Iris Luarasi: Sekretet e të qenit në formë

Iris luarasi me femijetPedagoges nuk i pëlqejnë 50-vjeçaret që tentojnë të duken si 20, por as të rejat që bëjnë ndërhyrje. Vlerëson moshën, ndonjë rrudhë tek-tuk, personat që kujdesen për veten e sidomos ushqimin në Shqipëri

Aishe Thartori

Iris Luarasi është një emër i njohur për këdo. Jo pak herë e shohim si protagoniste në çështje që prekin drejtpërsëdrejti gratë dhe vajzat shqiptare, në debatet televizive apo në sallat e auditorëve të gazetarisë pranë fakultetit të Histori-Filologjisë duke deleguar dijet e saj tek brezat e rinj.

Në morinë e angazhimeve që i marrin pjesën më të madhe të ditës, Irisi gjithmonë gjen hapësirën për t’u kujdesur për veten dhe shëndetin e saj megjithëse për këtë të fundit nuk përpiqet shumë, pasi natyra i ka falur një fizik tepër të rregullt. I pëlqen ushqimi, madje për të, të ushqyerit është një ndër kënaqësitë më të mëdhaja në jetë.

Irisi bën pjesë tek ajo kategori njerëzish që përpiqen të ushqehen shëndetshëm, të kenë një pamje dhe trup të mbajtur mirë, por në të njëjtën kohë, nuk e kufizon vetëm në ushqim. Irisi rrëfen për gazetën “Shëndet Plus”, sekretin e të qenit në formë, kujdesin ndaj shëndetit dhe ushqimet e preferuara.

Sa e kujdesshme jeni ndaj shëndetit tuaj?

Nuk jam shumë e kujdesshme, por shumë neglizhuese. Mendoj se bëj pjesë tek ata njerëz që pa diskutim kujdesen për shëndetin e tyre, përpiqen të hanë shëndetshëm, të kenë një pamje dhe një trup të mbajtur mirë jo të lënë pas dore, por jo deri në detaje. Nuk jam shumë e dhënë pas detajeve.

Kryeni vizita mjekësore pa pasur probleme shëndetësore?

Vitet e fundit kam filluar  që të bëj të paktën një kontroll të përgjithshëm në vit  dhe përpiqem gjithmonë që ta realizoj kur kam një rrugë jashtë vendit, për të pasur sa më shumë siguri që rezultatet e analizave të jenë janë absolutisht të mira, por pa anashkaluar edhe kontrolle të karakterit gjinekologjik që duhet të bëjë një femër. Në fakt, duhet t’i bëj më shpesh.

Përdorni medikamente? Jeni pro apo kundër përdorimit të tyre?

Vite më përpara,kur kam qenë me studime në Amerikë, vura re që të gjithë amerikanët merrnin nga një multivitaminë në ditë, nga ato vitaminat që quhen “one a day” dhe gjatë asaj periudhe u fiksova me të dhe në fakt ky fiksim më ka ngelur sepse vazhdimisht ua blej prindërve të mi, fëmijëve, tim shoqi dhe vetes.

Ç’mendim keni për mjekësinë popullore?

Kam dyshimet e mia lidhur me mjekësinë popullore por nga ana tjetër nuk e refuzoj si teori. Mbaj mend diku rreth viteve ’90-95’ kur punoja tek Radio Tirana ishte një emision ku ftohej vazhdimisht mjeku popullor Arqile Boti. Për shembull, një nga gjërat që më ka ngelur në mendje prej tij është që një pjesë e rëndësishme e sëmundjes është psikologjike dhe nëse i jep vetes kurajë për ta kaluar një gjendje, kjo ndikon shumë pozitivisht. Mbaj mend një batutë të tij: “Po i tha njeriu vetes dyzet herë që është i sëmurë, padiskutim që sëmuret”. Këtë gjë e kam vënë re dhe tek të afërmit e mi: kur mendojnë se janë shumë më të sëmurë nga çfarë janë në të vërtetë, padiskutim që kjo gjë ka tendencë për ta çuar sëmundjen me pasoja negative.

Përsa i takon ushqyerjes, ndiqni ndonjë rregull apo preferoni të ushqeheni sipas dëshirës?

Do ta cilësoja veten si një ngrënëse shumë të mirë, një ngrënëse sasiore, në kuptimin që më pëlqen të ha shumë. Mikeshat e mia gjithmonë çuditen si mund të ha aq shumë. Këtë e kam pasur edhe falë metabolizmit tim. Një nga kënaqësitë e mëdha të jetuarit në Shqipëri është ushqimi dhe do të ishte fatkeqësi e madhe që këtë të mirë t’ia privoje vetes. Në fakt, ndodh me mikeshat e mia që s’kanë të njëjtin metabolizëm që kufizohen shumë në të ngrënë. Ndërsa unë mund të ha edhe gjëra që e di që s’janë shumë të shëndetshme. Por ama pak disiplinë i bëj vetes, sepse kur ha diçka shumë të rëndë në drekë, atëherë në darkë mundohem që të ha shumë lehtë.

Jeni e dhënë pas kuzhinës dhe a keni një pjatë të preferuar?

Unë gatuaj, por më shumë në shtëpi gatuan im shoq. Duke qenë se jam ngrënëse e madhe, kam shumë pjata të preferuara. Pjatat e peshkut janë super të preferuara, mishi i pjekur i qengjit gjithashtu. Madje, ka qenë një periudhë që shkoja gati një herë në dy javë në Vlorë, pasi shkonim posaçërisht për të ngrënë mish të pjekur. Ishte një kënaqësi e madhe. E bëjmë edhe tani, por jo aq shpesh. Por edhe sallatrat më pëlqejnë.

Sa hapësirë zë në jetën tuaj aktiviteti fizik?

Kjo është një nga keqardhjet më të mëdha të jetës sime.Në gjimnaz kam qenë e para e shkollës në vrap dhe më ka pëlqyer të merresha me sport. Gjithashtu kam qenë e angazhuar në basketboll, edhe pse s’kam pasur asnjëherë një trup të gjatë për t’u marrë me këtë sport. Por kam qenë gjithmonë pjesë e skuadrave në shkollë dhe kam qenë shumë e shkathët.

Pjesa e sportit është diçka që më mungon, sepse jam në disa punë. Them gjithnjë me vete që atë kohë që mund ta kaloj me sport, është më mirë ta kaloj me fëmijët e mi. Megjithëse marrja me sport do të ishte në fakt një investim shumë i mirë për veten time dhe është një nga ato investimet që mua më mungon dhe që e dua shumë. Përpiqem që gjatë fundjavave të shkojmë në mal ose në bregdet dhe aktivitetin fizik pëpiqem që ta bëj në këtë formë, megjithëse jo shumë të rregullt.

Jeni pro apo kundër ndërhyrjeve estetike?

Unë përgjithësisht jam kundër ndërhyrjeve estetike në moshë të re. Nga ana tjetër mendoj që Zoti është treguar bujar dhe u ka dhënë mençurinë disa njerëzve që bëjnë kërkime në këtë fushë për të shpikur disa gjëra që njeriu të ndjehet mirë me veten dhe pasi mosha ka kaluar, dhe nuk je më aq e freskët dhe e bukur  siç 10 vite më parë.

Po të më pyesësh mua, jam për ndërhyrjet që duhet të bëhen pasi njeriu mbush 50 vjeç. Mendoj se kjo është mosha që nuk ke pse të mos përfitosh nga këto të mira që ka sjellë shkenca. Nuk e di nëse do ta bëj një ndërhyrje gjithmonë pas të pesëdhjetave, sepse s’mund të bësh plane për këtë gjë në një moshë të tillë.

Kur shoh vajza të reja që fryhen pa asnjë arsye, me thënë të drejtën ndiej një keqardhje të madhe sepse disa prej tyre janë shumë të bukura dhe këto ndërhyrje vetëm i shëmtojnë. Është gjynah i madh që ia bëjnë vetes këtë gjë në moshë të re, duke mos lënë hapësirë për ta bërë kur vërtet ta kenë të nevojë. Sepse në momentin kur je e re dhe ke të gjithë bukurinë e moshës dhe nuk ke asnjë rrudhë, nuk ka  asnjë arsye që të bësh ndërhyrje. Në momentin që mosha bën të vetën edhe unë nuk kam parë askënd që të jetë 50-60 vjeç njëlloj siç ka qenë 20 vjeç.

Pa diskutim jam kundër gjërave të ekzagjeruara, nuk më pëlqen fare kur shoh një grua 50 vjeçe që tenton të ngjasojë 20 vjeç, sepse mendoj që çdo moshë ka bukurinë e saj. Edhe një rrudhë, edhe një thinjë është pjesë e bukurisë së jetës dhe tregon se ti je më i rritur, më i mençur, ke arritur në një stad tjetër të bukur të jetës tënde. Nëse ka një mundësi që ti të rregullosh një problem që ke me fytyrën, nuk ka asgjë të keqe edhe me këtë dhe kur kjo gjë realizohet pa dhimbje dhe është ekonomikisht e përballueshme, patjetër që do ta bëja.

Cila është marrëdhënia juaj me produktet e kozmetikës? A jeni e dhënë pas produkteve të shtrenjta?

Me thënë të drejtën, nuk më duket vetja shumë e kuruar, sepse nuk kam një kujdes 100% në të gjitha ditët. Një njeri i kuruar është gjithmonë ai njeriu që e ka intensiv nivelin e kujdesit për veten në të gjitha ditët e jetës së tij, ndërsa unë e kam me ulje dhe ngritje. Në fundjavë nuk njihem fare nga kjo pikëpamje, sepse mund të jem sportive ose me xhinse. Duke qenë se jam bionde, patjetër më duhet të bëj një rimel dhe buzëkuq, sepse e kam të nevojshme.

Nga pikëpamja e produkteve të kozmetikës, mundohem që gjërat që blej të jenë cilësore. Nuk jam gjithmonë e mendimit se gjërat e shtrenjta janë produktet më të mira. Për shembull, një nga gjërat që unë nuk pëlqej më të përdor në jëtën time është “Chanel”, pasi pata një problem shumë të madh me fytyrën që ma krjoi kremi i kësaj marke. Kështu që nuk përdor më kremrat e saj (sigurisht parfumet janë një tjetër çështje). Përpiqem shumë që të mos përdor gjithnjë të njëjtën linjë, i ndryshoj vazhdimisht nga frika e madhe se mos krijoj varësi prej tyre. Përdor linja që nuk janë shumë të lira, por as tmerrësisht të shtrenjta, por që janë produkte shumë të mira. Për këtë gjë këshillohem edhe me mikeshat e mia, veçanërisht me ato që kanë një zë në kapitull në këtë fushë.

A mendoni se shqiptarët kanë edukimin e mjaftueshëm në lidhje me kujdesin që duhet të tregojnë ndaj shëndetit? Mediat a kanë luajtur një rol, kanë dhënë mjaftueshëm informacion?

Mendoj se jo. Të paktën krahasuar me median amerikane që ka programe pa fund të detajuara për pjesën që ka lidhje me shëndetin. Programet më të shikuara në Amerikë siç është Oprah Ëinfrey Shoë një pjesë të madhe të programit ia dedikonte rubrikës së shëndetit dhe nëqoftëse tani doktor Rozi është një njeri me shumë emër, këtë e ka falë saj.

Kjo gjë nuk bëhet në vendin tonë, ku njerëzit kanë dilema shumë të mëdha përsa i përket pjesës së produkteve, nëse duhet t’i hanë apo jo, nëse duhet t’i kombinojnë me diçka apo jo. Mendoj që sa më shumë rubrika të tilla të ketë, aq më mirë është. Megjithatë, ka përpjekje pa fund nga gazetarët për t’i futur këto lloj rubrikash, por ndoshta duhet të gjendet mënyra e duhur dhe më interesante në mënyrë që njerëzit të ndjehen pjesë e procesit.

Unë them që një program është i arrirë në momentin kur e kam parë njëherë dhe mezi pres të vijë dita tjetër për ta dëgjuar përsëri këtë njeriun që jep këshilla të çmuara, të cilat unë i besoj. Sepse është edhe çështje besimi.

Në këtë rast duhet pasur shumë kujdes tek njerëzit që ti fton në studio, sa të besueshëm janë për publikun dhe sa personalitet kanë për t’ua mbushur mendjen njerëzve, sepse mund të ketë edhe mjek shumë të mirë, por që nuk dinë të delegojnë dijet e tyre. Tek kjo pjesë duhet të fokusohen gazetarët, tek temat që duhet të jenë shumë të rëndësishme dhe shumë interesante në mënyrë që të përfshijnë publikun dhe tek personalitetet që zgjedhin, sa besueshmëri kanë ata në publik dhe sa besueshmëri kanë në komunitetin mjekësor për t’i dhënë ato këshilla.

Një mesazh për gazetën “Shëndet Plus” dhe për lexuesit e saj.

Gjërat që thashë pak më lart në lidhje me mediat kanë një mesazh në lidhje me këtë pjesë. Mendoj se gazetat dhe revistat që kanë lidhje me shëndetin, janë nga më populloret në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse jo të gjithë njerëzit janë të informuar. Askush nga ne s’ka ditur pa lexuar disa nga këta artikujt që të ndriçojnë për mënyrën sesi duhet të ushqehesh, për mënyrën sesi duhen marrë vitaminat, si të rrisësh fëmijën etj.

Unë kam qenë një njeri me fat që kam pasur si guidë gjatë kohës që kam qenë shtatzënë apo kam lindur fëmijët dhe janë rritur një libër që është nga më të shiturit në Amerikë që është “Çfarë të presësh” . Çfarë të presësh kur ti je duke pritur? Çfarë të presësh kur fëmija mbush një vjeç, kur ai mbush dy deri në tre vjeç? Këto libra janë të ndërtuar në mënyrë të atillë, nga stafe mjekësh. Janë shumë popullorë dhe të shitur në të gjithë botën për shkak se japin këshilla të dobishme, të cilat secili nga ne ka nevojë  t’i dijë.

Ka shumë njerëz që do të dëshironin të shihnin pjesë të këtyre librave në faqet e gazetave shëndetësore.

Postime të ngjashme

Dietat drastike – Nutricionistja Silvia Guxho: Ja çfarë ndodh në trupin tonë!
5 ushqime që përmirësojnë shëndetin tuaj mendor
8 zakone të thjeshta që ndikojnë në sheqerin në gjak
Drithërat më të mira për mëngjes dhe si t'i zgjidhni ato
Tetori rozë, Rama: Bëni mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale
Sinjalet që ju jep trupi për të treguar se keni nevojë për kontroll mjekësor
Emërohet drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik
Menopauza dhe kolesteroli: Çfarë duhet të dini