Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Ata pëlqejnë ta konsiderojnë veten si seks më i fortë, por kur vjen puna tek jetëgjatësia, meshkujt jetojnë më pak se femrat. Tani shkencëtarët kanë zbuluar arsyen përse ndodh një gjë e tillë.
Ata thonë se kromozoni Y, ose më saktë humbja e tij, mund të jetë shkaku i jetës së shkurtër të meshkujve. Ky kromozon gjendet vetëm tek meshkujt dhe është i pranishëm tek pothuajse çdo qelizë e trupit. Por, tek disa meshkuj, ai fillon të zhduket nga qelizat të gjakut me kalimin e viteve.
Studime të mëparshme kanë treguar se këta meshkuj kanë më shumë gjasa që të vuajnë nga lloje të ndryshme kanceri dhe të vdesin më të rinj. Ndërsa studimi më i fundit ka zbuluar se humbja e kromozonit shkakton edhe zhvillimin e sëmundjes së alcajmerit.
Shkencëtarët nga Universiteti Uppsala në Suedi arritën në këtë përfundim pasi monitoruan më shumë se 3000 meshkuj të grupmoshës 37-96 vjeç. Testimet treguan se kromozoni Y fillonte të zhdukej nga qelizat e bardha të gjakut tek gati 1 në pesë meshkuj. Sa më të moshuar të ishin, aq më i përhapur ishte ky fenomen.
Ndërsa të dhënat mjekësore treguan se sëmundja e alcajmerit ishte 3 herë më e zakonshme tek meshkujt e prekur nga ky fenomen.
Qelizat e bardha të gjakut formojnë një pjesë të sistemit imunitar, por pa kromozonin Y ata nuk funksionojnë siç duhet. Kjo bën që trupi të jetë më i rrezikuar të preket nga sëmundje të ndryshme, duke filluar nga demencia deri tek kanceri. Duke qenë se femrat nuk kanë kromozon Y, shpjegohet edhe arsyeja përse ato jetojnë më gjatë se meshkujt.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


