Institucionet ku mund të drejtoni ankesat për shkelje të të drejtave si pacientë

Avokati i Popullit mbron të drejtat dhe liritë e shtetasve nga veprimet apo mosveprimet e paligjshme të organeve të administratës publike, ku bëjnë pjesë edhe institucionet shëndetësore. Çdo pacient që privohet nga një shërbim shëndetësor ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë Avokatin e Popullit dhe të kërkojë ndërhyrjen e tij. Ankesat mund të drejtohen me telefon, e-mail, letër apo duke u paraqitur në zyrën e Avokatit të Popullit, i cili rekomandon marrjen e masave për vënien në vend të së drejtës së shkelur.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka për detyrë të sigurojë në praktikë, barazinë përpara ligjit dhe mbrojtjen efektive nga diskriminimi të të gjithë shtetasve, përfshirë edhe pacientët që marrin një shërbim shëndetësor. Ankesat për diskriminim mund të vijnë përmes plotësimit të formularit on-line, ankesave me shkrim të shtetasve dhe shoqatave të pacientëve apo përmes paraqitjes në zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Në rast moszbatimi të vendimeve të tij, Komisioneri mund të ndëshkojë me gjobë institucionet përgjegjëse.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka për detyrë të garantojë të drejtën për t’u informuar si dhe të mbrojë të dhënat personale të çdo shtetasi, përfshirë edhe pacientët që marrin një shërbim shëndetësor. Në rast të shkeljes së këtyre të drejtave nga autoritetet shëndetësore, pacientët mund t’i drejtohen Komisionerit brenda afatit prej 30 ditë pune, duke plotësuar formularin e ankesës on-line, me telefon apo përmes ankesave me shkrim. Në rast shkeljeje të këtyre të drejtave, Komisioneri mund të vendosë gjobë për nëpunësit përgjegjës.

Ky artikull u prodhua nga “Together for Life” në kuadër të projektit “Të drejtat e pacientëve në sistemin e drejtësisë”, si pjesë e skemës së granteve të projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Save the Children në partneritet me Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e vetme e “Together for Life” dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Save the Children dhe Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.

 

Postime të ngjashme

3 ushqime që duken të shëndetshme, por nuk janë të tilla
53% e vdekjeve nga zemra, u shtuan ato nga dëmtimet dhe endokrinet në 2025
Rishikimi i Buxhetit 2026: Financime shtesë për shëndetësinë
Temperaturat e larta, Brataj: Vapa rrit infarktet, trombozat dhe vdekjet e papritura
Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025
Inaugurohet materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’, Sala: 1.2 mld lekë investim
Paradoksi i shëndetësisë shqiptare: Të parët në Ballkan për shpenzimet spitalore, të fundit për financimin publik
Si ta ruani avokadon të freskët për më gjatë? Truket e thjeshta që funksionojnë