Kanceri, humbje për familjen, por edhe shtetin

Balkan Media Academy

Denisa Canameti / Shendeti.com.al

“Kanceri nuk është thjesht një sëmundje. Ajo shkakton humbje edhe për ekonominë. Shumë njerëz janë diagnostikuar me kancer në një moshë shumë të re, duke i shkaktuar probleme ekonomike familjes, por edhe shtetit”. Kështu u shpreh mjeku Milan Risteski, në takimin për kancerin e zhvilluar në Shkup, Maqedoni, më 19 korrik, dhe që përmblidhte vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia e Kosova.

Në këtë takim, u prezantuan të dhëna lidhur me normat e vdekshmërisë nga kanceri në rajonin e Evropës Juglindore. Bazuar në portalin GLOBACAN 2012, rezultoi se Hungaria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia janë vendet me normat më të larta të vdekshmërisë nga kanceri në rajonin e Evropës Juglindore. Ndërkohë që Shqipëria radhitej në vendin e 21-të.

Lidhur me këtë renditje, doktor Milan Risteski, shef i shërbimit të onkologjisë dhe radioterapisë në Shkup, u tregua skeptik. Ai tha se në përgjithësi vendet e rajonit, veçanërisht Maqedonia, Kosova, Serbia apo dhe Shqipëria, nuk kanë regjistër kombëtar kanceri, kështu që nuk ka shifra të sakta. Në temën e tij “Barra e kancerit në rajon dhe impakti i sëmundjes në shoqëri”, dr. Risteski tha se vitin e kaluar klinika e tyre ka regjistruar 5.000 raste të reja, dhe kjo shifër nuk përfshin rastet e kancerit te fëmijët dhe pacientët me leucemi.

Veç të dhënave që raportonin për një rritje të frikshme të numrit të pacientëve me kancer nga viti në vit, mjeku u ndal edhe tek barra ekonomike që i shkakton kjo sëmundje vendit.

“Kanceri nuk është thjesht një sëmundje. Në realitet, sëmundja shkakton humbje edhe për ekonominë tonë. Shumë njerëz janë diagnostikuar me kancer në një moshë shumë të re, në vitet më produktive të jetës së tyre, duke i shkaktuar probleme ekonomike familjes dhe për rrjedhojë edhe shtetit”, tha ai.

Gjithashtu, profesionistët e shëndetit në Maqedoni thanë se po përballen me një mungesë të radiologëve dhe patologëve, të cilët janë specialistë të rëndësishëm për zbulimin e hershëm të kancerit.

Me shumë probleme po  përballen edhe pacientët me sëmundje malinje në Kosovë. Këtë e konfirmoi mjeku onkolog Armend Spahiu, që referoi temën “Kanceri, një vrasës global”. Në fjalën e tij, dr. Spahiu shpjegoi shkaktarët e mundshëm të kancerit, si zhvillohet, tipet e kancerit, mënyrat e trajtimit etj. “Kanceri mund të luftohet përmes kontrolleve të rregullta, vënies së një diagnoze në kohë dhe saktë, trajtimit me rigorozitet”, tha ai. “Ajo që kam vënë re, është se kanceri është më i zakonshëm në njerëz që thonë se për ditë dhe muaj kanë fjetur jashtë në pyll, në një vend ku ka pasur bombardime”, tha Spahiu. Ai tha se Kosova nuk ka një regjistër të saktë të pacientëve, pasi disa nga pacientët për diagnostikimin dhe trajtimin shkojnë në vende të tjera, të tilla si Maqedonia dhe Turqia.

Ndërkohë, pacientët të cilët e kanë fituar luftën me këtë sëmundje i kërkuan autoriteteve që të jenë pjesë e bordeve të tyre të menaxhimit, me qëllim që të konsultohen kur marrin vendime nga të cilat preken direkt pacientët.

Sazdova Athina nga Shkupi për 16 vjet luftoi me kancerin. Ajo tregoi se ka hequr të dy gjinjtë. Pacientja rrëfeu kalvarin e vuajtjeve që lidheshin si me frikën e përballjes me fjalën kancer, qoftë edhe me mungesat e shumta në sistemin shëndetësor. Përmes fjalëve të saj, ajo tregoi se shpresa nuk duhet humbur dhe se duhet të jemi këmbëngulës në luftimin e kësaj sëmundje, e veçanërisht në zbulimin e hershëm të saj.

Vendet e rajonit në përgjithësi vuajnë nga e njëjta problematikë në qasjen ndaj sëmundjes së kancerit. Mungesë specialistësh, mungesë në medikamente, si dhe vështirësi në implementimin e trajtimeve të reja për të luftuar këtë sëmundje. Regjistri i kancerit dhe mungesa e fushatave sensibilizuese u konsideruan dy pikat më të dobëta të vendeve të rajonit.

 

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit