Kryefaqja Aktualitet Kanalizimet e ujërave të zeza në Lumin Drin, makthi i qytetarëve

Kanalizimet e ujërave të zeza në Lumin Drin, makthi i qytetarëve

0
Shpërndaje

Nga Dorina Reçi

Lumi Drin është lumi më i gjatë i trojeve shqiptare. Ai derdhet në Detin Adriatik, afër Lezhës dhe në lumin e Bunës, degë që u formua pas një përmbytjeje në shekullin XIX.  Drini formohet afër qytetit të Kukësit me bashkimin e dy degëve kryesore të tij: Drinit të Bardhë që buron afër Pejës, Kosovë, dhe Drinit të Zi që buron nga Shën Naumi, Maqedoni. Për shkak të liqeneve artificial të krijuar, si ai i Fierzës, Komanit, e Vaut të Dejës, një pjesë e Drinit është bërë i lundrueshëm. Megjithatë, përmbytjet në zonën e Lezhës janë të përvitshme edhe sot e kësaj dite.

Ndotja masive e ujërave të Lumit Drin po sjell dëme të jashtëzakonshme për florën dhe faunën edhe në Lagunat e Kune-Vainit dhe Bregdetin e Shëngjinit në Lezhë, vende ku derdhen ujërat e këtij lumi. Prej vitesh ujërat e zeza dhe të bardha bashkohen në tubacione të mëdha me dalje në këtë lum. Edhe pse është ngritur kjo problematikë prej vitesh tashmë, depozitimi i ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane po sjellin pasoja shëndetësore dhe impakt negativ turizmit në Lezhë.

Qytetarët ankohen për aromën e pakëndshme në të gjithë gjatësinë e tij dhe shtimin e insekteve gjatë stinës së verës.

Qytetari P. R. flet për gazetën “Shëndet+”: “Unë e kam shtëpinë buzë Drinit dhe, jo vetëm unë, po të gjithë banorët e pallatit jemi të shqetësuar për aromën e keqe dhe mushkonjat që sa vijnë e shtohen. Gjatë verës nuk guxojmë as të hapim dritaret për këto dy arsye, prandaj jemi të detyruar të ndezim kondicionerët duke na sjellë kështu edhe shpenzime ekonomike familjare. Vullnetarisht jemi munduar me organizime komunitare të dezinfektojmë zonat afër banesave tona, por jemi të vetëdijshëm se kjo nuk mund të mbulohet për gjithë vijën e lumit që përshkon qytetin dhe fshatrat”.

Pak kohë më parë Bashkia e Lezhës deklaroi se ka përfunduar impianti që trajton ujërat e zeza të qytetit, por, pamja  që të ofrojnë fotot, dëshmojnë të kundërtën. Vetëm për një distancë shumë të shkurtër të lumit, e cila përfshin qytetin nga zona e stadiumit e deri poshtë zonës së ish-tregut, gjenden katër dalje të ujërave të zeza.

Përpos këtyre tubacioneve të mëdha të kanalizimeve, ndotjes së këtij lumi u shtohen edhe qytetarët e pandërgjegjshëm të cilët hedhin mbeturina, duke e rënduar akoma më shumë situatën.

Në muajin qershor, u zhvillua për herë të parë (risi për këtë qytet) sporti i garave me kajak. Z. Ardian Laçi, drejtori Arsimit, Turizmit dhe Sportit në Bashkinë Lezhë, është shprehur në këtë aktivitet: “Lumi Drin, si vlerë e çmuar e Bashkisë Lezhë, të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe të kthehet në një traditë të bukur kombëtare por edhe më gjerë”.

Nëse Lumit Drin do i shtohen aktivitetet kulturore dhe sportive, a është kjo pamja që do u ofrohet qytetarëve dhe turistëve?!/ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here