Kryefaqja Aktualitet INTERVISTA/Jo çdo dhimbje fyti apo temperaturë e lartë është covid-19

INTERVISTA/Jo çdo dhimbje fyti apo temperaturë e lartë është covid-19

0
Shpërndaje

Frika ndaj covid-19, pacientët paraqiten në spitale me gjendje stresi dhe ankthi

Situata e krijuar për shkak të virusit covid-19 ka bërë që spitalet të funksionojnë me rregulla strikte si edhe përmes konsultave online. Mirëpo pandemia nuk ka ndikuar spitalet vetëm në nivel organizativ por edhe tek problematikat që shfaqin pacientët të cilët përveç shqetësimeve fizike paraqesin edhe çrregullime psikologjike, siç shpjegon Dr. Anjeza Kuçi, mjeke ORL në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3 Tiranë, në një intervistë për Gazetën “Shëndet plus”.

Pacientët që kanë ardhur tek ju, përveç simptomave fizike a kanë shfaqur edhe panik si pasojë e frikës së infektimit?

Kohët e fundit janë shtuar pacientët që kanë kriza ankthi ose frikëra. Këta nuk janë pacientë kronikë që shkojnë tek mjekët e shëndetit mendor por kanë pasur çrregullime për shkak të situatës së krijuar nga covid-19 dhe ne po i hasim çdo ditë. Këtyrë pacientëve u sugjerojmë gjithmonë mjekët përkatës. Pacientëve duhet t’u sqarohet se jo çdo dhimbje fyti apo temperaturë e lartë është covid-19. Ne mund të japim këshillën që jep çdo mjek por nëse krizat e ankthit vazhdojnë, ne i rekomandojmë tek mjekët psikiatër për një mjekim më të specializuar.

Qëndrimi brenda në shtëpi që është kthyer në rutinë për shkak të situatës së pandemisë, a ndikon negativisht apo pozitivisht sa u përket sëmundjeve të veshëve, hundëve dhe fytit?

Qëndrimi në shtëpi nuk ndikon negativisht për tre organet që trajtojmë ne, pra veshi, hunda dhe fyti. Madje, meqenëse jemi në periudhë ndryshimi stinësh dhe alergjish, qëndrimi në shtëpi e ka ulur sëmundshmërinë e infektimeve të shpeshta. E vetmja gjë tek e cila mund të ndikojë karantinimi është sëmundja e veshit të brendshëm që sjell marrje mendsh dhe humbje ekuilibri. Diçka që e agravon sëmundjen e veshit të brendshëm është stresi i cili është krijuar për shkak të karantinimit. Këto raste i kemi zgjidhur nëpërmejt telefonit.

A kanë funksionuar konsultat online gjatë kësaj periudhe?

Përgjithësisht kanë funksionuar. Numri është afishuar në kat të parë, kemi pasur telefonata si nga pacientët drejpërdrejt si nga mjeku i familjes me të cilin kanë kontaktuar pacientët. Mirëpo jo çdo gjë funksionon online pasi organet që trajtojmë ne janë makroskopikisht të dukshme, pra bëjmë një vizitë dhe shikojmë hundën, veshin apo fytin. Gjërat akute i kemi zgjidhur sa kemi pasur mundësi dhe u kemi thënë pacientëve të vijnë në një moment të dytë.

A ka rënë numri i pacientëve që janë paraqitur fizikisht në spital, për shkak të situatës së krijuar?

Këtë javë ka filluar vendosja e fashave. Pacientët shkojnë tek mjeku i familjes, programojnë dhe vijnë tek ne, ndërsa më përpara ka pasur vetëm konsulta urgjente. Numri ka rënë dhe rastet janë zgjidhur pjesërisht nga mjeku i familjes.

A janë të ndërgjegjësuar pacientët që vijnë për vizitë te mjeku, a janë të pajisur me maska dhe doreza?

Në pjesën më të madhe janë të pajisur pasi janë të ndërgjegjësuar se duhet të mbrohen edhe vetë. Vijnë me maskë, nuk mund të them sa ditë ka apo sa herë është përdorur, a është larë apo jo maska, a i ka ndërruar pacienti dorezat përpara se të vijë etj., por kur ata hyjnë mundohemi të dezinfektohemi, mundohemi të mbajmë distancën 1 metër dhe sapo del pacienti dezinfektojmë ambientin dhe lëmë dritaret hapur. Pacienti flet me maskë, pavarësisht se disa e kanë të vështirë. Edhe ne jemi të pajisur me maska, si me maskat e thjeshta ashtu edhe me maskat që përdorim për të bërë vizitat.

A ndikojnë fazat e virusit në rezultatin e tamponeve?

Ka raste kur tamponet dalin falls negativë edhe pse personi mund të jetë i infektuar me virusin covid-19, siç edhe ka ndodhur. Tamponi duhet të merret pikërisht në orofarings dhe nazofarings. Nazofaringsi është muri që gjejmë përballë bajameve në pjesën e pasme të hundës. Nga pjesa e jashtme e hundës dhe deri në nazofarings ne kemi një distancë prej 9-10 centimetër, pra, tamponi duhet të futet 9 centimetër në nazofarings, sidomos në rastin e pacientëve me bajame të zmadhuara. Pra, pacienti mund të ketë shenja klinike por tamponi nuk merret ashtu siç duhet. Kjo ka qenë për fillimin e pandemisë pasi tani po dalin testet serologjike që do të vërtetojnë nëse një person e ka marrë virusin, a është duke e kaluar apo është në fazën ku e ka kaluar dhe ka krijuar imunitet si mbrojtje për të vazhduar një jetë normale. Ky test ka dalë sot dhe ka filluar të aplikohet edhe tek ne, për të parë nëse është formuar imuniteti i turmës.

Çfarë do të këshillonit për të përballuar dhe parandaluar infektimin nga covid-19 por edhe nga viroza të tjera që mund të qarkullojnë gjatë kësaj periudhe?

Mjekët infeksionistë kanë thënë se gjatë kësaj periudhe po qarkullojnë edhe viroza të tjera përveç virusit covid-19. Masat kanë qenë nga më adekuatet. Sistemi ynë shëndetësor e ka pasur të vështirë realisht të përballojë situatën. Masat e Ministrisë kanë qenë nga më të mirat për të mbrojtur sistemin tonë shendëtësor që dihet se nuk është nga sistemet shëndetësore më të mira, sidomos në Europë. Gjithashtu, duhet t’i mëshojmë distancimit social. Jemi mesdhetarë, puthemi e përqafohemi por këto vese duhet t’i harrojmë. Një pandemi thuhet se mbaron atëherë kur nuk ka asnjë rast të ri me covid-19 dhe duhet mbajtur 14 ditë karantinim pas kësaj dite. Deri atëherë nuk e kemi kaluar dhe masat duhet të ekzistojnë. Gjithashtu rekomandohet vendosja e maskave, pasi virusi përhapet përmes spërklave të pështymës. Një gjë tjetër, duhet të rregullohet vesi i të pështyrit në rrugë, apo hedhjes së çamçakezit në rrugë, jo vetëm në rastin e pandemisë por edhe si mentalitet i përgjithshëm.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here