IST, Harxhi: S’kemi të dhëna për situatën në vend

Për gazetën “Shëndet+” mjeku infeksionist në Spitalin Infektiv në QSUT, Arjan Harxhi,  shprehet:

Problematika kryesore është mungesa e shifrave për sa i takon IST-ve, ne kemi dhënë shifrat për sifilizin  dhe në këtë kontekst është me e lehtë, pasi ka raportim të rasteve dhe diagnoza është më e centralizuar. Ndërsa përsa i takon infeksioneve të tjera, siç mund të jenë gonorreja, klamidia, kondilomat etj. Nuk ka raportime, sepse mjekët nuk i raportojnë pranë institucionit qendror që është ISHP, kështu që nuk njihen. Nga studime që ne kemi realizuar, kemi hasur që ka grupe të caktuara që kanë problematika përsa i takon këtyre infeksioneve.

Arjan Harxhi (2)Përvoja jonë në shërbimin tonë, në klinikën ambulatore, është që infeksione të pranishme në Shqipëri janë: infeksioni nga klamidia, infeksioni nga papiloma virus që jep kondilomën që është goxha i përhapur, vaginozat e ndryshme që mund të jenë qoftë bakteriale, qoftë mykotike, herpesi etj.

Në grupin e IST-ve futen edhe infeksionet, të cilat transmetohen seksualisht, por nuk japin shenja në organet gjenitale siç është Hepatiti, HIV etj. Një tjetër problematikë në vendin tonë përveç pjesës që pacientët nuk dinë se ku të shkojnë, bën që shpesh t’i bien shkurt dhe të shkojnë tek farmacisti duke i shpjeguar se ka një infeksion dhe ai t’i japë ndonjë mjekim. Ose shkojnë në laboratorët privatë, por nuk bëjnë atë analizë që duhet.

Vjen me një analizë urine dhe pretendon t’i dalin infeksionet që ka. Një tjetër problematikë janë dhe kapacitetet diagnostikuese. Për shembull, kapacitetet për diagnozën e klamidias janë shumë të mangëta, nuk kanë hyrë ende ato metoda që përdoren sot në perëndim. Për klamidian bëhen vetëm teste të shpejta, pra, nuk bëhen analiza të mirëfillta, kështu që ne klamidian e mjekojmë përgjithësisht duke u bazuar mbi shenjat klinike.

Këto gjëra duhen futur si në laboratorët publikë, ashtu edhe në ata privatë. Gjithsesi, këto lloj testesh janë të kushtueshme dhe kjo ka bërë që të mos futen, ndaj ne e kemi ngritur me të madhe që duhet të ketë një strategji në lidhje me menaxhimin e IST-ve. Kjo për shkak të impaktit publik që kanë këto IST në shëndetin publik.

Këta pacientë nuk duhet të jenë pjesë e reformave, për mua ata duhet të jenë të mbuluar përsa i takon këtyre lloj ekzaminimesh.

Gjithashtu, ka probleme me kapacitetet e njohurive të personelit mjekësor. Shpeshherë nuk japin mjekimin e duhur, nuk menaxhojnë partnerin dhe kjo sjell keqmenaxhim të rasteve. Një tjetër problematikë lidhet me marrjen e mjekimit. Kemi përmendur në intervistën e mëparshme edhe sifilizin. Për shembull sot në QSUT benzantin-penicilina që është medikamenti kryesor për sifilizin nuk disponohet në listën e barnave të QSUT-së dhe nuk rimburosohet, kështu që pacientët detyrohen ta blejnë.

Unë mendoj që specialistët të cilët merren me këtë punë, që janë në nivel sekondar dhe terciar, në nivel spitalesh rajonale apo në nivelin e QSUT që është i vetmi institucion terciar, duhet të jenë në gjendje të lëshojnë receta të rimbursueshme, pra t’i ofrohet ky mjekim. Sepse po nuk u mor mjekimi, nuk çrrënjoset infeksioni. Kështu që sugjerimi ynë ka qenë që mjekët këtu të jenë në gjendje të japin receta të rimbursueshme. Duhet të jetë staf i trajnuar, duhet të jetë staf që të dijë të ofrojë konfidencialitetin, të ofrojë një sekret mjekësor, dhe të jetë kompetent për menaxhimin e partnerëve. Prandaj janë krijuar këto modele.

Sugjerimi im ka qenë gjithmonë që IST-të nuk mund të mjekohen nga mjeku i familjes. Ai mund të shërbejë fare mirë si një portë e parë pritëse që mund ta referojë nëse arrin të identifikojë riskun dhe ta referojë tek mjekët specialistë. Krijimi i këtyre qendrave të specializuara ofron garanci për diagnoza të sakta, sepse nëse do të investosh për mjete diagnostike të mira, por të shtrenjta, duhet t’i kesh të centralizuara që të jenë kosto efektive. Në këto qendra duhet të ofrohet ai që quhet mjekim i menjëhershëm.

Modeli britanik funksionon në mënyrë të tillë që, sapo të diagnostikohet IST-ja, jepet menjëherë aty mjekimi, që i sëmuri mos dalë pa iu garantuar mjekimi.

Fatmirësisht këto infeksione mjekohen lehtë (klamidia, gonorreja, sifilizi). Në rast se nuk mjekohen, mund të bëhen shkas për krijim ekzistencash dhe kjo gjë  ka ndodhur nga këto mjekime që bëhen apriori nëpër farmaci apo nga mjekë jokompetentë.

Të menaxhosh herpesin gjenital nuk është e lehtë, nuk mund ta bëjë një mjek jokompetent, sepse është  një infeksion që ripërsëritet, që ka problematika në lidhje me menaxhimin e pacientit dhe partnerit, pra ka edhe problematika psiko-sociale. Menaxhimi i sytheve gjenitale, infeksioneve nga papiloma virusi është gjithashtu jo i lehtë, sepse nuk është vetëm mjekimi lokal i këtyre lezioneve, por tek një femër HPV jep problematike me dëmtimin në qafën e mitrës, me ndryshimet citoplazmike që ndodhin në qafë që mundet të predispozojnë për kancer në qafën e mitrës.

Postime të ngjashme

AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik