Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Është zbuluar “thembra e Akilit” e kancerit të gjirit, që rrit shpresat për gjetjen e një trajtimi për të kuruar sëmundjen. Shkencëtarët kanë zbuluar përse kjo sëmundje rikthehet tek disa gra pas shumë vitesh. Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit tek gratë, ku rreth 2 milionë raste të reja diagnostifikohen çdo vit në mbarë botën.
Studimi më i fundit ka zbuluar pse trajtimet aktuale nuk arrijnë ta zhdukin këtë sëmundje, por vetëm e vendosin në gjendje pasive, që do të thotë se mund të bëhet aktive në çdo moment.
Studiuesit nga Universiteti i Cyrihut kanë zbuluar një mënyrë për të “ndërprerë” sinjalet që nxisin rritjen dhe ndarjen e qelizave.
Shumë forma pushtuese të kancerit të gjirit kanë shumë receptorë HER2 në sipërfaqe, që çojnë në rritjen e pakontrolluar të qelizave kancerogjene.
HER2 (receptori 2 epidermik i faktorit të rritjes tek njeriu) është një lloj antigjeni i pranishëm tek qelizat e njeriut, ku në lloje të caktuara të kancerit nivelet e tij janë shumë të larta. Sipas profesorit dr. Andreas Plückthun, ky zbulim i ri rrit shpresat për gjetjen e trajtimeve të reja.
“Tani që kemi identifikuar thembrën e Akilit të qelizave kancerogjene HER2-pozitive, hapen mundësi të reja për trajtimin e kancerit të gjirit në të ardhmen” shprehet ai.
Një në pesë raste me kancer të gjirit dhe stomakut kanë nivele të larta të receptorit HER2-pozitiv. Ilaçet për kancerin, si herceptina, mund ta gjejnë këtë receptor, por nuk mund t’i zhdukin qelizat kancerogjene. Kjo do të thotë se shumë gra mund të duken sikur janë kuruar, por në fakt kanceri mund të “rizgjohet” me kalimin e viteve.
Me studimin e fundit, shkencëtarët thonë se kanë arritur të zbulojnë përse këto antitrupa vetëm ngadalësojnë rritjen e tumorit, në vend që ta shkatërrojnë atë.
Receptori HER2 përdor në të njëjtën kohë disa mënyra të ndryshme për të nxitur rritjen dhe ndarjen e qelizave. Antitrupat aktuale mund të bllokojnë vetëm njërën nga këto mënyra sinjalizimi, ndërkohë që mënyrat e tjera qëndrojnë aktive. Tani shkencëtarët pretendojnë se kanë zhvilluar një metodë për të ndërprerë të gjitha këto sinjale, duke përdorur një antigjen që bllokon receptorin HER2 dhe ndryshon strukturën e tij. Në këtë mënyrë pengohet transmetimi i sinjaleve tek pjesa e brendshme e qelizave, duke shkaktuar shkatërrim të qelizave kancerogjene.
Kjo teknikë e re është premtuese, duke qenë se testimet tek minjtë kanë treguar se vihen në shënjestër vetëm qelizat kancerogjene, ndërsa qelizat e shëndetshme mbeten të paprekura.
Ky përbërës aktiv mund të prodhohet shumë lehtë. Një substancë e ngjashme po zhvillohet aktualisht dhe do të testohet shumë shpejtë.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


