1 orë vonesë, duke shtyrë lëshimin e hormonit të gjumit dhe duke e bërë më të vështirë për ne që të ngrihemi herët në mëngjes.
“Është një shqetësim i madh që ne po i ekspozohemi më shumë dritës, duke fjetur më pak dhe si rrjedhojë duke vuajtur nga shumë sëmundje kronike”.
Kërkimet gjenetike tashmë po zbulojnë se si jetesa kundër orës biologjike po dëmton trupin tonë. Rreth 10% e ADN-së së njeriut ka një aktivitet të përcaktuar 24-orësh, i cili qëndron pas çdo ndryshimi psikologjik dhe në sjellje të trupit tonë. Por studimet kanë treguar se ritmi mund të ndërpritet nga pagjumësia ose nga puna natën.
Doktor Simon Archer, i cili drejtoi studimin në Universitetin e Surreit tha se ka një “ndikim të madh” në mënyrën se si trupi vepron. “Këto janë çështje që mund të fshihen pas problemeve shëndetësore, si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, obeziteti dhe risku për kancer tek personat që nuk flenë mjaftueshëm ose që punojnë natën”, u shpreh ai.
Doktor Akhilesh Reddy, nga Universiteti i Kembrixhit, thotë se ora biologjike ndikon çdo proces biologjik në trupin e njeriut e për rrejedhojë pasojat shëndetësore të një jetese kundër kësaj ore janë vërtet të rrezikshme, sidomos kur bëhet fjalë për kancerin e gjirit.
Ai u shpreh: “Mundohuni të jetoni më në harmoni me mjedisin dhe mos kini shumë ndriçim para gjumit, pasi ajo ndikon në gjumë.
Profesori Andrew Loudon nga Universiteti i Mançesterit thotë: “Problemet e shkaktuara nga jetesa kundër orës biologjik mund të jenë më pak tërheqëse sesa shprehjet e tipit ‘kjo apo ajo shkakton kancer’ e megjithatë janë një problem shumë i madh për shoqërinë.
“Efektet negative nga një jetesë e tillë mund të mos jenë të dukshme menjëherë në shëndetin tuaj, por në një periudhë afatgjatë, problemet do të jenë shumë të rënda.
“Qeveritë duhet ta marrin seriozisht një paralajmërim të tillë, duke nisur nga rishikimi i problemeve shëndetësore që sjell puna natën dhe ligjvënësit bëjnë mirë ta kenë në programin e tyre një çështje të tillë”.


