Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Dieta mesdhetare mund të parandalojë rikthimin e kancerit të gjirit, kanë zbuluar ekspertët. Hulumtuesit shkencorë bënë të ditur zbulimin më të ri gjatë konferencës më të madhe të kancerit të gjirit të zhvilluar në Çikago.
Ky studim sugjeron se përfshirja e një diete të pasur me peshq, perime, drithëra, bishtajore dhe vaj ulliri mund të ul në mënyrë dramatike shanset e rikthimit të kancerit të gjirit.
Ka pasur edhe më parë prova që vërtetonin se dieta mesdhetare mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të zhvillimit të kancerit. Por, ky studim i ri, i prezantuar tek takimi i përvitshëm i Shoqatës Amerikane të Onkologjisë në Çikago, sugjeron se kjo dietë mund të bëjë një diferencim të madh në rikthimin e kësaj sëmundjeje.
Shkencëtarët monitoruan më shumë se 300 gra që ishin trajtuar për kancer të gjirit dhe i ndanë ato në dy grupe. Njëri grup ndoqi dietën mesdhetare, ndërsa grupi tjetër u ushqye me një dietë të zakonshme, e shëndetshme.
Pas tri viteve, kanceri i gjirit u rikthye tek 11 paciente në grupin e dytë që u ushqyen me dietën e zakonshme. Ndërsa tek grupi i parë, që ndoqën dietën mesdhetare, kanceri i gjirit nuk u rishfaq tek asnjëra nga pacientet.
Studime të mëparshme kanë treguar se dieta mesdhetare mund të mbrojë nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, duke ulur rrezikun me një të tretën.
Ka gjithashtu teori se kjo dietë mund të parandalojë zhvillimin e dementias dhe tkurrjen e trurit.
Burimi: Mirror / https://shendeti.com.al/