Kalvari i mbijetesës: Kur sistemi shëndetësor dështon, dhe ndërhyrja ndërkombëtare bëhet shpëtimi i vetëm

Nga Ermelinda Hoxhaj

Kalvari i mbijetesës: Kur sistemi shëndetësor dështon, dhe ndërhyrja ndërkombëtare bëhet shpëtimi i vetëm

Më 22 qershor 2026, ajo që duhej të ishte një vrapim rutinë 90-minutësh në Alpet e Valbonës, u shndërrua në një luftë për jetën për vrapuesen australiane Amy Lecons. E kafshuar nga një gjarpër helmues, ajo u gjend e bllokuar në një shteg të largët, përballë një realiteti të tmerrshëm: shërbimi i urgjencës 112 në Shqipëri nuk u përgjigj.

Dy thirrjet e saj drejt numrit të emergjencës përfunduan pa rezultat, duke e lënë atë të vetme në një situatë kritike. Në kulmin e dëshpërimit, ajo bëri të vetmen gjë që mundej: telefonoi babanë e saj, një mjek në Australi.

Kjo telefonatë nisi një zinxhir shpëtimi transkontinental. Pa ndihmën e menjëhershme të autoriteteve lokale, ishte ndërhyrja urgjente e babait të saj, e koordinuar me Interpolin dhe ndihmën e një pronari hosteli në Shkodër, ajo që bëri të mundur lokalizimin dhe shpëtimin e saj.

Përtej drithërimave të mbijetesës, përvoja e Lecons zbuloi një anë të errët. Ajo kritikoi ashpër gjendjen e mjerueshme të spitalit në Tropojë, ku pajisjet e vjetruara dhe mungesa e kapaciteteve rrezikuan jetën e saj. Por, ajo që e zhgënjeu më shumë ishte “propaganda”: ajo beson se historia e saj u instrumentalizua nga mediat dhe autoritetet shqiptare për të krijuar imazhin e një ndërhyrjeje të suksesshme, duke fshehur kështu dështimin sistemik të shëndetësisë dhe urgjencave në zonat rurale.

Rasti i Amy Lecons nuk është vetëm një histori mbijetese, por një thirrje për zgjim: sa e sigurt është vërtet Shqipëria për turistët vendas dhe të huaj kur “fasada” bie dhe përballesh me realitetin e një sistemi të papërgatitur për raste emergjente?

Pavarësisht kësaj ajo e rekomandon Shqipërinë për natyrën dhe mikëpritjen.

“Nuk doja të vdisja vetëm”: Rrëfimi i turistas australiane pas pickimit nga gjarpri në Shqipëri

Amy Lecons u bë papritur e famshme në rrjetet sociale pasi publikoi video të vetes duke pritur për shpëtim në një zonë malore të Shqipërisë, pasi ishte kafshuar nga një gjarpër helmues. Në këtë intervistë ekskluzive, australiania me bazë në Zelandën e Re rrëfen momentin e pickimit, telefonatat e pasuksesshme në numrin e emergjencës, telefonatën e dëshpëruar me babanë e saj mjek në Australi dhe arsyen pse beson se historia e saj është përdorur për të mbuluar probleme serioze të sistemit shëndetësor shqiptar.

Më 22 qershor 2026, Amy Lecons u nis për një vrapim rreth 90-minutësh në zonën e Valbonës. Ajo nuk u kthye në bujtinën ku qëndronte për tre ditë.

E kafshuar nga një gjarpër rreth shtatë kilometra pasi kishte nisur një itinerar prej 11 kilometrash, Lecons mbeti e bllokuar në një shteg të largët malor. Dy telefonata në numrin shqiptar të emergjencës 112 përfunduan papritur dhe ajo iu drejtua personit tek i cili kishte më shumë besim: babait të saj, një mjek rural mijëra kilometra larg, në Australinë e Jugut.

Ajo që pasoi ishte një përpjekje ndërkombëtare shpëtimi, ku u përfshinë Interpoli, pronari i një hosteli në Shkodër dhe një klinikë e vogël malore. Më vonë, videot e saj do të shiheshin nga miliona njerëz.

Kafshimi

Lecons, e cila jeton në Wanaka të Zelandës së Re, kishte mbërritur në Valbonë vetëm tre ditë më parë. Ajo po përdorte vrapimin për të njohur terrenin përpara një udhëtimi më të gjatë në këmbë.

Ajo sapo ishte rikthyer nga një dëmtim shtatëmujor dhe ky vrapim kishte një rëndësi të veçantë për të, pasi po kthehej në rutinën e saj të zakonshme.

“Çdokush që e ka gjetur veten të paaftë për të bërë diçka që e dashuron për një kohë të gjatë, do ta kuptojë se çfarë do të thotë të rikthehesh në një rutinë të njohur. E gjeta veten duke buzëqeshur gjatë pjesës më të madhe të këtij vrapimi”, tregon ajo.

Lecons udhëtonte me pak pajisje.

“Me vete kisha telefonin, shkopinjtë e hiking, kamerën, ujë, krem mbrojtës nga dielli dhe një kub Rubik. Zakonisht marr edhe një çantë të vogël të ndihmës së parë, por për çfarëdo arsye, atë ditë nuk e kisha me vete.”

Ajo nuk ishte e panjohur me gjarpërinjtë. Kishte hasur më parë në gjarpërinj në Greqi dhe i kishte parë duke kaluar nëpër shtigje dhe rrugë në Shqipëri. Përvoja e saj shkonte edhe më larg: më parë kishte jetuar për një sezon të thatë në Territorin Verior të Australisë, ku kishte hasur shumë gjarpërinj në natyrë. Një herë madje kishte shkelur mbi një gjarpër johelmues.

“Atë mëngjes, herë pas here flisja me zë të lartë, këndoja, përplasje pa nevojë shkopinjtë e mi dhe ecja më fort, për të trembur çdo gjarpër që mund të afrohej pranë shtegut.”

Pasi kishte kaluar pak më parë pranë një grupi të madh turistësh që po ecte në drejtim të kundërt, ajo pranon se ishte treguar disi më pak e kujdesshme, duke menduar se çdo gjarpër aty pranë tashmë ishte larguar.

“Ishe shtatë kilometra brenda këtij vrapimi prej 11 kilometrash, po zbrisja dhe po kaloja një kthesë kur një gjarpër më kafshoi.”

“E kuptova menjëherë se më kishte kafshuar një gjarpër”

Lecons thotë se nuk kishte asnjë dyshim për atë që kishte ndodhur.

“E kuptova menjëherë se më kishte kafshuar një gjarpër, sepse ndjeva një dhimbje të mprehtë në tendinën e Akilit të këmbës së majtë. Sikur gjithçka të ndodhte në lëvizje të ngadaltë, pashë gjarprin poshtë këmbëve të mia ndërsa po kaloja mbi të dhe ngadalësova deri sa ndalova.”

Instinkti i parë, pasi bërtiti nga dhimbja, ishte të merrte telefonin.

“E dija se një video ishte mënyra më e mirë për ta regjistruar të gjithë gjarprin, për qëllime identifikimi. Nuk e kisha idenë, derisa e pashë më vonë videon, se kisha filluar të këndoja.”

Duke u mbështetur te trajnimi për ndihmën e parë që kishte marrë gjatë viteve të jetesës në Australi, ajo kujtoi dy gjëra që ishin më të rëndësishme: identifikimin e gjarprit për ekipet mjekësore dhe qëndrimin pa lëvizur.

“Pasi filmova gjarprin, u ula në shteg. Nuk kisha frikë nga gjarpri që ishte diku në shkurre pranë meje, pasi nuk kishte gjasa të më sulmonte sërish nëse nuk e provokoja.”

Dy telefonata të pasuksesshme dhe një baba mijëra kilometra larg

Ajo që pasoi ishte një seri e shpejtë ngjarjesh.

Në orën 10:20, Lecons telefonoi në 112.

“Kjo telefonatë zgjati më pak se një minutë përpara se të ma mbyllnin. Kërkova dikë që fliste anglisht, por ndërsa në anën tjetër të telefonit herë pas here përgjigjej dikush, unë nuk e kuptoja çfarë po thuhej dhe telefonata përfundoi.”

Dy minuta më vonë, në orën 10:22, duke qenë se situata nuk ishte zgjidhur, ajo telefonoi të atin në Australi përmes WhatsApp.

“Duke u ndier e pafuqishme, në 10:22 telefonova babanë tim përmes WhatsApp-it. Ai është mjek në Australi.”

Babai i saj, Robert Lecons, mjek i përgjithshëm rural në Australinë e Jugut, e udhëzoi se si të imobilizonte këmbën dhe të mbante nën kontroll rrahjet e zemrës. Ajo i dërgoi vendndodhjen e saktë përmes aplikacionit What3Words.

Më pas ai e mbylli telefonatën për të filluar vetë kontaktet me shërbimet australiane të emergjencës, ndërsa Amy telefonoi sërish në 112.

Kjo telefonatë zgjati 53 sekonda dhe përfundoi në të njëjtën mënyrë si e para.

Në atë moment, Lecons ende nuk e kuptonte plotësisht rrezikun ku ndodhej.

“Të them të drejtën, mendova se e gjithë kjo ishte paksa një reagim i tepruar dhe se, në rastin më të keq, mund të merrja një infeksion bakterial nga shpimi. Por ndoqa këshillat e babait tim”, thotë ajo.

Ajo ende nuk e dinte se çfarë lloj gjarpri e kishte kafshuar.

Pa materiale të përshtatshme mjekësore, ajo improvizoi.

“Pa fashot e duhura kompresive, hoqa çorapet dhe bluzën dhe i lidha rreth zonës së kafshimit, aq mirë sa munda, për të imobilizuar këmbën.”

Për një periudhë, ajo ishte kryesisht e vetme.

“Gjatë gjithë kohës bërtisja për ndihmë nëpër luginë, por askush nuk përgjigjej dhe askush nuk më gjente në shteg.”

Pas rreth 15 minutash, ajo vendosi se një kontakt lokal mund të ishte më efektiv sesa numri i emergjencës dhe telefonoi pronarin e Traveler Hostel në Shkodër, ku kishte qëndruar pak kohë më parë.

“Ai u përgjigj menjëherë, e kuptoi seriozitetin e situatës dhe filloi të telefononte njerëz të ndryshëm. Vetëm disa javë më vonë kuptova se ishte ai që kishte bërë të mundur kontaktin tim me Valbonë Summer Clinic, ndërsa shërbimet australiane të emergjencës po kontaktonin Interpolin në të njëjtën kohë.”

Sipas Lecons, ambulanca u nis rreth 25 minuta pas kafshimit. Për shkak se ajo ndodhej në një shteg të largët, ekipit iu deshën edhe rreth 30 minuta për ta gjetur. Më pas kaloi edhe një orë derisa ajo mbërriti në spitalin e Bajram Currit, ku iu dha antihelm.

Një operacion ndërkombëtar shpëtimi

Robert Lecons tregon se kur e kuptoi seriozitetin e situatës.

“Shumë herët gjatë bisedës sonë, bëra një kërkim me Google Lens duke përdorur videon që më kishte dërguar. E kuptova se bëhej fjalë për një kafshim vërtet të rrezikshëm.”

“U frikësova jashtëzakonisht shumë nga rreziku i helmit të gjarprit, duke e ditur se mund të ishte kërcënues për jetën. Amy ishte larg ndihmës mjekësore dhe nuk po arrinte të kontaktonte shërbimet e emergjencës.”

Ai përshkruan edhe ndjesinë e pafuqisë për të ndihmuar vajzën nga ana tjetër e botës.

“Si baba, doja dëshpërimisht ta qetësoja vajzën time. Në telefon ndihesha shumë pranë saj, por në të njëjtën kohë isha krejtësisht i pafuqishëm, fjalë për fjalë në anën tjetër të botës.”

Ai thotë se ishte “shumë i shqetësuar” nga mënyra se si u trajtuan telefonatat e Amy-t në 112.

“Telefonata iu mbyll dy herë. Ishte veçanërisht zhgënjyese pasi edhe unë jam mjek rural dhe merrem me ndërhyrjet e para dhe mjekësinë e emergjencës në komunitetin tim.”

Në të njëjtën kohë, ai duhej të balanconte protokollet standarde për kafshimet e gjarpërinjve me situatën konkrete të vajzës së tij.

“Po përpiqesha të balancoja parimet e imobilizimit dhe fashos së presionit që përdorim për kafshimet e gjarpërinjve në Australi, me mungesën e njohurive specifike për kafshimet nga nepërkat dhe me mundësinë reale që ajo të ishte më mirë të shkonte drejt ndihmës nëse nuk arrinte të merrte asistencë.”

“Po përpiqesha të qëndroja i qetë dhe të isha një zë i besueshëm sigurie për të, ndërkohë që vetë nuk isha plotësisht i sigurt nëse kjo ishte këshilla e duhur në ato rrethana.”

Ai kontaktoi Shërbimin e Ambulancës së Australisë së Jugut përmes numrit 000 dhe arriti të lidhej me Qendrën e Operacioneve të Emergjencave në Adelaide.

“Operatori ishte i jashtëzakonshëm. Ai nuk ishte përballur kurrë më parë me një situatë të tillë, por kërkoi këshilla dhe nisi t’i dërgonte email Interpolit nga ana e tij, duke i përcjellë informacionin për Amy-n.”

Sipas tij, Interpoli ka një seksion ndërkombëtar për reagimin ndaj emergjencave të situatave të tilla. Sapo ndërhyrja lokale nisi në Shqipëri, situata u përshpejtua dhe shërbimet australiane të ambulancës ndaluan procedurat me Interpolin.

Shpëtimi

Ndërsa priste ndihmë, Lecons i kishte dërguar ekipit të Valbonë Summer Clinic një video të gjarprit. Ajo beson se kjo ishte thelbësore.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohëse për ndërhyrjen e Valbonë Summer Clinic. Kur më gjetën, pothuajse një orë pasi gjarpri më kishte kafshuar, dolën nga shkurret dhe menjëherë filluan punën, duke më vendosur një fashë kompresive të përshtatshme në këmbë.”

Ajo thotë se udhëzimet për trajtimin e asaj që ajo identifikoi si nepërka me brirë të hundës, e njohur edhe si “poskok”, nuk janë të njëjta në të gjitha burimet.

“Nuk duket se ekziston një mënyrë e konfirmuar për të trajtuar helmin e nepërkës evropiane me brirë të hundës, pasi disa artikuj rekomandojnë të mos përdoret fare kompresioni dhe fashot të përdoren vetëm për imobilizim. Sidoqoftë, ndërhyrja e infermieres përfundimisht çoi në shërimin tim.”

Ajo pati edhe një fat të mirë: ndodhej vetëm 200 metra larg një ferme në mal që kishte akses rrugor.

“Pasi më gjetën, tre shpëtuesit më transportuan me barelë dhe më mbajtën në krahë deri te rruga, ku mund të më merrte ambulanca.”

Ajo vlerëson veçanërisht njerëzit që e ndihmuan të zbriste nga mali.

“Faleminderit shumë personave të parë që ndërhynë, infermieres për reagimin e shpejtë, personit të dytë që ndihmoi dhe veçanërisht zotërisë që më mbajti në shpinë në vapë dhe në terren të vështirë për ta përshpejtuar shpëtimin tim. Edhe pse nuk mund të komunikonim në të njëjtën gjuhë, kjo është mishërimi i mikpritjes shqiptare.”

Momentet e frikës

Edhe pse videot e filmuara gjatë pritjes për shpëtim e tregojnë jashtëzakonisht të qetë, Lecons thotë se frika ishte aty.

“Pasi e dija se ambulanca ishte nisur, mes thirrjeve për ndihmë, kisha shumë kohë për të menduar.”

Ajo kërkoi në Google “gjarpërinjtë në Shqipëri” dhe gjeti fotografi të ngjashme me gjarprin që e kishte kafshuar, së bashku me paralajmërime për speciet më helmuese të rajonit.

“Kur kyçi i këmbës filloi të ënjtej dhe dhimbja u shtua, atëherë fillova të panikosesha për atë që mund të ndodhte.”

Videot, shpjegon ajo, nuk ishin menduar fillimisht për rrjetet sociale.

“Qëllimi i këtyre videove nuk ishte TikTok-u. Më duhej diçka ku të përqendrohesha dhe kam një kujtesë shumë të dobët për ngjarjet, ndaj e dija se mënyra e vetme për të treguar më vonë se çfarë kishte ndodhur ishte të flisja për të në video.”

Ajo mendonte se më vonë do t’ua dërgonte familjarëve dhe miqve.

“Vetëm kur i pashë videot të nesërmen, kur e dija se isha e sigurt, kuptova se ishin disi komike dhe vendosa t’i publikoja.”

Ajo kundërshton edhe perceptimin se kishte qëndruar plotësisht e qetë.

“Pavarësisht se mund të bëja një bisedë me veten dhe buzëqeshja, gjë që është një zakon i imi, mund ta shoh qartë panikun në sytë dhe zërin tim.”

Ajo ia atribuon një pjesë të qetësisë faktit se gjatë udhëtimit nuk kishte shumë faktorë të tjerë stresues, një “sistem reagimi ndaj emergjencave” që thotë se e ka trashëguar nga babai dhe trajnimit në menaxhim, i cili i kishte mësuar të mendonte në mënyrë kritike.

Por pranon se pati momente kur situata u bë shumë e vështirë.

“Patjetër që pati momente kur fillova të panikosesha gjatë orës së parë. Ambulanca e kishte të vështirë të më gjente me vendndodhjen time në WhatsApp, edhe pse isha në një shteg dhe kisha dhënë edhe What3Words.”

“Mbaj mend që telefonova babanë dhe fillova të qaja, ngrita zërin dhe i thashë se duhej të afrohesha më pranë rrugës, sepse po zgjaste shumë. Nuk doja vërtet të vdisja vetëm në një shteg dhe fajësova veten që isha futur në këtë situatë, edhe pse asgjë që mund të kisha bërë ndryshe nuk do ta kishte ndryshuar rezultatin.”

“Me një zë të qetë, ai më kujtonte të qëndroja e qetë dhe t’i besoja ekipit të shpëtimit. Kështu bëra.”

Kushtet në spitalin e Bajram Currit

Pasi mbërriti në spital, Lecons thotë se u përball me një sistem shëndetësor që, sipas saj, dukej nën presion.

“Siç e përmenda edhe në videot e mia, kaloi një ditë derisa më dhanë letër higjienike, pasi thanë se nuk kishin në dispozicion. Ditën e dytë, stafi më tha se duhej të gjeja dikë që të më blinte akull, pasi edhe ai kishte mbaruar.”

Ajo thekson se spitali ndodhej në një qytet ku kishte akses të lehtë në dyqane.

Ajo përmend edhe probleme të tjera.

“Dhoma kishte vetëm një prizë elektrike dhe çdo pajisje në dhomë duhej të përdorej njëra pas tjetrës, përmes së njëjtës prizë.”

Duke qenë se nuk mund të ecte dhe kishte dhimbje kur përdorte paterica, ajo duhej të transportohej me karrige me rrota. Por, sipas saj, dyert ishin shumë të ngushta.

“Më duhej të kryeja nevojat në shtrat.”

“Nuk prisja të merrja të njëjtin trajtim që do të merrja në Australi apo Zelandën e Re, por spitalet duhet të jenë në gjendje të ofrojnë një shërbim të përshtatshëm. Dhe, sigurisht, përpara se të nxirret një përfundim se sa i mirë ishte trajtimi që mora, duhet të ketë një diskutim se pse spitaleve u mungojnë këto gjëra.”

“Historia e plotë u la jashtë”

Lecons thotë se videot e saj u publikuan nga mediat shqiptare pa dijeninë e saj.

“Në atë kohë nuk isha fare në dijeni se historia ime po shpërndahej në mediat shqiptare. I zbulova videot e mia në platformat shqiptare të lajmeve përmes familjes ku po qëndroja ose duke kërkuar emrin tim në Google dhe duke parë artikujt që ishin shkruar.”

Sipas saj, raportimi ishte selektiv.

“Ajo që më shqetësoi ishte se mediat morën pjesët më të mira të historisë sime dhe i përdorën për të krijuar një narrativë shumë pozitive, pa trajtuar disa nga problemet e rëndësishme që ekzistojnë në sistemin shëndetësor.”

Ajo thotë se asnjë gazetar nuk e kontaktoi për të marrë versionin e saj përpara publikimit.

“Ndërsa me të drejtë lavdëruan personat e parë që ndërhynë, mendoj se historitë përfundonin duke krijuar përshtypjen se sistemi shëndetësor ishte i fortë dhe i gatshëm t’u përgjigjej turistëve në nevojë.”

“Ata nuk trajtuan problemin e 112 që nuk u përgjigj dhe çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të kisha pasur sinjal telefoni ose nëse do të kisha qenë më lart në mal.”

Lecons vëren se Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë e ndau historinë e saj, duke e përshkruar si një paciente që kishte bërë një shërim të plotë.

“Fatmirësisht, tani jam shëruar në mënyrë të mrekullueshme, por në atë kohë nuk mund të ecja dhe e ardhmja ishte e paqartë, pasi kur dola nga spitali nuk mora asnjë këshillë shëndetësore.”

Ajo e lidh mënyrën e raportimit me situatën më të gjerë në Shqipëri.

“Në Shqipëri aktualisht ka protesta për qëndrueshmërinë, kundër korrupsionit dhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve. Pas bisedave me njerëzit përreth meje, kuptova se mënyra më e mirë për t’i ndihmuar njerëzit e Shqipërisë nuk ishte thjesht të nxirrja në pah mikpritjen e shqiptarëve, por të tregoja të vërtetën e përvojës sime në sistemin shëndetësor si turiste.”

Ajo shton:

“Një vend nuk mund t’i mbështesë turistët nëse fillimisht nuk mund të mbështesë njerëzit e vet.”

Sipas saj, askush nga qeveria shqiptare, shërbimet e emergjencës, spitali apo autoritetet e turizmit nuk e ka kontaktuar drejtpërdrejt.

Pse ende e rekomandon Shqipërinë

Pavarësisht kritikave, Lecons vazhdon të flasë me entuziazëm për Shqipërinë.

“Peizazhet shqiptare më mahnitën plotësisht. Nga rrugicat e vjetra dhe të pjerrëta me kalldrëm të Gjirokastrës, te shëtitjet pranë mijëra dritareve drejtkëndore në Berat apo ngjitja në Piramidë për një perëndim spektakolar në Tiranë… Alpet shqiptare janë një thesar për njerëz si unë që e duan vrapimin në shtigje.”

Ajo thekson se vlerësimi i saj për mikpritjen shqiptare nuk bie ndesh me kritikat ndaj sistemit shëndetësor.

“Në Shqipëri takova njerëz të jashtëzakonshëm që treguan një mirësi përtej asaj që ishte e nevojshme, duke tejkaluar çdo pritshmëri që kisha për këtë vend.”

“Për mua ishte e rëndësishme që njerëzit ta dinin këtë përpara se të kritikoja elemente të sistemit shëndetësor. Nuk doja që mesazhi kryesor i historisë sime të ishte që njerëzit të shmangnin udhëtimet në këtë vend.”

Paralajmërimi i saj për udhëtarët e tjerë

Lecons thotë se u habit nga fakti se sa të papërgatitur ishin disa nga turistët që udhëtonin në këtë zonë.

“Ishte tronditëse të mësoja se sa shumë njerëz po shkonin në male, në itinerarin ‘Peak of the Balkans’, pa pasur asnjë informacion për kafshët me të cilat mund të përballeshin, pa pajisje inReach apo PLB (pajisje personale për përcaktimin e vendndodhjes) dhe pa njohuri të mjaftueshme për ndihmën e parë.”

“Unë kisha planifikuar të isha larg vetëm për 90 minuta, ndërsa këta persona qëndronin në shtigje për më shumë se 10 ditë.”

Pendimi i saj më i madh lidhet me përgatitjen.

“Pas reflektimit, kam kuptuar se duhet të jem më e përgatitur me një pajisje komunikimi satelitor. Në Zelandën e Re na mësojnë se kjo mund të jetë çështje jete a vdekjeje dhe unë gabova kur mendova se nuk ishte e nevojshme edhe në shtigjet e Europës.”

Ajo beson gjithashtu se trajnimi për ndihmën e parë duhet të jetë shumë më i përhapur.

“Mendoj se trajnimi bazë për ndihmën e parë duhet të jetë i detyrueshëm për të gjithë, pavarësisht nëse udhëton në grup apo del vetëm në shtigje.”

“Sasia e njerëzve me të cilët fola në javët që pasuan, të cilët nuk e dinin se kishte gjarpërinj në këto shtigje dhe çfarë duhej të bënin në një situatë të tillë, ishte shumë befasuese.”

Për dështimin më të madh në rastin e saj, ajo është e prerë:

“Gabimi më i madh ishte mënyra se si u trajtua ajo telefonatë e emergjencës. Duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje shërbimeve të emergjencës në Shqipëri.”

“Duhet të ketë një mënyrë që turistët të mund të marrin ndihmë përmes numrit 112. T’u mbyllësh telefonin njerëzve pa e trajtuar siç duhet kërkesën e tyre për ndihmë do të sjellë pasoja që mund të shmangen dhe potencialisht edhe vdekje mes udhëtarëve të huaj në vend.”

Jeta pasi u bë virale

Lecons thotë se është përpjekur të qëndrojë larg vëmendjes, ndërsa vazhdon të udhëtojë.

“Ende nuk mund ta kuptoj plotësisht përmasën e njerëzve që e kanë parë historinë time. Kryesisht përpiqem ta mbaj të fshehtë historinë, duke thënë thjesht se u dëmtova për një periudhë gjatë qëndrimit në Shqipëri.”

Ajo tregon me humor se shpesh njerëzit e njohin.

“Shumicën e rasteve, të paktën një person do të thotë se ka parë kohët e fundit videot e një vajze që u kafshua nga një gjarpër, përpara se të kuptojë se ajo vajzë isha unë. Tani qesh shumë me këtë.”

Ajo nuk ka hequr dorë nga ecjet vetëm në natyrë, megjithëse qasja e saj ka ndryshuar.

“Sigurisht që tani jam më e vëmendshme ndaj mjedisit përreth, por nuk do të ndaloj plotësisht së daluri vetëm. Nuk duhet të lejoj që frika të kontrollojë jetën time, veçanërisht kur vrapimi në shtigje është një pjesë e madhe e asaj që jam dhe e asaj që më bën të lumtur.”

Megjithatë, për momentin ajo thotë se po e shijon më shumë ecjen me ritëm më të ngadaltë, në grup ose me një mik.

E pyetur për mësimin më të madh nga kjo përvojë, ajo shkon përtej përgatitjes praktike.

“Mësimi im më i madh është thjesht një kujtesë e një prej filozofive të mia kryesore: të jesh i mirë dhe të mbetesh optimist. Besoj se fuqia e të menduarit pozitiv është forca më e madhe nga të gjitha.”

“Dhe, sigurisht, tani do të shikoj më mirë se ku shkel.”

Postime të ngjashme

Pesë ankesa çojnë në KPP tenderat e lavanderive të spitaleve me fond mbi 6.1 milionë euro
Ministrja Sala prezanton shërbime të reja për të moshuarit, ndërsa Kujdesi Shëndetësor në Banesë vazhdon të mbetet pa financim të qëndrueshëm
Obeziteti - Le të flasim për të.... SË SHPEJTI
Dita e 40-të e protestës, qytetarja: Në spitale s’ka ilaçe, por japin 4 mln euro për një këngëtar
Sfidat në trajtimin e ngacmimit seksual në vendin e punës: nevojiten mekanizma më efektivë për mbrojtjen e viktimave
Ngacmimi seksual në vendin e punës: Sfidat e shoqërive tradicionale dhe moderne përballë një fenomeni global
Etika dhe respekti si themeli i një mjedisi pune të shëndetshëm
Pse krijimi i një kulture pune të bazuar në respekt dhe barazi duhet të kthehet në prioritet për çdo punëdhënës