Kanceri i gjirit: Në Shqipëri 30% më shumë raste se një vit më parë, pandemia ndikoi në diagnostikimin e vonë  

Në muajin e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, mjekët flasin me shifra lidhur me situatën e kësaj sëmundje në vend dhe prirjen e popullatës për të kryer vizita rutinë, çka do të ndihmonte në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes. Gazetarja Iliada Kovaçi, zhvilloi një bisedë me mjeken onkologe dr. Anila Pema lidhur me numrin e rasteve të reja dhe interesin e grave dhe vajzave për të kryer kontrollet mjekësore.

Doktoresha, nëse flasim me statistika, sa është numri i rasteve të reja të diagnostikuar me kancer të gjirit në vend?

Fillimisht dua të theksoj se kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek femrat dhe numri është gjithnjë në rritje. Për këtë ka ndikuar ndërgjegjësimi për kryerjen e kontrolleve rutinë dhe diagnostikimi në kohë.  Rreziku patjetër që rritet me rritjen e moshës por një ndër faktorët kryesor që do doja të theksoja është pandemia. E gjithë periudha e karantinës ka ndikuar në kapjen me vonesë të sëmundjes në shumë pacientë dhe për pasojë rritjen e stadeve të avancuara të sëmundjes.

Sa i takon shifrave, këtë vit mund të them se janë 1200 – 1300 raste të reja, pra rreth 30% më shumë se në vitet e shkuara. Dua të theksoj se është rritur incidenca pothuajse për të gjitha patologjitë malinje.

Sikurse e thashë, vëmë re që interesi patjetër që është rritur ndër vite. Duket sikur gratë dhe vajzat janë ndërgjegjësuar për këtë sëmundje dhe pasojat që ajo ka. Më e mira do të ishte që depistimi të shtrihej gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në muajin tetor, por duke parë situatën aktuale numri i vizitave është dukshëm në rritje.

Cilat janë mënyrat e trajtimit ? Në cilat raste kryhet heqja totale e gjirit ?

Ka disa mënyra që mund të trajtohet kanceri i gjirit. Kemi kirurgjinë e gjirit ku tumori hiqet së bashku me një sasi të vogël të indeve të gjirit duke lënë pas shumicën e indeve normale. Mastektomia ose heqja totale e gjirit, mund të jetë e nevojshme kur tumori është i madh në raport me madhësinë e  gjirit ose në rast se kemi një tumor multicentrik. Gjithashtu kirurgjia e gjirit përfshin edhe kirurgjinë në limfonodulat axilare. Është e rëndësishme të dimë nëse qelizat e kancerit janë përhapur në gjendrat limfatike nën sqetull, nëse këto limfonodula janë të prekura, atëherë rritet mundësia që qelizat e kancerit të jenë përhapur përmes qarkullimit të gjakut në pjesët e tjera të trupit. Ky është një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e trajtimit të mëtejshëm sistematik që ka mundësitë më të mira për të vrarë qelizat e kancerit, të cilat janë përhapur përtej gjirit.

Kimioterapia është një tjetër mënyrë e cila përdoret për të vrarë qelizat e kancerit, të cilat mund të përhapen përtej gjirit. Këto qeliza që shkëputen nga tumori kryesor i gjirit dhe përhapen nëpërmjet sistemit të gjakut ose limfatik në pjesën tjetër të trupit zakonisht nuk shkaktojnë simptoma, nuk shfaqen në ekzaminimet imazherike dhe nuk mund të evidentohen në ekzaminimit klinik. Mjekët përdorin ilaçe që jepen si pilula ose me injeksion. Ky lloj trajtimi quhet terapi sistematike dhe përfshin medikamente kundër kancerit (kimioterapia) dhe terapi hormonale.

Radioterapia e cila përdor një rrezatim me energji shumë të lartë, kryhet pas ndërhyrjes kirurgjikale për të shkatërruar qelizat e kancerit te mbetura në gji pas trajtimit kirurgjikal konservativ, murin e gjoksit dhe nyjet limfatike ose për të ngadalësuar shkallën e tyre të rritjes. Ky trajtim ka rezultuar të jetë efektiv në reduktimin e recidives lokale.

Aktualisht kemi arritur në standarte bashkëkohore. Në spitalin okologjik ka dhe një shërbim të ngritur psikosocial i cili është present pikërisht në momentet më të vështira me të cilat përballen pacientët.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë