Një kërkesë për informacion e gazetës “Shëndet Plus”, drejtuar Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ka përfunduar si çështje në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Shëndet Plus ka kërkuar informacion nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor lidhur me numrin e inspektimeve që janë kryer gjatë viteve 2016-2017 në klinikat dhe spitalet private, dhe nëse janë marrë masa administrative deri në mbylljen e tyre për shkak të shkeljeve të konstatuara.
Pjesë e kërkesës për informacion ishte edhe çështja nëse ky Inspektoriat ka konstatuar shkelje të ligjit lidhur me kryerjen e aborteve, nëse janë konstatuar raste të kryerjes së aborteve pas javës së 12 të shtatzënisë dhe nëse janë marrë masa ndaj klinikave dhe spitaleve private, që kanë kryer aborte pa qenë të licencuara apo në shkelje të ligjit.
Në bazë të ligjit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor është institucioni përgjegjës për të gjitha funksionet e inspektimit të Ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, planifikon dhe bashkërendon veprimtarinë e inspektimit, informon publikun për veprimtarinë e inspektimit, etj.
Meqenëse nga ky autoritet publik nuk është kthyer përgjigje mbi Kërkesën për informim, në dt. 27.04.2018, Gazeta “Shëndet Plus” paraqiti Ankim tek Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili pasi bëri hetim administrativ si dhe dëgjoi palët konstatoi se, ankesa e gazetës “Shëndet Plus” është e bazuar në ligjin për të drejtën e informimit.
Me Vendimin nr. 34, dt. 13.07.2018, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale urdhëroi Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor të vërë në dispozicion brenda afatit ligjor informacionin e kërkuar nga Gazeta “Shëndet Plus”. Sipas këtij Vendimi, të dhënat e kërkuara nga Gazeta “Shëndet Plus” kanë karakter publik duke pasur parasysh karakterin sensitiv të sektorit të shëndetësisë, se veprimtaria e inspektimit ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe se publiku ka të drejtë të informohet lidhur me ofrimin e shërbimit në përputhje me standardet ligjore.
Menjëherë pas këtij vendimi Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka paditur Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke kërkuar “Rrëzimin e padisë si të pabazuar në ligj dhe në prova”.
Gazeta “Shëndet+” është thirrur si Person i Tretë për t’u paraqitur para kësaj gjykate në seancë përgatitore në datën 11.09.2018 ora 10.30.

