Flasin dy vëllezërit shqiptarë që u bënë kampionë në Gjermani dhe në botë për sportin e Kick&Tai Box-it
Në Gjermani janë mbretër të sportit të kick-box-it, por njihen edhe në botë. Ismaili mori trofeun botëror vitin e kaluar. Me dinjitet dhe plot rezultate të suksesshme ecën edhe Gjetani, i njohur ndryshe edhe si “Tajsoni” shqiptar. Por, ajo që i bën të suksesshëm ata është fakti se ndajnë filozofinë e një sporti që mbi të gjitha ofron shëndet për sportistin. Ndërsa për suksesin, i besojnë shumë vullnetit dhe energjinë. Ndonëse në Gjermani, kampionët shqiptarë që tashmë kanë transferuar edhe një pjesë të trupit dhe projekteve të tyre edhe në Shqipëri, i dhanë një intervistë të shkurtër edhe gazetës “Shëndet Plus”.
1- Cilat ishin shtysat që iu çuan drejt sportit të Kick & Tai box-it?
Në kohën kur ne kemi filluar me sportin, (Ismaili e ka nisur këtë sport në vitet 1993 dhe unë, më pas, si vëlla më i vogël) në kushtet që kishte Shqipëria atëherë (e sidomos Bulqiza ku ne kemi lindur), ishte qëllimi ynë në fillim për të qenë të fortë dhe për t’i ngjarë Herkulit, dhe më pas, kur shikuam filmin e “Rrokut”, me aktor Silvester Starlone, donim të bëheshim kampion si ai në Boks. Ndërsa më vonë kuptuam se sporti qenka gjeja më kryesore që i përshtatet fjalës që populli shpreh: “Shëndeti mbi të gjitha” pasi pa atë njeriu nuk mundet të bëjë asgjë. Kur ka shëndet, punon dhe ka edhe zgjuarsinë, njeriu mundet të bëjë edhe çudira.
2-A na shpjegoni sekretet që ju bënë kamport në sportin që ushtroni?
Sekreti kryesor eshte puna, këmbëngulja dhe sedra për atë gjë që bën; por, për të arritur majat në sport, janë dhe faktorë të tjerë që janë shumë të rëndësishëm për të pasur një shëndet të mirë që sjell edhe një mendje/psikologji të fortë, e cila është si në jetë, ashtu dhe në sport, shumë e rëndësishme. Pra, ne kujdesemi dhe kemi mësuar përveç trajnerëve më të mirë në botë për sportet që ne ushtrojme; dhe nga doktorët dhe dietologët më të mirë në botë për t’i dhënë trupit atë që duhet, si dhe kohën kur duhet për të arritur qëllimit në sport dhe për të qënë të shëndetshëm mbi të gjitha.
3- Cila është menuja ushqimore që përdorni? Shqetësoheni për kaloritë e tepërta?
Menuja standarde për një sportist ose një njeri punëtorë me lodhje fizike, deri diku është; para sportit/stërvitjes karbohidratet e duhura sipas lodhjes dhe qëllimit të rezultatit në stërvitje dhe; pas stërvitjes/punës është e nevojshme shumë proteinë dhe pak karbohidrate. Pastaj, në profesionin tonë, si sportistë profesionistë të nivelit të lartë, është çdo ushqim i matur dhe peshuar me gramaturën e duhur. Një kujdes të tillë, sigurisht jo të këtij niveli, i sugjerohet çdo njeriu dhe nëse nuk është sportist si ne.
-Kaloritë e tepërta i hamë më shumë kur jemi me pushime në Shqipëri, pasi kuzhina shqiptare, aq sa e shijshme është, aq edhe me shumë kalori/yndyra: Kur marrim kaloritë e tepërta, duhet menjëherë të nesërmen t’i djegim me stërvitje, sidomos në kohën e parapërgatitjes për ndeshje.
4- Jeni për përdorimin e suplementeve ushqimore?
Sigurisht. Por, çdo ushqim, frut apo zarzavate duhet në kohën e duhur dhe në sasinë e duhur. Për këtë, duhet të them se në Shqipëri janë ushqimet shumë të freskëta (bio) dhe shumë të shijshme, pasi Shqipëria ka klimën e duhur.
Ushqimi i mirë dhe sasia e duhur si dhe në kohën e duhur, është shumë e rëndësishme për kohën e stërvitjes. Është njëlloj si makina, dhe makina nuk ecën mirë ose siç duhet pa karburantin e mirë ose sasinë e duhur. Prandaj, dhe ne kemi marrë gjithmonë këshilla nga mjekët, profesorët dhe dietologët më të mirë për të qenë dhe në këtë fushë të ditur në maksimum me qëllim që të arrijmë maksimumin dhe në sport.
5- Cili është mesazhi për të rinjtë që duan të merren me sport dhe për lexuesit e “Shëndet plus”?
Ne këshillojmë dhe urojmë që çdo shqiptarë të merret me sport, se sporti është mbi të gjitha shëndet që i duhet çdo kujt dhe që dëshiron çdo prind për fëmijën e tij, është kulturë, heqje stresi, për të rinjtë, mënyra më e mirë për t’iu laguar veseve të këqija dhe forcon karakterin për t’i bërë ballë vështirësive të jetës, dhe mbi të gjitha, bëhet një ves trashëgues/kulturë e jetës dhe kushdo që do të bëhet prind, ja trashëgon fëmijës së tij dhe ngelet i lumtur kur shikon që fëmija i tij, mbi të gjitha, është i shëndetshëm.
Kick & Tai Box
Ismail Keta sjell eksperiencën gjermane në Tiranë
Kampioni i botës në Kick & Tai Box me origjinë nga Bulqiza pas themelimit të Akademisë “Deutschland Kick Box” në Mynih ka hapur dhe “binjaken” e saj në Tiranë, si një përpjekje për të nxitur përhapjen e sportit. Ismail Keta, me llagapin sportiv Xhoni, është 35 vjeç dhe prej vitit 1998 zhvillon aktivitetin e tij në Gjermani. Nga dhjetori i vitit 2012 Ismaili është mbajtës i titullit kampion i botës në Kick & Tai Box, pas një ndeshjeje spektakolare në Dyseldorf, ku mposhti që në raundet e para me “knockout” boksierin holandez Remo Arnst. Prej disa muajsh tashmë jeta i Ismailit është ndarë mes Mynihut dhe Tiranës, ku kërkon të përcjellë tek më të rinjtë dhe të apasionuarit frymën e marrjes me sa më shumë me sport dhe angazhimet për rezultate të larta në rradhët e sportistëve profesionistë.
Ismail Keta është nga fshati Koçaj në Fushë-Bulqizë, në verilindje të Shqipërisë. Që në moshë të vogël ai ishte i dhënë pas sportit, duke u ushtruar në mënyrë sistematike me vrapime dhe shtangë. Në moshën 20 vjeçare ai emigron në Greqi dhe një vit më pas në 1998 mbërriti në Gjermani. Përballja për mbijetesë ishte me fat për Ismalin duke arritur të siguronte një punë pjatalarësi në restorant, por pa shumë fat në debutimin e ndeshjeve të para në Kick & Tai Box, ku humbjet ishin me “knockout”. Si një njeri me karakter të fortë, ai i pa disfatat në ring me shkak tek vetja, një vetëreflektim që i shtoi orët e stërvitjes shumëplanëshe për të kapur treguesit jo vetëm të rezistencës, por dhe skemave taktike në përballjen me kundërshtarin.
Trofetë në Gjermani dhe jashtë
Rezultatet erdhën shpejt. Nga viti 1999 Ismail Keta u shpall kampion i Gjermanisë për tre vite rresht. Me uniformën gjermane ai arriti në nivelin e nënkampionit të botës në Kick & Tai Box më 2002. Por ngarkesa e jashtëzakonshme dhe pasioni i zjarrtë për sportin marrin një kthesë të beftë tre vite më pas, kur Ismaili pëson një dëmtim serioz në gju, një ngjarje që ndryshon jo vetëm axhendën sportive të tij, por dhe vendbanimin, duke u vendosur në Mynih. “Trajtimi shëndetësor për dëmtimin në gju më tërhoqi përkohësisht nga konkurrenca në ring, por asesi nga planet e mia për sportin. Akademia “Deutschland Kick Box” në Mynih ka pasur dhe ka si synim kryesor përhapjen e Kick & Tai Box-it, por dhe nxitjen e të rinjve dhe të apasionuarve për të muarrë me sa më shumë sport” -thotë Ismaili.
Në Akademinë që ai drejton vijnë më shumë se 400 persona, të rinj, njerëz të zakonshëm, por dhe personalitete të jetës publike, të cilët gjejnë kushte gati laboratorike për nivele të ndryshme të ngarkesës dhe mundësisve që ka gjithësecili që afrohet aty. Mbajtja e lidhjeve të ngushta me vendlindjen e çoi Ismailin në një vendim të natyrshëm për të themeluar para disa muajve dhe “binjaken” e “Deutchland Kick Box” në Tiranë.
Përvoja e Mynihut në Tiranë
“Ndjeheshim të paplotë deri sa hapëm filjalin e Tiranës. Sepse kemi pasur dhe kemi bindjen që edhe në Shqipëri ka të rinj dhe të apasionuar pas sportit. U duhen krijuar kushtet të gjithëve për të qenë të shëndetshëm, për të ecur në karrierën sportive. Eksperienca gjermane fare mirë po aplikohet dhe këtu në Shqipëri dhe për këtë jam tërësisht i bindur që do të kemi rezultate konkrete. Sportin unë e shoh si një mundësi për njerezit që të jenë me dinjitozë, më të shëndetshëm dhe më të fortë përballë çdo lloj fatkeqësie, sëmundje, rreziku të jetës etj.”
Një prej “produkteve” konkrete sportive të Ismailit si trajner është i vëllai më i vogël, Gjetani, 30 vjeç, që mbështetësit në ring e thërrasin Majk Keta. Në vitin 2007 Gjetani ka fituar turneun e Kick Box-it në Tiranë. Pas titullit si kampion i Gjermanisë në këtë sport, ai kalon në ligën profesioniste të boksit ku bilanci i ndeshjeve është 15 fitore (14 me knockout) dhe 2 humbje.
Gazetari sportiv Dëfrim Methasani ka rreth dhjetë vite që ndjek nga afër aktivitetin e Ismail Ketës. Sipas tij, rasti i vëllezërve Keta, është modeli i sakrificave të jashtëzakonshme për sportin.
“Ata janë jo vetëm kampionë të sportit, por mbi të gjitha kampionë të vlerave njerëzore. Ismaili dhe Gjetani dinë të fitojnë një ndeshje, dinë të fitojnë trofe, por mbi të gjitha ata dine te sillen si qytetarë, si njerëz dhe si patriotë. Ndaj dhe janë të rrethuar nga miq të shumtë në Gjermani dhe Shqipëri. Kolegë të mi gjermanë më kanë përmendur shpesh vlerat që vëllezërit jashtë garave sportive. Kjo e shton popullaritetin e tyre në të dy vendet, si dy ambasadorë të sportit, kulturës dhe të integrimit europian.”
Autor: Arben Muka/ Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi



