Mjekët shkojnë nëpër konferenca, regjistrohen dhe pastaj largohen. Në fund marrin kredite, por nuk kanë marrë asnjë njohuri të re lidhur me profesionin e tyre
Denisa Canameti
Të gjithë mjekët pa kredite do të humbasin vendin e tyre të punës! Ky ishte paralajmërimi i ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për atë pjesë të stafit
shëndetësor, i cili nuk ka mjaftueshëm kredite për t’u kualifikuar për punën e vet. Një gjë e tillë duket se i ka bërë mjekët që të gjejnë zgjidhje. Një prej tyre është pjesëmarrja në konferenca të ndryshme, të organizuara në vend apo jashtë. Në këto konferenca mjekët regjistrohen dhe pretendohet që të marrin njohuri, të cilat përkthehen në kredite.
Por sa ndodh një gjë e tillë? Në konferenën më të fundit të zhvilluar në Tiranë nga Shërbimi i Kirurgjisë Maksilo-Faciale dhe Shoqata Shqiptare e Kirurgëve Oromaksilofacialë, emrat e mjekëve të regjistruar ishin të shumtë. Megjithatë ndryshe nga lista e gjatë, pjesëmarrja në sallë tregonte se në fakt të pranishëm nuk ishte as një e treta e të regjistruarve. Shumë mjekë vinin, shënonin emrin dhe më pas largoheshin për një kafe ose iknin në punët e tyre. Kishte edhe nga ata që qëndronin për pak kohë e megjithatë në vend të dëgjimit të vëmendshëm për përvojat e sjella nga kolegë të tyre nga vende të ndryshme të Evropës, në fakt merreshin me telefonin…
Regjistrimi në këtë konferencë kushtonte 5000 lekë (të reja), ndërkohë që numri i krediteve të përfituara nga mjekët pjesëmarrës është 14. Një numër i konsiderueshëm marrë parasysh rëndësinë e konferencës.
I pyetur lidhur me këtë çështje, mjeku kirurg oromaksilofacial, Esat Bardhoshi, thotë se historia e edukimit në vazhdim është një histori që duhet përmirësuar.
“Mund të themi me keqardhje se konferencat dhe çështja e krediteve po marrin një karakter formal. Për ne që e organizojmë është e vështirë që të ndjekim çdo mjek në hyrje-daljet e veta. Jemi të vetëdijshëm që shumë prej tyre vijnë, paraqiten dhe ikin duke mos marrë asnjë njohuri nga kjo konferencë. Ndërkohë në fund të gjithë pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje dhe përfitojnë kreditet që nënkuptojnë që ata kanë mësuar diçka.
“Mendoj se një zgjidhje është ajo që i kanë dhënë edhe disa vende të botës. Domethënë në fund të konferencës, përpara se të merren certifikatat, të realizohen disa teste të shkurtra dhe në bazë të përgjigjeve, të jepen edhe kreditet që meriton çdo mjek”, shprehet Bardhoshi.
Nëse i pyet vetë mjekët pjesëmarrës, ata thonë nën zë se po u ikën rroga duke blerë kredite, pasi ata nuk kanë mundësinë financiare të lëvizin nëpër botë dhe të ndjekin konferenca. Por duket se edhe kur konferencat zhvillohen në Shqipëri, interesi i një pjese të madhe të tyre është zero, pavarësisht se në këto konferenca sillet edhe përvoja e mjekëve të huaj.
***
Lidhur me çështjen e edukimit në vazhdim, gazeta “Shëndet+” kontaktoi edhe me drejtoreshën e maternitetit “Koço Gliozheni”, si dhe me drejtuesin e neurokirurgjisë, profesor Mentor Petrelën. Duket se edhe prej tyre është vënë re absurdi i marrjes së krediteve pa marrë absolutisht asnjë njohuri.
Rubena Moisiu: Mjekët kanë mendësi të gabuar
Shikoj vit për vit mjekët obstetër-gjinekologë të cilët kur shkojnë nëpër konferenca, ditën e parë e mbushin sallën plot. Po them ditën e parë, për të mos thënë që mbushin vetëm orën e parë, kur është pjesa ceremoniale, e cila në fakt duhet të interesojë më pak. Kur fillon tamam konferenca, kur është pjesa që vërtet mjekëve duhet t’u interesojë për të marrë njohuri, aty pastaj shohim që mbetet një numër shumë i vogël mjekësh që dëgjojnë.
Mjekët shqiptarë kanë një mendësi të gabuar për edukimin në vazhdim. Ideja e krediteve është bërë i detyrueshëm dhe ky është një mekanizëm që funksionon në të gjithë botën. Po nuk mblodhe kreditet që shefi të ka dhënë, ti nuk e ke më atë vend pune.
Shqiptarët e kanë kështu: Mbarove Fakultetin e Mjekësisë? Mbarove një specializim? E ke kapur vendin e punës dhe nuk e lëshon më.
Mentor Petrela: Nuk ka kuptim shprehja “mbaroj studimet”
Edukimi i vazhdueshëm është kyç në një shoqëri, por në fakt këtu tek ne nuk kuptohet. Vetëm në Shqipëri ndodh, thoshte Konica, të ekzistojë shprehja “mbaroi studimet”. Studimet nuk mbarojnë. Mund të thuash ndoqi studimet në Fakultetin e Mjekësisë ose, të erdhi rasti dhe të thuash, studiova në Harvard, por studimi nuk mbaron deri sa të ikësh nga kjo jetë.


