Ministrja Sala prezanton shërbime të reja për të moshuarit, ndërsa Kujdesi Shëndetësor në Banesë vazhdon të mbetet pa financim të qëndrueshëm

Në Pogradec, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prezantoi një paketë të re masash në mbështetje të moshës së tretë, duke njoftuar zgjerimin e programit të Check-Up falas pa kufizim të sipërm moshor, ngritjen për herë të parë të Qendrës së Shërbimeve të Geriatrisë për të Moshuarit, krijimin e një Linje Këshillimi për orientimin e qytetarëve drejt shërbimeve publike, si dhe politika të reja sociale që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve.

Çdo nismë që synon të rrisë mirëqenien dhe cilësinë e jetës së kësaj shtrese të popullsisë meriton të përshëndetet. Shqipëria po përballet me një proces të përshpejtuar të plakjes së popullsisë, ndërsa numri i personave që jetojnë me sëmundje kronike, kufizime në lëvizje apo që kanë nevojë për kujdes afatgjatë po rritet nga viti në vit. Pikërisht për këtë arsye, investimi në shërbime të reja është një domosdoshmëri.

Megjithatë, përballë këtyre nismave lind natyrshëm një pyetje thelbësore: pse Ministria vazhdon të mos sigurojë një financim të dedikuar dhe të qëndrueshëm për Shërbimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KSHB), pikërisht shërbimin që u shkon të moshuarve në shtëpi dhe që u përgjigjet nevojave të tyre më të menjëhershme?

Ky është shërbimi që u vjen në ndihmë personave me probleme të lëvizshmërisë, të moshuarve që nuk mund të paraqiten në qendrat shëndetësore, pacientëve me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që kujdesen për ta. Për këta qytetarë, aksesi në kujdes shëndetësor nuk fillon në derën e spitalit apo të qendrës shëndetësore, por në derën e shtëpisë së tyre. Pikërisht aty ku një vizitë e mjekut apo infermierit mund të parandalojë komplikacione, shtrime të panevojshme në spital dhe përkeqësim të gjendjes shëndetësore.

Paradoksi është se vetë Ministria e Shëndetësisë e ka konsideruar këtë shërbim një prioritet strategjik. Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor parashikon zhvillimin e shërbimit të kujdesit në familje për të moshuarit si një nga modelet e reja të kujdesit, në përgjigje të plakjes së popullsisë dhe rritjes së barrës së sëmundjeve kronike. Strategjia thekson se modelet e reja të kujdesit në komunitet janë të domosdoshme për të garantuar akses më të mirë për grupet vulnerabël, për të reduktuar pabarazitë në shëndetësi dhe për të ofruar kujdes të integruar pranë vendbanimit të pacientëve.

Në zbatim të këtij vizioni, me mbështetjen e projektit Health for All (HAP) dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, modeli i Kujdesit Shëndetësor në Banesë u pilotua fillimisht në shtatë qendra shëndetësore në qarqet e Dibrës dhe Fierit. Rezultatet pozitive të pilotimit bënë që vetë Ministria ta vlerësonte modelin si një praktikë të suksesshme dhe, në shtator të vitit 2024, të vendoste shtrirjen e tij në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit. Aktualisht, rreth një e treta e këtyre qendrave vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga projekti HAP, ndërsa pjesa tjetër funksionon me burime shumë të kufizuara.

Kjo do të thotë se shërbimi është zgjeruar në nivel kombëtar, por ende nuk është shoqëruar me financimin e nevojshëm publik. Në mungesë të një linje të dedikuar buxhetore, ofruesit e shërbimit përballen me mungesë burimesh njerëzore, logjistike dhe financiare, ndërsa pacientët përballen me rrezikun që cilësia, vazhdimësia dhe vetë ekzistenca e shërbimit të vihen në diskutim. Pa financim të qëndrueshëm nuk mund të garantohet as zgjerimi i shërbimit, as mbulimi i plotë i nevojave të popullsisë dhe as standardet e cilësisë që kërkon një shërbim komunitar modern.

Pikërisht për këtë arsye, organizata Together for Life (TFL) ka ndërmarrë gjatë vitit të fundit një fushatë të gjerë advokimi, me objektiv sigurimin e një financimi të dedikuar për Kujdesin Shëndetësor në Banesë në buxhetin e shtetit. Fushata është mbështetur në evidenca, analiza financiare dhe rekomandime konkrete, të cilat janë diskutuar në takime me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financave, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe institucione të tjera përgjegjëse. Gjithashtu janë paraqitur propozime gjatë konsultimeve për Programin Buxhetor Afatmesëm dhe projektbuxhetin vjetor, janë zhvilluar forume publike, tryeza konsultimi, konferenca, si dhe një fushatë e gjerë informuese për të ndërgjegjësuar opinionin publik dhe vendimmarrësit mbi domosdoshmërinë e financimit të këtij shërbimi.

Megjithatë, deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim konkret dhe asnjë angazhim publik nga Ministria për krijimin e një linje të posaçme buxhetore për këtë shërbim.

Nëse shteti investon në ngritjen e qendrave geriatrike, në linja këshillimi dhe në politika të reja sociale për të moshuarit, atëherë duhet të investojë edhe në shërbimin që u mundëson atyre të marrin kujdes mjekësor pa u detyruar të largohen nga shtëpia. Përndryshe, ekziston rreziku që politikat e reja të mbeten deklarative, ndërsa shërbimi që ka provuar efektivitetin e tij të mos ketë burimet e nevojshme për të mbijetuar.

Kujdesi Shëndetësor në Banesë nuk është më një projekt pilot. Ai është tashmë pjesë e sistemit publik shëndetësor dhe duhet të trajtohet si i tillë. Ai është një investim me përfitime të shumëfishta: rrit cilësinë e jetës së pacientëve, ul shtrimet dhe ri-shtrimet në spitale, redukton kostot afatgjata të sistemit shëndetësor dhe mbështet familjet që kujdesen çdo ditë për të afërmit e tyre.

Together for Life përshëndet çdo iniciativë të Ministrisë për zgjerimin e shërbimeve në mbështetje të të moshuarve, por njëkohësisht i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që këto politika të shoqërohen me financimin e nevojshëm dhe të mos mbeten vetëm në nivel deklaratash. Nuk mjafton të shpallen shërbime të reja; ato duhet të mbështeten me burime financiare të mjaftueshme për të garantuar funksionimin, cilësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në afatgjatë.

Një sistem shëndetësor nuk matet vetëm nga numri i shërbimeve që shpall, por nga aftësia për t’i financuar dhe për t’i garantuar ato për çdo qytetar që ka nevojë. Për mijëra të moshuar që nuk mund të dalin nga shtëpia, kujdesi shëndetësor në banesë nuk është një alternativë. Ai është e vetmja mënyrë për të ushtruar në praktikë të drejtën kushtetuese për akses të barabartë në kujdes shëndetësor.

Postime të ngjashme

Obeziteti - Le të flasim për të.... SË SHPEJTI
Dita e 40-të e protestës, qytetarja: Në spitale s’ka ilaçe, por japin 4 mln euro për një këngëtar
Sfidat në trajtimin e ngacmimit seksual në vendin e punës: nevojiten mekanizma më efektivë për mbrojtjen e viktimave
Ngacmimi seksual në vendin e punës: Sfidat e shoqërive tradicionale dhe moderne përballë një fenomeni global
Etika dhe respekti si themeli i një mjedisi pune të shëndetshëm
Pse krijimi i një kulture pune të bazuar në respekt dhe barazi duhet të kthehet në prioritet për çdo punëdhënës
FOTO/  Kush është mjeku 72-vjeçar që akuzohet për abuzim seksual, Nikolla Nunka pezullohet nga detyra deri në përfundimin e hetimeve
Shenjat fizike që paralajmërojnë për probleme shëndetësore