Kryefaqja Shendeti a-z I Insuficienca kardiake, shenjat klinike të sëmundjes

Insuficienca kardiake, shenjat klinike të sëmundjes

0
Shpërndaje

Elton Qeli, mjek kardiolog

Insuficienca kardiake (IK) është pamjaftueshmëria e zemrës për të pompuar gjakun në trupin e njeriut siç duhet, si rezultat i pakësimit të eficencës/funksionit pomp që ka zemra, për shkaqe nga më të ndryshmet.

Klasifikohet në dy ndarje të rëndësishme:

  1. Insuficiencë kardiake sistolike
  2. Insuficiencë kardiake diastolike

Cilat janë shenjat klinike të sëmundjes?

Insuficienca kardiake ndër shenjat klinike kryesore të saj ka vështirësinë në frymëmarrje, e cila mund të manifestohet në sforco të caktuara fizike, të lehta ose të moderuara, por edhe në kushte qetësie. Për këtë arsye, ajo ndryshe klasifikohet si insuficiencë kardiake në katër klasa të rëndësishme, që janë klasa 1, 2, 3, dhe 4 varësisht momentit kur shfaqet vështirësia në frymëmarrje në lidhje me sforcimin fizik ose efortin. Përveç vështirësisë në frymëmarrje, ankesa të tjera që paraqesin personat me insuficiencë kardiake janë lodhja e shprehur/këputja trupore, mungesë oreksi si rezultat i stazës së gjakut venoz në stomak ose zorrë dhe enjtja e gjymtyrëve të poshtme. Këto janë shenjat/ simptomat subjektive, pra që na i referon vetë pacienti gjatë vizitës, pasi kemi edhe shenja objektive që konstatohen nga mjeku gjatë ekzaminimit klinik. Ndër këto shenja mund të përmendim ngarkesën e mushkërive në formën e raleve, që mund të jenë rale krepitante, mund të dallojmë fyerjen e venave jugulare nga mos mbushja siç duhet e zemrës me gjak, ënjtjen e gjymtyrëve të poshtme/ edemat, ndonjëherë mund të kenë edhe versament pleural.

Sa shpesh haset kjo patologji?

Insuficienca kardiake është një sindromë klinike që në përgjithësi haset si rezultat i një ecurie kronike afatgjate të një sëmundje të caktuar primare të zemrës. Pra, insuficienca kardiake si sindromë klinike ka një bazë primare nga e cila zhvillohet, që do të thotë, mund të jetë një pacient me hipertension për shembull ose që ka vite që mjekohet me hipertension, por që me kalimin e kohës ka zhvilluar kardiopati hipertensive dhe kjo pastaj mund të klasifikohet klinikisht edhe si insuficiencë kardiake. Ndërkohë që insuficienca kardiake mund të manifestohet edhe në kuadrin afatgjatë të një sëmundje ishemike të zemrës ose një sëmundje të artereve koronare, pacient i cili mund të ketë kaluar një infarkt të mëparshëm, mund të ketë pësuar zemra rimodelim (zmadhim), çrregullime të lëvizshmërisë segmentare, të mureve të zemrës. Të gjitha këto me kalimin e kohës bëjnë që të kemi një ulje të funksionit sistolik ose të funksionit pompë të zemrës, dhe klinikisht mund të manifestohet me insuficiencë kardiake. Insuficienca kardiake mund të jetë një gjetje klinike edhe në rastet kur një pacient ka aritmi (çrregullime të ritmit të zemrës), dhe kur kjo vazhdon për një periudhë të gjatë dhe frekuenca ngelet e lartë, ata mund të manifestojnë edhe insuficiencë kardiake e cila bazën mund ta ketë tek aritmia.

Por, insuficienca kardiake haset dhe në patologji të tjera të cilat ne mund t’i hasim jo shpesh në shërbimin parësorë, por që kur i hasim janë patologji specifike ose patologji që mund të shoqërohen me insuficiencë kardiake, siç mund të jetë sarkoidoza,  amiloidoza e zemrës, pra janë sëmundje sistolike por që mund të prekin dhe zemrën në deskursin e tyre. Mund të jenë hemokromatoza, por insuficienca kardiake ndërkohë mund të shfaqet si sindroma klinike edhe atëherë kur nuk ka një patologji primare bazë të zemrës, por mund të ketë problem të tjera të cilat klinikisht mund të shoqërohen me dispne, siç mund të jetë për shembull një anemi e rëndësishme, ku kemi një rënie të kuadrit të hemoglobinës dhe në këtë rast pacientët mund të manifestojnë vështirësi në frymëmarrje.

Një gjetje tjetër që unë e has shpesh në praktikën klinike janë dhe pacientë që kanë problem me funksionin e gjëndrës tiroide, sidomos ata që kanë hipertirozë, pra rritje të funksionit të tiroides. Në shumë raste këto shoqërohen me çrregullime të ritmit të zemrës dhe kryesisht me takikardiomiopati, dhe kjo bën që në një dekurs afatgjatë të sëmundjes pacienti të ketë rrahje të shpejta të zemrës, si edhe vështirësi në frymëmarrje, pra klinikisht të ketë edhe insuficiencë kardiake, por që baza mbetet gjithmonë një problem ekstrakardiak.

Sikundër mund të ketë dhe probleme të tjera, siç mund të jetë një gjendje febrile, një gjendje me temperaturë të lartë ose një gjendje me një infeksion bronkopulmonarë akut që mund të shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje. Në këtë rast, kjo ka vlerë në pacientët që kanë probleme kronike të zemrës, sepse një infeksion bronkopulmonarë mund të ndodhi dhe në një subjekt të ri/ të pa sëmurë ndonjëherë më parë dhe që nuk ka probleme bazale të zemrës. Në këtë rast kjo shoqërohet me insuficiencë kardiake, ndërsa nëse një infeksion bronkopulmonarë me bronkopneumopati akute zhvillohet mbi bazën e një problemi kronik të zemrës, në shumë raste ai shoqërohet me  një ekzacerbim (shpërthim) të këtij problemi  dhe insuficencë kardike, sidomos tek pacientët që kanë problem kronike me zemrën me rimodelim të saj, me kardiomiopati të dilatuar ose zemër të zmadhuar, tek këto raste duhet të kenë kujdes dhe të mbrohen nga infeksionet bronkopulmonare, sepse vetë këto infeksione mund të zhvillojnë insuficiencë kardiake ose ta rëndojnë kur ajo është e shfaqur tek këto subjekte./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here