Sfidat në trajtimin e ngacmimit seksual në vendin e punës: nevojiten mekanizma më efektivë për mbrojtjen e viktimave

Ngacmimi seksual në vendin e punës mbetet një nga format më serioze të cenimit të dinjitetit njerëzor, barazisë dhe të drejtave themelore. Edhe pse Shqipëria ka përmirësuar kuadrin ligjor në këtë fushë, zbatimi praktik i legjislacionit, raportimi i rasteve dhe garantimi i aksesit efektiv në drejtësi vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme.

Këto janë disa nga përfundimet kryesore të studimit “Kuadri ligjor dhe praktika gjyqësore për ngacmimin seksual në vendin e punës”, të përgatitur nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe shoqata Together for Life, në kuadër të projektit VIOLET – Për vende pune pa ngacmim seksual dhe dhunë, i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit CERV-DAPHNE. Studimi analizon zhvillimet gjatë periudhës 2015–2024, duke vlerësuar efektivitetin e kuadrit ligjor shqiptar, përputhshmërinë e tij me standardet ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, si dhe praktikën gjyqësore dhe institucionale në trajtimin e rasteve të ngacmimit seksual në vendin e punës. Ai identifikon boshllëqet ligjore, sfidat institucionale dhe vështirësitë praktike që pengojnë mbrojtjen efektive të viktimave, duke ofruar rekomandime konkrete për forcimin e mekanizmave të parandalimit, raportimit dhe aksesit në drejtësi.

Gjetjet kryesore të studimit

Studimi konstaton se Shqipëria disponon një bazë të konsoliduar ligjore, e mbështetur në Kodin e Punës, Kodin Penal, Ligjin “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, Ligjin “Për Barazinë Gjinore” si dhe instrumentet ndërkombëtare të ratifikuara. Megjithatë, sfidat kryesore lidhen me zbatimin praktik të këtyre dispozitave, më shumë sesa me mungesën e tyre.

Një nga gjetjet më domethënëse të studimit është mungesa pothuajse e plotë e praktikës civile dhe administrative në trajtimin e ngacmimit seksual në vendin e punës. Sipas ekspertëve, analiza e jurisprudencës u mbështet kryesisht në çështje penale, ndërsa gjatë periudhës së mbledhjes së të dhënëve nuk rezultojnë vendime gjyqësore që ta trajtojnë në mënyrë specifike ngacmimin seksual në marrëdhëniet e punës.

Studimi evidenton gjithashtu se shumica e procedimeve penale edhe kur kanë filluar, janë pushuar për mungesë provash, duke reflektuar vështirësitë në administrimin e provave në raste që zakonisht ndodhin pa dëshmitarë dhe në ambiente private. Deklarimet e viktimave shpesh nuk mbështeten nga prova objektive shtesë, gjë që e bën të vështirë arritjen e standardit penal “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

Një tjetër problematikë lidhet me marrëdhëniet atipike dhe informale të punës, ku mungesa e kontratave formale e bën edhe më të vështirë provimin e marrëdhënies së varësisë dhe garantimin e mbrojtjes efektive të viktimave.

Nënraportimi mbetet sfida kryesore

Studimi evidenton se mungesa e rasteve të regjistruara nuk duhet të interpretohet si mungesë e fenomenit. Përkundrazi, ajo tregon një nivel të lartë nënraportimi, të ndikuar nga frika për humbjen e vendit të punës, stigmatizimi, varësia ekonomike dhe mungesa e besimit tek mekanizmat institucionalë.

Gjetjet e studimit u prezantuan gjatë workshop-in “Analiza e kuadrit ligjor dhe praktikës gjyqësore për ngacmimin seksual në vendin e punës”, organizuar nga KMD, në të cilin morën pjesë përfaqësues të sistemit të drejtësisë, institucioneve të pavarura, organizatave të shoqërisë civile, akademisë dhe organizatave ndërkombëtare.

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Genta Tafa, nënvizoi se, ashtu siç del edhe nga studimi, shumë viktima vazhdojnë të hezitojnë të raportojnë rastet për shkak të pasojave profesionale dhe mungesës së besimit se institucionet do të garantojnë mbrojtje efektive.

Nga ana e tij, Kryetari i Gjykatës së Tiranës, Gert Hoxha pjesëmarrës në aktivitet, theksoi se ngacmimi seksual është ndër veprat më të vështira për t’u provuar në procesin penal, pasi zakonisht ndodh në ambiente private, pa dëshmitarë dhe pa prova të drejtpërdrejta. Ai nënvizoi nevojën për më shumë ndjeshmëri institucionale ndaj viktimave, duke ruajtur njëkohësisht standardet e procesit të rregullt ligjor.

Ekspertët pjesëmarrës evidentuan gjithashtu se mungesa e të dhënave është vetë një e dhënë, e cila tregon nevojën për krijimin e mekanizmave më të mirë të raportimit, monitorimit dhe mbledhjes së statistikave.

Rekomandimet kryesore të studimit

Për të garantuar një mbrojtje reale dhe efektive ndaj ngacmimit seksual në vendin e punës nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse, e cila të shkojë përtej kuadrit ekzistues ligjor. Në këtë drejtim, studimi rekomandon harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe instrumentet ndërkombëtare, si dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për raportimin, hetimin dhe trajtimin e rasteve. Njëkohësisht, studimi nënvizon rëndësinë e krijimit të një sistemi të unifikuar ndërinstitucional për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, me qëllim monitorimin më të saktë të fenomenit dhe hartimin e politikave të bazuara në evidencë. Ai kërkon gjithashtu garantimin e mbrojtjes efektive për të gjithë punëmarrësit, përfshirë ata të angazhuar në forma atipike, fleksibël apo informale të punësimit, si dhe rritjen e përgjegjësisë së punëdhënësve përmes politikave të brendshme, trajnimeve dhe mekanizmave të besueshëm të raportimit. Në thelb, studimi rekomandon kalimin nga një qasje kryesisht ndëshkuese drejt një modeli të integruar dhe parandalues, që vendos në qendër mbrojtjen efektive të viktimave, rivendosjen e të drejtave të cenuara dhe krijimin e një mjedisi pune të sigurt, dinjitoz dhe pa diskriminim.

Postime të ngjashme

Ngacmimi seksual në vendin e punës: Sfidat e shoqërive tradicionale dhe moderne përballë një fenomeni global
Etika dhe respekti si themeli i një mjedisi pune të shëndetshëm
Pse krijimi i një kulture pune të bazuar në respekt dhe barazi duhet të kthehet në prioritet për çdo punëdhënës
FOTO/  Kush është mjeku 72-vjeçar që akuzohet për abuzim seksual, Nikolla Nunka pezullohet nga detyra deri në përfundimin e hetimeve
Shenjat fizike që paralajmërojnë për probleme shëndetësore
Ngacmimi seksual dhe kultura e heshtjes
Midis pushtetit dhe frikës: Pse ngacmimi seksual në vendin e punës mbetet i pandëshkuar?
Të punosh nën presion apo të mbijetosh nën abuzim?