Jo Gjuhës së Urrejtjes/ No Hate Speech

Elena Beta

“Të ndryshëm, por të barabartë” ishte motoja që bashkoi të rinjtë shqiptarë nga Kosova, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria të cilët erdhën në Tiranë për t’u bërë pjesë e kampit treditor “Jo Gjuhës së Urrejtjes/ No Hate Speech”.

UNFPA

Aktiviteti i hapjes së Kampit

Kampi, ku morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatës “Together for Life”, konsistonte në njohjen e të rinjve me këtë fushatë dhe me mënyrat se si ata mund të kontribuojnë në edukimin e bashkëmoshatarve të tyre me gjuhën e qytetarisë dhe mirëkuptimit për të pasur një shoqëri me sa më pak gjuhë urrejtje në të gjitha pikat e mprehta që prekin zhvillimin e shoqërisë civile deri në zhvillimin e qëndrueshëm politik.

Në datën 28 tetor 2015 u mbajt aktiviteti i hapjes së Kampit pranë Qendrës Rinore të Tiranës.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili mbajti fjalimin përshëndetës, përfaqësues të UNFPA-së, si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës të Kosovës, Kreshnik Xharra.

“Mora pjesë me kënaqësi në hapjen e këtij kampi, duke qenë i bindur se të rinjtë mund t’i imponojnë realitetit shqiptar andej e këtej kufirit, por edhe me gjerë, një kulturë tjetër debati, larg sharjeve dhe fyerjeve. Kjo është një fushatë për të gjithë të rinjtë në Shqipëri dhe Kosovë për t’i inkurajuar ata të bashkëpunojnë me njëri- tjetrin pa urrejtje”, tha ministri Blendi Klosi gjatë fjalimit të tij.

elena 3

Ministri Blendi Klosi gjatë fjalimit përshëndetës

Kampi u zhvillua në Kompleksin Teatër Kame, Ibë. Nëpërmjet edukimit joformal dhe punës në grupe u trajtuan temat më të mprehta e problematike që shqetësojnë të rinjtë në Shqipëri, Kosovë e më gjerë. Trajnimi i të rinjve pjesëmarrës rreth ideimit të strategjive për minimizimin e gjuhës së urretjes në jetën e përditshme, i cili u realizua nga trajnuese dhe lektorë profesionistë, ishte trampolina që ndihmoi të gjithë pjesëmarrësit të qartësonin perceptimin e tyre mbi urrejtjen në aspekte të ndryshme të përditshmërisë së tyre.

Andi Rabiaj, një prej pjesëmarrësve tepër aktivë të kampit, tha: “Fatmirësisht isha një ndër fituesit midis shumë aplikimeve të kryera. Në  këtë kamp përfaqësoj rrjetin e edukatorëve, bashkëmoshatarë të UNFPA-së, Y-PEER Albania, tashmë pjesë e rrjetit që do të zhvillojnë fushatën “No Hate Speech Movement” në Shqipëri –Kosovë.

“Gjuha e urrejtjes, ofendimet, diskriminimi, emigracioni, personat me aftësi të kufizuar, pabarazia gjinore, grupet e marxhinalizuara, radikalizmi, minoritetet dhe komunitetet u trajtuan nën kuadrin ligjor të të drejtave njerëzore. Ne u trajnuam që të sillemi dhe të konceptojmë se çfarë do të arrijë “No Hate Speech movement”, pse është i rëndësishëm  në kontekstin shqiptaro –kosovar. U motivuam dhe kuptuam rëndësinë e pjesëmarrjs sonë në këtë proces jo pak të vështirë.

Pjesëmarrësit duke prezantuar punët e tyre në grup

Trajnerët, duke qenë si katalizatorë për ne gjatë këtij rrugëtimi na dhanë një ndihmë të madhe. Problemi kryesor që trajtuam dhe u përpoqëm të krijonim një strategji ishte dhe gjuha e urrejtjes e përdorur në rrjetet sociale, ku të rinjtë e mb popullojnë në një shpejtësi marramëndese. Unë vetë jam bërë dëshmitar i një sërë grindjesh, ofendimesh deri në kërcënime virtuale. A s’është kjo gjuha e urrejtes? Frekuenca e hasjes së ngjarjeve të tilla është rritur dhe është bërë shumë e nevojshme që ne të gjithë të reflektojmë e të marrim masa. Përfshirja e fëmijëve në rrjetet sociale e bën atë akoma më emergjente për t’u trajtuar. Personalisht mendoj që krijimi i ligjeve rregulluese mbi median sociale dhe ndalimi me ligj i diskriminimit dhe pabarazisë në rrjetet sociale do të ishte një arritje për përmirësimin e situatës. Mendoj se për të arritur në këtë pikë duhet një punë e madhe me grupet e intersit dhe me të prekurit nga ky fenomen siç janë të rinjtë. Të gjithë ne duhet ta marrim seriozisht punën që na takon dhe të zgjerohemi për të treguar që ne mund t’ia dalim përballë çdo sfide. Një shprehje e rrjetit Y-PEER thotë: Merrni përgjegjësitë tuaja për ta bërë këtë botë një vend më të mirë”.

Një nga temat interesante që u trajtua, ishte dhe roli femrës në shoqëri, dhuna dhe diskriminimi që ende ushtrohet ndaj figurës së femrës. Një dramë e përgatitur me mjeshtëri nga njëri prej grupeve tregoi për pak minuta atë që ndodh rëndom në shumë familje patriarkale, ku gruaja thjesht për faktin që është femër, dhunohet verbalisht e fizikisht nga pjesëtarët meshkuj të familjes.

grupi

Gjatë lojrave interaktive

Lidhur me këtë temë përfaqësuesi  i Ministrisë së Kulturës të Kosovës, Kreshnik Xharra, dha një shembull konkret të ndodhur ditët e fundit në Kosovë.

“Para disa ditëve një deputete e kuvendit të Kosovës, e komentoi kështu debatin që pati mes një femre deputete e opozitës dhe kryetarit të kuvendit: Deputetja e quajti Kryetarin kriminel, ndërsa ai ia ktheu me fjalë ofenduese.

Deputetja, e cila ishte e ftuar në një emision tha se ajo është femër dhe nuk i falen këto shprehje, ndërsa kryetari është mashkull i falet. Fabula e kësaj historie është se në Kosovë edhe pas 16 viteve, pasi është bërë një punë kolosale për forcimin e femrës, vetë një deputete femër diskriminon një tjetër femër.

Por sido që të jetë, krahasuar me 16 vite më parë femrat në Kosovë janë shumë më të fuqishme, më të pavarura dhe pjesëmarrëse në vendimarrje, falë seminareve, konferencave, trajnimeve që zhvillohen rregullisht. Prandaj përsa i përket pritshmërive, unë shpresoj që ato do përmbushen, edhe pse në momente të caktuara do të jemi në dilemë, duke pyetur veten a kemi bërë diçka për këta të rinj.

Përfitimi më i vyer i këtij trajnimi ishte patjetër socializimi dhe miqësimi me të gjithë pjesëmarrësit, shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, gjë e cila është shumë e vlefshme për realizimin e bashkëpunimeve të mëtejshme me organizatat tona përkatëse apo qoftë edhe për takime të çfarëdoshme pohon Vasja Çollaku, një nga pjesëmarrëset në Kamp.

no hate speech 1

Grupi që mori pjesë në gatim

Një shprehje e vjetër thotë se “dashuria vjen nga stomaku”. E pra, nuk kishte si të mungonte në kampin “No Hate Speech” një darkë e përgatitur nga vetë pjesëmarrësit me ushqime të larmishme tradicionale të vendeve të tyre.

“Momenti më sfidues dhe i bukur për mua ishte puna me grupin në kuzhinë ku ne gatuam për të gjithë pjesëmarrësit me shumë dashuri”, u shpreh një prej pjesëmarresëve të kampit, Deniza Limani, kryetare e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës. “Kam vënë re se shqiptarët janë njerëz me zemër të madhe dhe falin shumë dashuri. Më bëri gjithashtu përshtypje raporti që krijuam me njëri-tjetrin, ku kaluam shumë mirë. Në kamp kishte pjesëmarrës nga vende të ndryshme, por asnjëherë nuk patëm mundësi ta shikonim këtë ndryshim, sepse ishim bashkë dhe nuk bënim diferenca. Falenderoj organizatorët sepse atë që kishin qëllim e arritën.

ho hate 2

Dita e fundit e kampit

Në përfundim të kampit u ndanë çertifikatat nga Znj. Elsona Agolli, përfaqësuese e UNFPA, Z. Faton Peci, Këshilltar i MKRS, Z. Kreshnik Xharra, Drejtor i Rinisë pranë MKRS dhe Znj. Jehona Roka, Koordinatore e fushatës “No Hate Speech”, në Shqipëri.

Mes miqësive të reja, falënderimeve, njohurive të larmishme mbi shmangien e gjuhës së urrejtjes nga përditshmëria, fotove nën sloganin “No Hate Speech” u përfundua me sukses kampi i dytë “Jo Gjuhës së Urrejtjes/ No Hate Speech”.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën